I kërkuan t’i puthë këmbët sulltanit, ai u përkul, por… Historia e Çelo Picarit në vargje

0
Gjigandi

 

Nga Arben Duka, 1956-2021

Botuar në DITA

Te divani i Sulltanit,
S’kish më vende, njerëzit mal
Mbledhur nga i gjithë Stambolli,
Pashallarë e gjeneralë

“U thirra – u tha Sulltani,
Sot të gjithëve në divan,
Ta marrë vesh Çelo harbuti,
Jam apo nuk jam sulltan!

RonaTyra

Aferim, – vazhdoi Sulltani,
Fermanin nuk e tradhtoj,
S’e kam thirrur që ta vras,
Po vetëm ta turpërojë…”

Pa pritur në prag të derës,
Tellalli bërtiti fortë:
“Mbërriti Çelo Picari,
Me dymbëdhjetë picarjotë”

Herë nga Çelo, herë sulltanin,
Zemërngrirë të gjithë shikonin,
I pari foli Veziri:
“Hajde Çelo, bëj zakonin”

Çelua ktheu shumë ngadalë:
“Jemi sot në vend të huaj,
Të na falësh lartësi,
Nuk e dimë zakonin tuaj”

Ashpërson zërin veziri,
I thotë Çelo kapedanit,
që të ulet e të puthë
të dy këmbët e Sulltanit.

“Urdhëroi Perëndia,
E thotë edhe Padishaj,
Betohu për gjysëm-hënën,
dhe për gjithë tokën e saj.

Nga Picari në Stamboll,
Nuk të kemi thirrur kot,
Në gjunjë thuaji Sulltanit,
Vetëm ty të njoh për zot”!

Edhe kur u ul veziri,
Çelua prapë në këmbë mbeti,
Nuk iu drodh qime nga mjekra,
Por iu ndezën sytë si deti:

“Zakonet i dua shumë,
Po kini zakon të rëndë,
Frymën time më të fundit,
Dua që ta jap në këmbë…

Ti më pyet a njoh Sulltanin,
Për të parin zot të botës?
Do ta them, mos ki merak,
Pasi të bëj benë e tokës…”

Zbathi opingën i pari,
Mbi qilim ra baltë Picari,
Nxori dhe një qeskë nga gjiri,
Sa i shqeu sytë veziri…

Çelua baltë nga qeska nxori,
Para këmbëve e hodhi,
U skuq qilimi i Persisë,
Nga balta e Labërisë:

“Ja vezir, betohem sot,
Këtë baltë unë njoh për zot,
Për këtë nuk turpërohem,
Para saja gjunjëzohem

Ja sulltan, për këtë tokë,
Se ç’m’u zbardh e shkreta kokë,
S’lufton Çelua me hilera,
Nuk di Çelua bé të tjera.

Unë puth tokën e Vatanit,
Dhe jo këmbët e Sulltanit,
Këtë tokë që bukë më dha,
E kam nënë edhe baba…”

U përgjunj plaku me huqe,
Dhe puthi baltën e kuqe…

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu