Nga PANO HALLKO
Në shtator të vitit 1989, erdhi në Shqipëri Kryetari i Jurisë së Europës për Folklorin, zoti Aleksandër Fenton. E sillte në vendin tonë këtë autoritet të lartë një detyrim profesional i tij. Qysh në muajin maj të atij viti kishte shkuar nga shteti shqiptar për të konkuruar në Europë, një kasetë filmike e realizuar nga stafi i Tvsh-së, me këngë dhe valle nga Jugu i Shqipërisë, konkretisht nga Lumi i Vlorës-Labëria. Në kasetë ishte Grupi i Këngës i Vranishtit me këngën dhe vallen e tij, Treshja e Dukatit, dhe një sërë grupesh të tjerë.
Vizitori i famshëm erdhi dhe solli Çmimin e lartë, që në rang Europe e fitoi kjo kasetë, pra Shqipëria. Por “sekretet” profesionale, ai i nxori një e nga një, në Koncertin e realizuar “live” në njërën nga ish shtëpitë e Kulturës që kishte në atë kohë. Asokohe, quheshin Shtëpi Kulture.
Është çudi ky emërtim i tyre, sepse disa prej tyre si në Vranisht, Tërbaç dhe gjetkë, ishin pallate të vërtetë kulture. Të cilët nuk kishin asnjë arsye ta kishin zili pallatin e kulturës në Vlorë. As prej ndërtimit luksoz, e as prej aktiviteteve kulturore, shoqërore dhe artistike. Për kureshtjen e lexuesve të sotëm, mjafton të sjellim vetëm një fakt, i cili është i filmuar nga televizioni shqiptar në fillimvitet ’80-të, në skenën e pallatit të kulturës në Vranisht.
Skena e atij pallati me sipërfaqe 150 metra katrore(përjashto dy dhomat e bollshme për veshjen e artistëve që ishin mbrapa kuintave të mëndafshta), mirëpriti Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe valleve që patëm.
Shqiponja e skenës shqiptare, i pavdekshmi dhe i pa përsëritshmi dot më, i madhi Besim Zekthi, bashkë me virtuozët Liljana Cingu e Rexhep Çeliku dhe me trupën e valleve, realizuan lirshëm vallen “Shqipja e Andeve”në atë skenë …
DYSHIMET E EUROPIANËVE
Përshembull, personaliteti i madh i kulturës europiane, Aleksandër Fenton, bëri tri pyetje: -Kush është koreografi i valles së Vranishtit? Kush ua mëson vallen këtyre njerëzve? Ku, në cilën palestër, i bëjnë ata provat për këtë valle, por edhe sa kohë u duhet atyre për ta mësuar vallen?
Këto pyetje si dhe shumë të tjera, vizitori i lartë i shtroi me të njëjtin sinqeritet dhe habi, siç i kishin bërë atje, në Juri, duke parë kasetën, me bashkëpunëtorët e tij…
Njerëzit në fillim, sapo dëgjuan përkthimin e pyetjeve, bënë buzën në gaz, pasi menduan se skocezi në origjinë(ai krenohej me origjinën e vet, edhe pse gjyshi i tij kishte lindur në Londër), po bënte shaka…
Pastaj, iu sqarua nga specialistët e Institutit të Folklorit që kishin ardhur enkas aty, se kjo valle nuk kishte koreograf(!). Mikut që vinte nga larg, iu tha se këtë valle njerëzit e mësojnë dhe e trashëgojnë brez pas brezi, qysh kur nuk mbahet mend!
Dhe Aleksandër Fentoni, edhe pse u bind nga shpjegimet e specialistëve, shfaqte njëfarë dyshimi të fshehur lehtas(me veten e vet kësaj radhe).
Teksa shikonte treshen virtuoze të valles: Hetem Shkurtin, Arap Çeloleskaj dhe Selman Aliaj si dhe nëntë valltarët e tjerë të talentuar në lëvizjet e vrullshme e të vështira të valles, ai tha: – “Ky nuk është grupi i Vranishtit, se këta janë me fustanella. Kurse ata që kemi parë në kasetë, ishin me pantallona dhe me tirqe.
Kishte plotësisht të drejtë europiani i madh, në sa thoshte. Po ku mund ta merrte me mend ai, se artistët e grupit të Vranishtit u njoftuan në mbrëmje, që në mëngjes duhej të ishin në qendër me rrobat e grupit, “Sepse do vijnë për xhirim nga Tirana”.
Dhe ndodhi, që veshjet e artistëve vranishtiotë- kostumet e fustanellave, ishin në lavanterinë e fshatit, për t’i larë. Po t’ua thuash mendjellinjve të sotëm, se 50 kilometra larg Vlorës, në mesin e viteve ’70-të, në Vranisht, u ndërtua lavanteria, me të gjithë ambientet dhe mjetet, do shprehin çudi. Për fat të mirë, lavanteria është ende sot në këmbë siç ka qenë, në përdorim të një privati, kuptohet.. …
Dhe u desh që artistët e grupit të Vranishtit, të “merrnin hua” kostumet e fustanellës nga një grup tjetër, që ndodhej atë ditë aty. Duke vuajtur t’i përshtatin në trupat e tyre, me siklet, duke i kapur me paramanda e mjete rrethanore, nën presionin e kohës së daljes në skenë. Një torturë e vërtetë, por duhet të bëhej, përndryshe asaj “makinerisë” që vinte nga Europa, nuk i mbushej mendja se bëhej fjalë për të njëjtin grup.
Anëtarët e Jurisë së Europës, kishin dyshuar edhe për zërin. Mbasi nuk mund ta besonin, se artistët duke luajtur atë valle me lëvizje të vështira, me lodhje fizike, mund të nxirrnin zërin aq të plotë e burrëror, njëherësh duke ecur me ritmin e valles. Pra, ata kishin dyshuar se mos zëra të tjerë ishin futur në studio dhe ishin bashkangjitur me lëvizjet e koklavitura të valles.
Po ashtu, ata patën dyshuar edhe për treshen e Dukatit. Sepse nuk mund ta besonin dot, që gjithë ai zë në interpretimin virtuoz të tre burrave, ishte vetëm zëri i tyre, por mund të kishte zëra të tjerë prapa kuintave.
Në fund, pasi ndoqi në skenë ekzekutimin e valles(por pa mikrofona, ai kërkoi edhe treshen e Dukatitpa mikrofonë dhe tha:-“Ky vend, paska një kulturë më të lashtë sesa e kisha menduar”
… Diku aty nga mesi i drekës së shtruar për nder të vizitorëve të lartë, Fenton-i ngriti një dolli ku ndër të tjera shprehu edhe një habi tjetër: -“Më bën përshtypje një gjë: Në skenë u mrekullova nga tingujt dhe nga timbri i zërave, nga përpikmëria artistike e realizimit të valles. Por po shikoj edhe këtu, ku njerëzit hanë mish të pjekur, pijnë raki të zier dy herë, dhe… Zëri, është i njëjti interpretim”?!?-tha ai….
Arap Çeloleskaj iu përgjigj dollisë së skocezit me vargjet e këngës: “Jemi zot të këtij vatani”-krijim i Mjeshtrit të Madh të Punës, Profesor Muhamet Tartari…
Ajo ditë përbën kthesën e mendimit dhe fillesën e Idesë europiane, për ta shpallur Këngën Labe shqiptare, Pasuri të Kulturës Botërore…
GJENERALI I KËNGËS DHE…
Më datën 4 Janar 2012, në orën 05.30 minuta, shkruesin e këtyre radhëve, e mori në telefon Krahu i Djathtë i Arapit në Valle, i pavdekshmi Artist, Hetem Shkurti. Duke qarë, më tha: – “Iku Arapi”!
… Ishin tre vëllezër e një motër jetimë, e na kishin një Nënë! Nëna e tyre, nënë Nazja, një grua trime vranishtiote, aktiviste e Lëvizjes Nacional-Çlirimtare, grua që mbështeti partizanët me fuqinë e shpirtit. Grua që organizonte të gjitha gratë për të punuar në shtiza natën bluza dhe çorape për ata që bënin luftën kundër pushtuesit, por edhe për të grumbulluar dhe transportuar ushqime për ta. Detyrat e rritjes së tre vëllezërve, ia kishte ngarkuar fëmijës së madh, vajzës së saj, Raziesë, e cila i ndihmonte të rriteshin, por i ndihmonte edhe në këngë. Pas përfundimit të Luftës, kjo Nënë iu fut një tjetër Lufte, të një tjetër natyre, luftës së madhe të jetës, për të rritur fëmijët jetimë në Vranishtin e zhuritur nga Lufta e Dytë Botërore.
Shtëpia e nënës dhe e tre vëllezërve, në anë të xhades, në qendër të fshatit. Ishin të varfër, si shumica e njerëzve ato vite. Shpesh ishin pa bukë dhe i merrte uria. Por edhe urisë ia kishin gjetur ushqimin dhe ilaçin: Këngën!
Dhe këndonin të tre vëllezërit, bashkë me motrën, njëri më mirë se tjetri, e të katër bashkë i falnin gëzim e shpresë Vranishtit. Ngrinin peshë zemrat e bashkëfshatarëve, falnin buzëqeshje në buzët e plasura të njerëzve që kishin humbur trimat në Luftën e Madhe, u jepnin atyre guxim dhe motiv për të rindërtuar shtëpitë e djegura nga zjarri, e të rrënuara nga gjylet.
I madhi, Iliazi, shkëlqeu në bangot e Shkollës Ushtarake shqiptare. Ai ishte ndër të paktët oficerë të këtij vendi, që u gradua Toger qysh në mbarim të shkollës. I dyti, Leskua, punëtor ndër më të dalluarit e fshatit e të zonës, i ndershëm e me zemër në dorë.
Pak njerëz e dinë faktin se Arapi erdhi në Tiranë në Shkollën “Skënderbej”. Dhe në fund të vitit të parë, për arsye shëndetësore u largua nga ajo shkollë, për të marrë timonin e “Zis”-it të fshatit, por edhe timonin e këngës dhe të valles vranishtjote…
Nëse do kishte mbaruar studimet ushtarake, mund të mos ishte bërë gjeneral. Por ai u bë gjenerali i këngës labe, i folklorit shqiptar.
Arapi u lind atje, në Vranisht. Atje ai mori vrullin për të fluturuar nëpër skenat e Europës dhe të botës, duke mahnitur njerëzit me zërin e tij të fortë dhe melodioz pavarësisht se nuk arriti dot moshën e pranueshme të ikjes.
Por Arapi shkëlqeu në disa drejtime në jetë, edhe pse nuk mbaroi shumë shkollëra. Ishte pikë referimi e rinisë së fshatit në shumë plane: Ai ishte futbollist i shkëlqyer, shtylla por edhe shkolla e skuadrës së fshatit, ishte ai që i jepte zemër, edhe kur ndeshej ajo me skuadra profesioniste.
Dhe u bënë të tre vëllezërit shembulli i mirëkuptimit, harmonisë, idhuj për imitim në vëllezëri, për të gjithë vranishtiotët dhe më gjerë. E djemtë e tyre, edhe pse me fëmijë, ende sot e kësaj dite nuk e dinë mirë se ç`janë: vëllezër, apo kushurinj të parë…
Në përcjelljen e Arapit në banesën e fundme morën pjesë më shumë se njmëijë njerëz.
Vranishti përcillte birin e tij të madh,. Artistin. Por atje kishin ardhur nga gjithë Shqipëria, shokët dhe miqtë e këngës, madje edhe shumë personalitete të artit dhe të kulturës së vendit.
Natyra, të tre vëllezërve u fali zërin e bukur, por edhe talentin për dhe dashurinë për këngën. Ata janë themeluesit e Grupit modern të Vranishtit, bilbilat e tij. Por edhe brenda treshes së vëllezërve, Arapi pati të veçantën e tij:
Kur këndonte Arapi në Pallatin e Kulturës në Tiranë, regjizorët dhe kompozitorët por edhe poeti i mirënjohur shqiptar Agim Doçi, thoshin: “Zëri i Arapit, është shtatë oktanë”.
…POETI I MADH, MUHAMET TARTARI
Qysh nga çasti kur në qenien njerëzore të Muhamet Tartarit, demoni i krijuesit sundoi si sovran, lindi tek ai një lloj arti i veçantë, i cili u rrit si flakë shpërthyese. Një art i mahnitshëm, krijimtari e ekzaltuar, drithëruese, gulçe spazmatike të shpirtit, kundërshti e shpërthimeve të fuqishme, dehje e dalldi, një mani pellazgësh, që vjen nga shekujt. Me adresë të caktuar, tek Ai.
Duke shpenzuar në pritjen dhe nderimin e korifejve të vendit e të kombit, për të ngritur vlerat e fshatit. E jo si ata që bënin të kundërtën, duke shikuar se çfarë mund të rrëmbenin nga e përbashkëta, në emër të meritave të paqena.
Në atë fshat, zor se gjen ndonjë njeri të mos dijë të këndëojë, qoftë burrë apo grua.
Atje kënga dhe vallja karakteristike dhe e vetme në llojin e saj në Shqipëri, kanë qenë ndër shekuj. Edhe njëfarë grupi, e kishte ai fshat, qysh në vitet `50-të.
Por nga viti 1972, nën drejtimin e të mirënjohurit intelektual Muhamet Tartari-Mjeshtër i Madh i Punës, por edhe me kontributin njerëzor dhe artistik të vëllezërve Çeloleskaj, emri i Vranishtit i kapërceu shpejt kufijtë e Shqipërisë. Treshja virtuoze e Vranishtit: Hetem Shkurti, Arap Çeloleskaj dhe Selman Aliaj bashkë me nëntë valltarët e talentuar të tjerë, ngritën në këmbë sallat më të mëdha të Botës, qysh nga Festivali i Dizhonit në Francë, e deri te Çmimi i Parë i Jurisë së Europës për Folklorin. Arapi ishte ai që niste dhe që ndizte këngën. Por ishte Leskua ai që e nxirrte Grupin faqebardhë para sallës me “terezinë” dhe “ekonominë” e tij në lëvizjet e vështira të valles së Vranishtit, me fytyrë nga salla në vargun e fundit.
Arapi i dekorua disa herë e me çmime të ndryshme nga shteti shqiptar. Por Arapi kishte vetëm emrin, të shkruar në Dekorata. Ato dekorata ishin dhe mbetën pronë e Grupit, pronë e Vranishtit.
Në kabinën e “Zisit” të Arapit nuk pushonte kurrë kënga, madje as kur ai ishte i vetëm brenda saj. Me këngën e tij, ai u bë shembull imitimi për rininë vranishtiote, të krahinës dhe të të gjithë Vlorës.
Në pamje të parë, dukej sikur suksesi i Arapit qëndronte vetëm tek zëri i tij i lartë dhe i fortë. Nuk ishte kështu. Arapi, edhe pse ishte me natyrë të rëndë në dukje, kishte një shpirt të pastër fëmije.
Ai e përjetonte këngën me të gjithë qenien e tij. Kur këndonte ai, nuk merrte pjesë vetëm zëri i tij, por çdo qelizë e trupit të tij. Prandaj ai u bë shembull për imitim për dhjetra të rinj vranishtiotë, që ai vetë, me durim në provat e pafund në ish Shtëpinë Kulturës, deri në mesnatë, i përgatiste. Ai ishte një artist, që me shembullin dhe përpjekjet e tij nxori shumë artistë të tjerë në Vranisht. Ai kurrë nuk e pa Grupin si një burim përfitimi, përkundrazi, ai dhe shumë të tjerë i kanë qëndruar edhe me lekë nga xhepi, për sedrën e artistit, që kënga dhe vallja vranishtiote të arrinin deri në perfeksion të plotë, në majat e artit shqiptar.
Arritja më e madhe e Arapit, ishte Familja e tij. Ai e lidhi jetën e tij me Havanë, një grua dinjitoze vranishtiote.. Ata rritën 5 fëmijë, të zotët dhe të ndershëm, të aftë për të përballuar jetën.
Doemos si fëmijë të tij, ata trashëguan edhe këngën dhe vallen, madje Krenari, djali i madh i tij, ishte krenaria e fëmijëve të Vranishtit në valle, në vendin që mbante i ati, heqës i valles së grupit të fëmijëve të Vranishtit, që ngriti në këmbë sallat e këtij vendi, deri në Pallatin e Kongreseve.
Grupi i fëmijëve, ishte padyshim njëra nga arritjet më të mëdha të Profesor Muhamet Tartarit. Profesor Muhamet Tartari, e ktheu Vranishtin në një Asambël gjigant, duke krijuar dhe drejtuar disa grupe, nga të gjitha moshat.
Një jetë të tërë, Arap Çeloleskua ishte njeri dinjitoz. I tillë, dinjitoz ishte ai edhe në parballjen me sëmundjen e rëndë. Ai dinjitoz u nda nga ne, dinjitoz mbetet për të gjithë brezat.
Sot, shumë njerëz thonë me krenari: Unë kam kënduar me Arapin, qoftë edhe në një dasmë, apo gëzim shoqëror.
Ai edhe me mosqenien e tij në këtë jetë, do të vazhdojë të nxjerrë këngëtarë në brezat që vijnë, të cilët do të mrekullohen me zërin e tij, dhe do ta kenë shembull stili dhe karakteri në këngë. Edhe pse kurrë nuk kanë për ta njohur.
Sot, këndohet kënga në atë fshat, e cila ndër të tjera thotë:
…“Brez pas brezi vranishtiotët/Sa herë do mblidhen te Rrapi/Të bashkuar do gëzojnë/Do këndojnë si Arapi!…
…Ju mbetët simbol i Valles/Artistë që s`vdisni kurrë/Arapi me A-pa-pa-në/Leskua, mbyll vallen-Flamur”!..