Një shkrepje ‘një në një milion’ e hënës nga një fotograf italian nga Torino është vlerësuar me çmimin “Fotografia e Ditës së Astronomisë” për Krishtlindjet 2023 nga NASA.
Valerio Minato bëri një foto magjike të hënës, të përafruar në mënyrë të përkryer me kupolën e Bazilikës së Superga në Torino dhe majën e Monte Viso, mali më i lartë në Alpet Cottian.
Fotografi zbuloi se idenë për këtë foto të veçantë e kishte në vitin 2017 dhe që atëherë filloi obsesioni i tij për të kapur hënën me tempullin dhe malin në të njëjtën foto. Ai madje zbuloi se iu deshën gjashtë vjet për të kapur foton perfekte.
Duke folur për gazetën Corriere Torino, Minato tha: “Kam fotografuar që nga viti 2012, fillimisht në Torino më pas në zonat përreth, për të treguar qytetin nga pika dhe poza të ndryshme. Në një moment fillova të kërkoja vendin për të pasur bazilikën Superga dhe Monviso në një linjë të përsosur. E pashë atë në vitin 2017 në një kodër 40 minuta larg me makinë dhe që atëherë jam fiksuar për t’i kapur të dy së bashku të përshtatur nga një trup qiellor.”
Minato studioi me përpikëri fazat e hënës, pozicionin e horizontit dhe motin deri në të dhjetën e shkallës për të shtënë.
Ndërsa disa përdorues të rrjetit vlerësuan punën e tij në faqen e tij në Facebook, disa të tjerë e akuzuan atë për përdorimin e fotomontazhit ose inteligjencës artificiale.
Ai u përgjigj duke thënë: “Nuk duhet të kemi më idenë se vetëm teknologjia mund të na befasojë. Ndonjëherë mjafton teknika, durimi dhe shpirti i vëzhgimit. Ne duhet të vazhdojmë në rrugën tonë, me besim se në komunitetin e fotografëve ka ende njerëz të aftë për të vlerësuar origjinalitetin. Një foto e kujdesshme dhe e përgatitur do të mundë çdo produkt artificial”.
a.c./dita