Zonja Janulla, sipas jush, cili ka qenë qëndrimi i Helena Kadaresë ndaj kësaj dashurie?
I thonë një fjale popullore: “Më thuaj me kë rri, të të them se kush je”. Mua dhe motrën time, ajo na ka kërcënuar duke na thënë: “Po nuk hoqi dorë djali, nga vajza ime, ju do ta shihni se kush është Ismail Kadare”… Ajo nuk ishte e kënaqur për internimin tonë, por donte dhe ju lut ministrit të Brendshëm, Hekuran Isait të na burgosnin, mua dhe djalin. Hetuesia nuk e pranoi se nuk kishin se si ta justifikonin këtë burgim… Një nënë pa shpirt dhe intrigante kurdisi takimin tim me Ismailin në shtëpinë e saj, për të diskutuar se çdo të bënin me vajzën që ishte 6 muajshe shtatzanë. Dhe si përfundim atë fëmijë e ekzekutuan.
Si është historia e jetës suaj?
Në vitin 1977 më vdiq burri dhe më la dy fëmijë jetimë, djalin 13 vjeç Renaton, dhe vajzën e vogël 3 muajshe. Me shumë sakrifica u mundova t‘i rrisja, t‘i edukoja e t‘i bëja me shkollë. Që nga mëngjesi e deri në darkë, punoja shitëse ushqimore e megjithatë, isha e lumtur me fëmijët e mi. Djali në Liceun Artistik për violinë dhe vajza në Shkollën e Baletit. Renatoja kishte pasur dhe një talent tjetër të fshehur, aktrimin. Kinostudioja e zgjodhi për të luajtur në disa filma si: “Gunat përmbi telat”, “Tinguj lufte” dhe “Mësonjëtorja”. Është pikërisht ai djaloshi i pëllumbave, që në skenën e filmit vritet nga turqit, për të mbrojtur mësonjëtoren. E megjithatë, violina, filmi dhe dashuria do të shënonin çastet e bukura të jetës së Renatos, e më pas për të dhe për mua do të vijonin vuajtjet dhe shkatërrimi. Fati ynë i keq ishte se ne jetonim shumë afër me shtëpinë e Kadaresë. Një ndjenjë dashurie e pastër, për të cilën Renatoja, në moshën 18 -vjeçare do të provonte rrahjet, torturat psikologjike, internimin, burgimin dhe së fundi, mbylljen në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit me kurë të detyruar, ku qëndroi për një kohë të gjatë. I vetmi faj i tij ishte se dashuroi vajzën e Ismail Kadaresë.
Si nisën problemet për ju?
Gjithçka filloi në një nate dimri. Kisha derdhur në arkë, lekët e dyqanit dhe po kthehesha në shtëpi, ku gjeta Gresën me djalin tim, të ulur në divan dhe rrinin shumë të mërzitur. “Çfarë keni mo Renato, më thoni çfarë ka ndodhur?”. Unë isha mësuar me ta, se ajo vinte shumë herë dhe i gënjente ata, duke iu thënë se do të fle te shoqja e ngushtë, më duket, në mos gaboj, te Majlinda Turdiu. Epo më në fund Gresa tha: “Thuaja ti sat`ëme!”. Më dha numrin e telefonit të shtëpisë së saj dhe unë shkova direkt tek hotel “Peza”, t’i telefonoja Helenës, të vinte e të bisedonim si nënë që ishte për këtë hall.
Erdhi menjëherë me një shall të bardhë, që kishte mbuluar gjysmën e fytyrës, e enjtur nga heqja e një dhëmballe. Kur mori vesh për gjendjen e vajzës dhe kur pa konditat tona të shtëpisë që nuk i pëlqyen, u ngri në vend, megjithatë, ajo më tha mua: “Hajde nesër në shtëpi të bisedosh me Ismailin, se ai është babai dhe ai vendos për gjithçka”. Ashtu e lamë, unë do të shkoja të nesërmen kur do mbaroja nga puna. Por pas asaj nate, filloi skenari i përgatitur prej tyre dhe për mua e tim bir rrodhën ngjarje të tmerrshme. Kur arrita, derën e hapi Ismaili, atje gjeta një shoqe të Helenës, Lili Zhejin, një punonjës të Ministrisë së Brendshme, Vladimir Meçen dhe Helenën. Ismaili, në fillim më futi në dhomën e tij të punës. Menjëherë sa hyje, të binte në sy një fotografi e madhe, ku kishte dalë ai me Enver Hoxhën dhe vajzën e tij Gresa.
Filloi duke thënë i qetë se e mori vesh këtë histori dhe kishte biseduar me vëllain e tij, Shahinin që ishte mjek, se kishte mundësi që mos të kishte ndodhur shtatzania. E shikova një herë dhe mendova, se çfarë mashtruesi kisha përpara. Ia ktheva përgjigjen duke i thënë: “Shko o Ismail! E di që për ju është e rëndë, por ata janë të rinj dhe do ta ndërtojnë jetën e tyre më së miri, në qoftëse i ndihmoni dhe ju”. Sa i thashë kështu, u egërsua e më shikonte si një bishë e egër.
Në këtë kohë hyn Helena dhe më merr në kuzhinë. Vladimir Meçja, një servil i regjur, nis duke më bërtitur e duke më thënë: “Po ti moj, do të bësh krushqi me Ismail Kadarenë, që e njeh gjithë bota, mos harro se je mbesë kulaku, një dajë të burgosur në Burrel 25 vjet, një tjetër të arratisur,… ik moj qërohu! Ke dhe surrat të flasësh me Ismail Kadarenë; lëreni rehat të shkruajë materialin që i duhet për pleniumin!”. Fillova t’i përgjigjesha se vërtet isha mbesë e kulakut, i cili me pasurinë e tij ndihmoi luftën Nacionalçlirimtare, një dajë i arratisur me emrin Leonidha Gjoni, iku se ligji partizan, me urdhër të Mehmet Shehut (mik familjar i Kadaresë), atë natë do ta pushkatonte, për të vetmen arsye që nuk la të dilte partizane të fejuarën, Eftiqi Zaho. Ndërsa tjetri që ishte në burg, vetëm se i tha një mikut, i cili ishte spiun: Unë në ato kohë përpara bridhja me kalë në këto fusha.
Çfarë ndodhi më vonë në shtëpinë e Ismailit?
Mbas gjithë këtyre debateve, bie zilja e telefonit dhe i nderuari Ismail më thotë: “Merre pak telefonin se është për ju”. Ishte një farë Neshat Tozaj dhe më tha: “Do ikësh andej moj prostitutë, apo të dërgojmë policinë të të nxjerrë përjashta”. O Zot, thashë, çfarë tmerri dhe deri ku arrin kjo kulturë e këtyre njerëzve që mbahen intelektualë të mëdhenj, që në publik ishin aq të respektuar dhe anasjelltas, me mua po silleshin me skenarë të turpshme si harbut, e kriminelë të regjur. Megjithatë, u bëra gati për të dalë kur u hap dera, u vërsulën nja 6 a 7 policë e duke më tërhequr prej krahu me forcë, me ato duar prej hekuri duke më thënë: “Do vish në polici me ne. Je e arrestuar se ke hyrë me zor në shtëpinë e deputetit Kadare”.
“Ore njerëz, a jeni në vete për këto që thoni, ky bashkë me të shoqen më ftuan në shtëpi, ej”. Por dhe mua më hipi gjaku në tru nga dhimbja e krahëve që më tërhiqeshin sikur të isha një kafshë, por as donin t’ia dinin. Me shkelma e grushte më nxorën dhe nëpër shkallë ku më mbeti njëra këpucë ju thashë: “More Ismail Kadare, o kriminel, o mik i Mehmet Shehut e Enver Hoxhës që ke në duar gurin dhe arën.” Njerëzit e komshinjtë si Dritëro Agolli, besoj se e kanë dëgjuar dhe parë nga penxheret gjithë këtë skandal?! Ismaili më përgjigjej: “Vazhdo, vazhdo të shikosh se ç’do të bëj.” Më mbajtën në rajon të policisë numër 3 gjithë natën, duke më bërë presione: “Ti, një copë shitëse kërkon të bësh krushqi me I. Kadarenë. Po vazhduat do shikosh se ç’do t’ju bëjmë, burg ose internim do të keni. E more vesh.” E bjer ku të dhemb. Në mëngjes më liruan, shkova në shtëpi, u përqafova me fëmijët e mi, të cilët dhe ata tërë natën s`kishin fjetur.
Dy ditë pas atij takimi në shtëpinë e Kadaresë më erdhi thirrja për në gjyq, ku akuzohesha se kisha dhunuar banesën e deputetit dhe shkrimtarit të madh. Kadare, do të përdorte kundër nesh jo vetëm emrin, por dhe miqtë e tij me pozitë, duke filluar që nga drejtori i Policisë së Tiranës, Hajredin Shyti, Komiteti i Partisë, e deri tek ministri i Brendshëm, Hekuran Isain, për të përfunduar në majën më të lartë të shtetit shqiptar, tek çifti Hoxha. Akuza që më bëhej ishte ajo e “fyerjes” së deputetit. Më dënuan me punë korrektore për 11 muaj, duke më mbajtur gjysmën e rrogës.
Kadare kishte urdhëruar që të më fusnin në burg, por shpëtimi më erdhi nga një letër që i drejtova Enver Hoxhës. I shkruajta se çfarë po më bënin mua vetëm sepse isha nëna e Renatos, djalit që dashuronte me gjithë zemër vajzën e Kadaresë dhe pas kësaj ai ndërhyri. Duke e parë se ishte një dënim i padrejtë, Enver Hoxha i dha urdhër Aranit Çelës, kryetarit të Gjykatës, dhe ai e uli dënimin në 3 muaj.
Kështu u ktheva prapë në punë, në dyqanin ushqimor ku unë punoja. Por Ismail Kadareja nuk u kënaq me kaq. Djalin ma përjashtuan nga shkolla, ndërsa e thërrisnin në polici e në hetuesi herë pas here, duke e sharë edhe para vajzës, të dashurës së tij. E rrihnin në mënyrë të pamëshirshme dhe me fjalët më banale: një këmbë ia vinin në bark me ato këpucë që i mbanin me gozhda, e me këmbën tjetër i binin në kokë, duke e gjakosur. “More rrugaç, do heqësh dorë ti nga kjo vajzë, apo do që të të bëjmë të vdekur”. Vajza e shikonte dhe vetëm qante, duke thënë: “Nuk më vjen më zor, se unë e dua!”.
Renato në ditët e sotme