Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në spitalin e Pejës në Kosovë, ku një foshnje e porsalindur pa shenja jete është futur bashkë me çarçafë në një lavatriçe.
Denoncimin e kanë bërë familjarët, të cilët u shokuan kur morën vesh lajmin se foshnja lindi pa shenja jete, por edhe kur kërkuan trupin e pajetë, nuk kishin mundur që ta merrnin me vete për t’i kryer nderimet e fundit.
Babai tha se një punonjës i sigurimit i tha që të birin ia kishte parë duke ia mbledhur copa-copa nga lavatriçja.
Pas refuzimit për t’i dhënë trupin e pajetë të foshnjës, menjëherë kanë shkuar dhe kanë denoncuar rastin në Polici. Deri më tani familja pretendon se nga pakujdesia, foshnja e pajetë mendohet se është futur bashkë me çarçafë në makinën për larjen e rrobave të spitalit. E gjatë proceseve, mendohet se është shpërbërë në disa pjesë.
Nëna e foshnjës ka lindur fëmijën e saj në javën e 32-të, për shkak të problemeve shëndetësore. Lindja është kryer me operacion dhe foshnja ishte nxjerrë i vdekur Pas operacionit raportohet se foshnja është vendosur në hapësirat brenda sallës, dhe ndërkohë ishte ngatërruar me çarçafët.
Lajmi është konfirmuar nga autoritetet kosovare, ndërsa sipas mediave është zbuluar vetëm pasi prindërve iu refuzua kërkesa për të marrë trupin, duke i detyruar të bënin denoncim.
Lidhur me këtë rast Spitali i Pejës ka njoftuar mbrëmë se janë pezulluar shtatë punonjës. Telegrafi shkruan se në mesin e shtatë të suspenduarve janë katër mami, pastruesi dhe dy sanitare.
“Spitali i Përgjithshëm në Pejë me qëllimin që të bëjë hetime të papenguara dhe të detajuara për këtë rast deri më tani ka suspenduar 7 punonjës të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe është duke zhvilluar procedurat disiplinore me qëllim të zbardhjes së tërë rastit”, thuhet në njoftim.
j.l./ dita