Shkencëtarët thonë se pësimi i një goditjeje në tru mund të dyfishojë rrezikun për t’u prekur nga demenca, prandaj u bëjnë thirrje njerëzve për të promovuar stile të shëndetshme të jetesës, në mënyrë që të reduktohen mundësitë për një goditje të tillë.
Një ekip studiuesish nga Universiteti i Exeterit ka analizuar të dhënat mbi goditjet dhe rrezikun e demencës nga 48 studime të ndara, që përfshijnë rreth 3.2 milionë njerëz në mbarë botën. “Kemi zbuluar se një përjetim goditjeje rrit rrezikun e demencës me rreth 70 për qind, ndërsa rastet e fundit tregojnë se ky rrezik është dyfishuar apo edhe më shumë”.
Duke parë shpeshtësinë e ndodhjeve të goditjeve dhe demencës, kjo lidhje e fortë mes dy ngjarjeve është një gjetje e rëndësishme. Presioni i lartë i gjakut (hipertensioni), diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare janë që të gjitha faktorë rreziku për goditjet në tru dhe që të gjitha mund të parandalohen potencialisht apo edhe të trajtohen.
Dihet gjithashtu dhe është thuajse e pranuar, se normat e demencës dhe goditjeve në tru janë më të ulëta te njerëzit me një stil aktiv jetese, që konsumojnë dieta të shëndetshme dhe ruajnë një moshë trupore të pranueshme. Të qenit mbipeshë shton rrezikun e pësimit të një goditjeje ishemike me 22 %, ndërsa obezët kanë një rrezik prej 64 % për t’u prekur.
Autorët theksojnë gjithashtu se shumica e njerëzve që kanë pësuar një goditje nuk pësojnë menjëherë edhe demencë. Mendohet gjithashtu se rreth një e treta e rasteve të demencës janë të parandalueshme.