Dr. Ylber Jani, Dibër
Para ca ditësh ndërroi jetë profesori, pedagogu, intelektuali i vërtetë, ikona e enciklopedisë mjekësore gjithëshqiptare. Fjalët janë pak, por kujtimet dhe malli për figurën e profesorit janë dhe do te mbeten të paharruara. Figura e profesor Ahmet Kamberit do te mbetet gjithmonë e freskët në kujtimet e qindra mjekëve, specialistëve-kardiologë, doktorantëve dhe studentëve të mjekësisë nga te gjitha trojet shqiptare, punëtorëve shëndetësorë, pacientëve të panumërt, miqve, shokëve dhe të gjithë atyre që e njohën profesorin. Energjik i vendosur, punëtor i palodhshëm, vizionar dhe i guximshëm. Për njerëzit si profesor Ahmeti thuhet se kishin për se të lindnin. Të tillët nuk vdesin tërësisht, jo vetëm për atë se lanë pasardhës, por edhe për atë se ç`bënë, ç`punuan dhe çfarë veprash kanë lënë pas vetes. Sa e sa jetë të fituara nga puna e palodhshme dhe shumë profesionale në spitalin e Peshkopisë. Profesor Ahmet Kamberi do të vazhdojë të mbetet në kujtesën e brezave të tërë të pacientëve të cilët patën fatin të mjekohen nga dora dhe mendja e tij. Vizioni i qartë dhe i guximshëm për zhvillimin e shëndetësisë shqiptare, sa e sa programe shëndetësore te ideuara dhe te realizuara nga profesori si ministër i shëndetësisë, përkushtimi dhe puna e palodhshme ishin karakteristika e veçantë e tij, e cila mbetet në kujtesën e shumë profesionisteve shëndetësor, miqve dhe shokëve. Një profesionist i tillë si prof. Ahmeti, shumë i përkushtuar, do të mbetet në kujtesën e qindra e qindra studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë, specializantëve, doktorantëve nga të gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë. Çfarë krenarie! Sa patriotike dhe madhështore vepra që la pas për të gjithë ne që patën këtë fat te jemi studentë, specializantë dhe doktorantë të profesor Ahmetit.
Koha jep dhe merr. Shoqatës së kardiologjisë shqiptare koha i dha një kontribuues shkencor ekselent. Sa e sa artikuj shkencorë, referime të profesor Ahmetit pasuruan bibliotekën e shoqatës, një kontribut shkencor me shume vlera, udhërrëfyes shkencor për brezat e ardhshëm të punëtorëve shkencorë. Sa e sa recensione të artikujve shkencorë në kongrese evropiane të kardiologjisë nderuan kardiologjinë shqiptare fale kontributit shkencor të profesor Ahmetit, çfarë krenarie dhe madhështie për kardiologjinë shqiptare.
Do të mund thoja edhe shumë e shumë fjalë dhe përjetime të tjera, edhe personale, si specializant dhe doktorant i tij, për profesorin tonë të dashur, sepse ai i meriton ato.
Ndonëse nuk është e lehte që një jetë tillë aq e pasur, dinamike dhe shumë frytdhënëse të përshkruhet me një shkrim modest, jeta dhe veprat e tij me siguri që do të mbushin edhe faqe të tjera të shkruara në të ardhmen edhe nga kolegë, miq dhe shokë të tjerë të cilët do t’i ofronin opinionit dhe sidomos brezit të ardhshëm të mjekëve informacione edhe më të detajuara për kontributin e tij të gjithanshëm ku padyshim shëmbëlltyra e tij si mjek, pedagog, shkencëtar dhe intelektual do të mbeten në përjetësi tek të gjithë ata studentë, mjekë, specialistët-kardiologë, punëtorë shkencorë, të cilët patën fatin ta njohin për së afërmi figurën emblematike të profesor Ahmet Kamberit.
Të qoftë dheu i lehtë, profesori dhe miku im i shtrenjtë. I përjetshëm qoftë kujtimi për Ty. Prehu në qetësinë e parajsës i dashur dhe i paharruar miku im!