Kur u shpall kryeqytet, Tirana u përball me një kërkesë të madhe (por edhe problematikë) për strehimin. Qyteti kishte mangësi në godina për ambiente pune e strehimi për administratën.
Me një problematikë të tillë ishin përballur edhe më herët Vlora në 1912 dhe Durrësi në 1914.
Mungesa e godinave do të bënte që të kërkoheshin alternativa të ndryshme. Një nga zgjidhjet që do të shkaktonte jo pak diskutime, kritika e do të bëhej edhe objekt humori, do të ishte ajo e ndërmarrë nga Eqerem Bej Vlora në Durrës në vitin 1914.
Në atë kohë, Vlora ishte funksionar në ministrinë e Jashtme, në qeverinë e Princ Vidit – raporton gazetari Kreshnik Kuçaj i portalit Scan.
Në kujtimet e tij, Vlora shkruan se për të gjetur ambientet e ministrisë së Jashtme, shkoi të bisedojë me kryeministrin Turhan Pasha. Kërkesa ishte për 3-4 dhoma që do të shërbenin si zyra për ministrinë.
“Por ç’të shihja? Ai nuk dinte të thoshte as se ku do të ishte zyra e kryeministrit. Atëhere nuk i rashë më në qafë; kërkova disa ditë leje , shkova në Vlorë, mora me vete gjithë kompleksin tim të çadrave dhe erdha e vendosa në një shesh të bukur me pamje të gjerë në kodrën prapa shtëpisë së Esat pashës: tri çadra të mëdha për fjetje, secila me paradhomë, dhomë gjumi, banjo dhe sallon, pastaj tri çadra të mëdha pritjeje dhe ngrënieje, çadra për kuzhinë, për depo dhe për personelin shërbyes, shkurt një kompleks prej 14 çadrash të pajisura me të gjitha komoditetet e mundshme, gjer edhe me një central ndriçimi të vetin me acetilen.
Lajmi i ministrisë sime me çadra shkaktoi fillimisht në Durrës një valë kritikash plot humor, por më vonë, pas vizitave të para të punës të diplomatëve të huaj, filloi të qarkullojë mendimi se kjo ishte një zgjidhje praktike e vështirësive të strehimit” shkruan Vlora në kujtimet e tij.
Vidi ishte Princ i Shqipërisë për një periudhë 6 mujore, nga 7 marsi 1914 deri më 3 shtator 1914.
a.c./dita