Thonë që “dashuria kalon nga stomaku”. Merret me mend sa rëndësi ka kjo, kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe imazhin e saj.
Ndaj në evente të përmasave të tilla si Samiti i Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, gjithçka duhet të jetë jo vetëm e parapërgatitur në detaje, por edhe secili detaj më vete duhet të jetë autentik dhe sa më përfaqësues për vendin tonë.
Aq më tepër që vitin e fundit jemi përmendur shpesh nga të huajt jo vetëm për bukurinë e detit dhe të maleve, por edhe për cilësinë e gatimit.
Pritshmëritë kanë qenë me siguri të larta, ndaj me kuriozitet është pritur se ku do drekojnë miqtë e lartë europianë dhe kush do gatuajë për ta.
DITA ka mësuar se dreka e Samitit do bëhet në restorantin e njohur PADAM afër qendrës së Tiranës. Menuja do jetë me bazë peshkun dhe pijet do jenë vetëm shqiptare.
E gjithë dreka do jetë 100 përqind e përgatitur me produkte vendore dhe ‘mban firmën’ e një prej emrave më autoritarë të kësaj fushe në Shqipëri dhe jashtë saj. Kjo pjesë e rëndësishme e Samitit i është besuar mjeshtrit të njohur tashmë ndërkombëtarisht, Fundim Gjepali.
Shef Fundimit dhe ekipit të tij i ka rënë barra të bëj atë që shpesh nuk e arrin dot politika apo diplomacia: Të ‘zbusë’ dhe të ëmbëlsojë edhe ata që kanë ardhur me fytyrë të vrerosur apo zemër të hidhëruar në Tiranë
n.s. / ABC24.AL