Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se shteti i tij është “në luftë” me lëvizjen palestineze Hamas, e cila lëshoi raketa dhe militantët e saj u infiltruan në Izrael nga Gaza më 7 tetor. Po ashtu, militantët palestinezë u përleshën edhe me forcat tokësore izraelite.
Izraeli veçse ka zhvilluar katër luftëra me militantët palestinezë në Rripin e Gazës që kur forcat dhe kolonët e tij u tërhoqën nga ky territor më 2005. Luftërat janë zhvilluar më 2008, 2012, 2014 dhe 2021.
Më poshtë mund të mësoni gjërat kyçe për luftërat mes Izraelit dhe Gazës:
Operacioni i vitit 2008
Më 27 dhjetor të vitit 2008, Izraeli nisi një fushatë të sulmeve ajrore kundër militantëve në Gaza. Operacioni u quajt “Plumbi”. Ky operacion synonte që të ndalte sulmet me raketa të palestinezëve në territorin e Izraelit. Më pas, Izraeli dislokoi edhe forca tokësore. Deri kur u shpall armëpushimi më 18 janar, 1.400 palestinezë dhe 13 izraelitë u vranë.
2012: “Shtylla e Mbrojtjes”
Më 14 nëntor të vitit 2012, Izraeli nisi operacionin e quajtur “Shtylla e Mbrojtjes”. Izraeli kreu sulme me raketa dhe vrau komandantin kryesor të Hamasit, Ahmed Jaabari.
Në konfliktin që zgjati 8 ditë u vranë 177 palestinezë dhe gjashtë izraelitë.
Militantët në Gaza lëshuan mbi 1.000 raketa në territorin e Izraelit, por qindra prej tyre u penguan nga sistemi i mbrojtjes ajrore i quajtur “Kupola e Hekurt”.
Më 8 korrik të vitit 2014, Izraeli nisi operacioni “Saji Mbrojtës”. Sërish, ky operacion synonte të ndalte raketat palestineze dhe shkatërrimin e tuneleve që përdoreshin nga militantët për t’u infiltruar në Izrael.
Maj, 2021: Lufta 11-ditore
Izraeli iu kundërpërgjigj breshërive të raketave të lëshuara nga Hamasi me një fushatë 11-ditore të sulmeve ajrore dhe të artilerisë. Në këtë konflikt u vranë të paktën 248 persona në Gaza, përfshirë 66 fëmijë.
Në anën izraelite u vranë 13 persona, përfshirë një ushtar.
Hamasi kishte kryer sulm me raketa pas përleshjeve mes forcave të sigurisë së Izraelit dhe palestinezëve në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Jerusalem. Si pasojë e përleshjeve, qindra palestinezë ishin plagosur.
Maj, 2023: Përleshjet me Xhihadin Islamik
Pesë ditë luftime midis Izraelit dhe grupit tjetër militant në Gaza të quajtur Xhihadi Islamik, lanë të vrarë 33 persona në Gaza dhe dy në Izrael, një punëtor palestinez nga Gaza dhe një izraelit të moshuar.
Përmes sulmeve ajrore, Izraeli vrau të paktën gjashtë figura të larta të Xhihadit Islamik, që konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Të paktën gjashtë fëmijë dhe shumë civilë po ashtu u vranë në Gaza, para se Egjipti të negocionte një marrëveshje armëpushimi.
p.c. / ABC24.AL