Prej më shumë se 15 vjetësh, emri i Dritan Rexhepit në vendin tonë, fillimisht, dhe më pas nëpër Evropë është kthyer shpesh në kryefjalën e ngjarjeve që lidhen me botën e krimit.
Arratisja e parë, pas dyshimeve dhe akuzave të para e deri ditën e djeshme ku një gjykatë në Firence e ka dënuar në mungesë me 20 vjet burg për trafikimin e mbi 6 tonëve kokainë, e ka kthyer emrin e tij, një prej personazheve më të pabesueshme të botës së krimit ndërkombëtar.
I konsideruar që në krye të herës një vrasës me pagesë, që ka të bëjë me kohën e hershme të tij, më pas një mjeshtër të arratisjeve spektakolare nga një sërë burgjesh dhe në fund në atë që njihet si mbreti i trafikut ndërkombëtar të kokainës.
I konsideruar si personi që modifikoi rrjetin, duke e unifikuar në një dorë, Dritan Rexhepi, përflitet nga mediat prestigjioze të botës si një prej kokave më të mëdha dhe të fuqishme të këtij trafiku, që niset në Amerikën Latine, hyn në dy portet kryesore të Evropës, që ka rrjetin e shpërndarjes në një sërë shtetesh të fuqishme të BE-së dhe më pas fitimet kalohen e pastrohen ne Malin e Zi dhe Shqipëri.
Italianët e hetimit dhe gjykimit pretendojnë se i kanë dhënë fund një linje të fuqishme në shtatorin e 2 viteve më parë, kohë kur edhe ia arritën të hapnin bisedat nëpër telefonat me kode të veçanta, ndërkohë që ia arritën të vinin në pranga një numër të madh personash. Por, Dritan Rexhepi ishte në burg, në Ekuador, vend nga i cili ai vijonte të drejtonte trafikun e drogës, për shkak të korruptimit jo vetëm të sigurisë së burgut në të cilin u vendos, por madje duke ia arritur të merrte edhe dy portet-porta kryesore nga ku do të kalonin anijet me kokainë që vinin prej vendeve të Amerikës së Jugut.
I riu nga Vlora u lirua në janar 2022 në Ekuador dhe megjithëse iu ndalua dalja jashtë vendit, ka arritur të humbë gjurmët. Karteli shqiptar i drogës, i drejtuar nga Rexhepi importonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut dhe Ekuadori, drejt Italisë e rajonit të Toskanës. Hetimet për këtë aktivitet nisën në vitin 2015, duke çuar në sekuestrimin e 5 milionë e gjysmë euro e rreth 6 tonë kokainë. Për hetuesit italianë karteli shqiptar i kokainës ishte paralelisht e barabartë me rrjetet e mëdha të drogës amerikano jugore. Në paketat e kokainës që trafikoheshin nga Amerika Latine në Evropë për llogari të grupit, vulosej logoja “Bello”. Ky rrjet kishte degëzime të shumta në vendet Holandë, Ekuador, Austria, Zvicër, Francë, Norvegji, Turqi, Gjermani e Belgjikë e me një kapital të madh financiar në dispozicion.
Anëtarët e këtij karteli, sipas policisë italiane, janë autorë të aktive të dhunshme ndaj rivalëve apo shpërndarësve që shkelnin rregullat në konkurrencën e tregut të narkotrafikut. Në një nga fazat e hetimit, autoritetet italiane arrestuan 84 persona brenda vendit, ndërsa ndaluan bashkëpunëtorët e grupit në Holandë, Ekuador, Gjermani, Zvicër e Britani të Madhe.
j.l./ dita