Policia e Kukësit ka arrestuar një 19-vjeçar i cili theu masën e sigurisë “arrest shtëpie” të caktuar nga GJKKO.
I riu Gerald Metallari u kap duke udhëtuar me automjet dhe brenda makinës u gjet kanabis dhe një shkop bejsbolli.
Ndërsa u proceduan në gjendje të lirë 2 pasagjerët që ishin në automjetin që drejtonte i arrestuari.
Njoftimi i policisë:
Procedohen në gjendje të lirë 2 pasagjerët që ishin në automjetin që drejtonte i arrestuari.
Në kuadër të patrullimeve 24/7, të mbështetura nga inteligjenca policore, në të gjithë territorin e qarkut, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës kanë ndaluar për kontrolle, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin Gerald Metallari dhe ku ishin pasagjerë shtetasit S. C. dhe F. Sh.
Si rezultat i kontrolleve në këtë automjet, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Kufizimi”, u gjetën një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një shkop bejsbolli, që u sekuestruan nga Policia, si provë materiale.
Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se shtetasi Gerald Metallari ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, të kryera në bashkëpunim, më shumë se një herë.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi Gerald Metallari, 19 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. C., 19 vjeç dhe F. SH., 18 vjeç, të tre banues në Kukës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
a.c./dita