Debati për mos hapjen e negociatave me Bashkimin Europian është përqendruar kryesisht në sferën politike.
Por pasojat më të mëdha që Shqipëria ka nga JO-ja e Brukselit bien mbi ekonominë.
“Nëse flasim për kosto direkte në projekte dhe financimet e Bashkimit Europian nuk ka, sepse nuk ndryshon gjë nga statusi me negociata të çelura apo apo të paçelura. Nëse flasim për kosto indirekte në ekonominë tonë ato janë të mëdha, janë të rënda dhe mund të jenë afatgjata. më konkretisht kostoja më e madhe është zhgënjimi”, është shprehur Malaj.
Ekonomistët thonë se besimi është stimuli më I fuqishëm për ekonominë. Por kur besimi zbehet dhe ja lë vendin zhgënjimit individët dhe biznesi shpenzojnë më pak.
“Zhgënjimi nga zhvillimet në vend, zhgënjimi nga mos hapja e dyerve për procesin e integrimit europian, rrezikon të nxisë një shkallë më të lartë zhgënjimi e cila testohet në ekonomi nga rënia e konsumit dhe investimeve. njëkohësisht shkalla e lartë e zhgënjimit do të ushqejë një largim më të madh të shqiptarëve drejt vendeve të bashkimit europian me të drejtën e tyre për të gjetur një jetë më të mirë”, ka shtuar Malaj.
Por ngecja e procesit të integrimit ka dhe një pasojë tjetër. Ai ndikon vlerësimet e kompanive ndërkombëtare të rejtingut si Mudis apo Standard and Purs për qëndrueshmërinë financiare të vendit.
“Deri tani këto kompani që janë shumë të rëndësishme për investitorët potencial theksonin pozitiv faktin që Shqipëria është duke ecur në procesin e integrimit. Kjo ndërprerje e përkohshme që ne nuk e dimë sa do zgjasë mund të krijojë një kosto shtesë në ekonominë tonë dhe si pasojë ne do të shohim që kostoja e parasë në ekonomi do të rritet, primi i riskut nga agjencitë e eksportit nga vendet nga vijnë investitorët e huaj mund të rritet duke e bërë Shqipërinë më pak konkurrues për të thithur investimet e huaja për të cilat kemi aq shumë nevojë”, shton ai.
Sipas Malajt, përballë kësaj situate bëhet e domosdoshme që Shqipëria të thellojë reformat për forcimin e ligjit dhe institucioneve si dhe rritjen e konkurueshmërisë ekonomike.
Klodian Tomorri