Pasi u largua nga politika aktive në Britani, Tony Blair ka shërbyer si këshilltar për qeveri dhe organizata ndërkombëtare. Ish-kryeministër i Britanisë për 10 vite radhazi dhe lider i laburistëve për 13 vjet, Blair themeloi Institutin për Ndryshim Global, i cili është paguar nga qeveri të ndryshme të botës.
Por ndërsa shtrin influencën nëpër botë, organizata e Blair nuk u thotë jo as vendeve që janë treguar me gisht për historikun e shkeljes së të drejtave të njeriut.
Dy nga qeveritë e zbuluara së fundmi se janë kliente të institutit të Blair janë ajo e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreinit.
Instituti për Ndryshim Global – në të cilin Blair është kryetar ekzekutiv i papaguar – filloi të punojë me udhëheqjen e Bahrejnit gjatë 12 muajve të fundit për një program modernizimi, pavarësisht se Bahreini është referuar shpesh si vend ku abuzohet hapur me të drejtat e njeriut.
Po ashtu, organizata e Blair është paguar nga Arabia Saudite pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi.
Ndërkohë, paralelisht, organizata ofron mbështetje për ekipin drejtues të COP28.
Presidenti i eventit të mbajtur në dhjetor ishte Sulltan Ahmed al-Jaber, i cili është njëkohësisht shef ekzekutiv i Kompanisë Kombëtare të Naftës Abu Dhabi. Blair ishte mes atyre që përshëndetën emërimin e tij.
Stafi i Blair-it ka ndihmuar në hartimin e Vizionit 2030 të mbretërisë së Gjirit, një program modernizimi i udhëhequr nga princi i kurorës, Mohammed bin Salman.
Organizata e Blair kishte xhiro prej 111 milionë dollarësh në vitin 2022 për punën këshilluese të qeverisë, ndërkohë që në vitin paraardhës xhiroja ishte 75 milionë dollarë.
Blair e themeloi institutin si një “platformë të re politike për të rimbushur hapësirën e gjerë në mes të politikës” që synon të luftojë një “populizëm të frikshëm autoritar”, që sipas tij, në atë kohë po minonte besimin e Perëndimit në demokraci.
ResPublica