Ministra e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka kundërshtuar nga Tirana qëndrimet e kryeministrit Rama në lidhje me Kosovën.
Gjatë një interviste të dhënë në përfundim të ministerialit të ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe BE, Gërvalla tha se duhet një bashkërendim më i mirë i veprimeve mes Prishtinës dhe Tiranës.
Ajo u shpreh kundër një konferencë paqeje për Kosovën, pasi konference të tilla bëhen për objekte dhe për subjekte që njihen në arenën ndërkombëtare.
Në lidhje me cilësimin e Ramës për veriun e Kosovës, si tokë e askujt, Gërvalla bëri thirrje për deklarata më të matura në lidhje me Kosovën.
“Nuk ka nevojë për konferenca paqeje, janë zhvilluar gjatë luftërave në Ballkan dhe atëherë e kemi parë që nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Nuk ka nevojë për konferenca të tilla ndërkombëtare. Kosova nuk është objekt, Kosova është subjekt. Për objekte që organizohen çështje për të zgjidhur çështjen, ndërsa Kosova ka subjektivitetin e saj. Si subjekt i barabartë i bashkësisë ndërkombëtare Kosova merr pjesë në të gjitha bisedimet multiaterale. Bëj thirrje që në vend të deklarimeve të pamatura që më shumë hapin probleme se sa që zgjidhin, duhej një koordimin dhe një bashkërendim dhe një bisedë më e sinqertë mes autoriteteve tona, në mënyrë që idetë t’i shërbejnë më shumë zgjidhjes së situatës se sa prodhimit të lajmeve”, tha Gërvalla.
o.j/dita