Sefer Pasha ish-ushtarak dhe zyrtar i lartë i Gardës në vitet ’80 ka botuar në gazetën DITA një rrëfim dhe një foto të veçantë të ministres së jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Pasha, i cili sot merret me botime dhe publicistikë ka shërbyer në postën kufitare të Kakavijës, në marsin e 1982.
Më poshtë pjesë nga rrëfimi i tij që mund të lexohet i plotë në DITA:
“Një radiogram i shifruar dramatik na tronditi në Kakavijë atë fund dimri. Teksti i radiogramit me pak fjalë ishte ky. Tek porta e Kakavijës do të vijë nga Janina një personalitet. Të pritet me masa të jashtëzakonshme sigurie. Porosi e shokut Enver Hoxha”
U befasova. Radiogram me këtë përmbajtje nuk na kishte ardhur ndonjëherë. Në një takim në këmbë i informova kolegët për “bombën” e radiogramit. Më shikonin në sy.
Ndërsa lëvizja i menduar mbërriti nga Tirana komandanti i pikës së kontroll kalimit Agim Zhulegu. I kishin dhënë urdhër që ta ndërpriste lejën. E vura në dijeni për radiogramin. “Kush i ha këto dokrra” – tha ai – “Ku ka kohë shoku Enver të merret me radiogramet”.
Unë nuk fola.
Disa orë më pas matanë telave me gjëmba ushtari grek ngriti flamurin e bardhë. Tek porta u afrua makina e ambasadës tonë në Athinë. Ishte ambasadori Ksenofon Nushi. Ai zbriti nga makina dhe bashkë bëmë disa metra në këmbë. “I keni marrë masat?- tha ai. Nesër në orën tetë do të vij porosia që nga Janina. Të keni kujdes pikat e larta nga territori grek. UDB mund të vendos snajpera dhe të na bëjnë gjëmën…”
Ksenofon Nushi u nis për në Gjirokastër. Mua m’u shtua konfuzioni. “Snajperat e UDB–së në taracën greke”?! Për çfarë po flet ky”, vrisja mendjen.
Rreth orës tetë, ushtari grek tek porta me tela ngriti sërish flamurin e bardhë. Aty ndaloi një makinë e ambasadës tonë në Athinë. Tok me Agim Zhulegun hapëm portën menjëherë. Makinën e ambasadës e ngiste një nga diplomatët në Athinë, Asaf Hadëraj.
Me ta kaluar portën zbritën nga makina një grua me tre fëmijë. Unë ecja praptazi, bëja detyrën. I mbuloja fëmijët me trupin tim dhe sytë nuk i ndaja nga tarraca e grekut. U drodha kur djali u shkëput nga e ëma dhe këputi dy lule marsi tek Pusi i Vezirit. Nga shkallët e doganës nëna i tha: – Premton! Çfarë ere mbajnë lulet? Djali e pa në sy dhe ajo shtoi: – Lulet mbajnë era atdhe!
Pastaj gruaja me të tre fëmijët u fut në zyrën tonë sa një qymez pulash, ku e prisnin oficerët e Zbulimit dhe punonjës të Ministrisë sonë të Jashtme.
– Çfarë emri t’i vëmë kësaj – i thashë Agim Zhulegut. Ai u fut brenda dhe doli shpejt që andej. Nuk mësova ndonjë gjë të hajrit tha i nervozuar. Ajo gruaja e ka emrin Zana.
Pas pesë minutash Asaf Hadëraj u nis drejt Tiranës me gruan dhe tre fëmjët. Informuam në radio se “porosia” e kaloi portën e klonit. Pak më vonë Agim Zhulegun e kërkuan urgjentisht në telefon nga Ministria. Kur u kthye kishte lotë në sy. Unë u bëra akull…
Për habinë time Agimi filloj të recitoj:- /Lule, lule. Ç’fat paski pasur/ /Gjithmonë të njoma të ndërroni jetë/ /Sa më të bukura që të jeni rritur/ /Vdekja ju vjen shpejt/. Të kujt janë këto vargje më pyeti ai. Të Isuf Gërvallës i thashë pa ndonjë habi. Mbete fshatar mu kthye Agimi. Isuf i thonë në Mallakastër. Kurse në Kosovë shkruhet Jusuf. Gruaja që përcollëm së bashku me fëmijët ishte gruaja e Jusuf Gërvallës…
Ajo që tha Agim Zhulegu qe një tërmet për mua. Mu duk sikur lumi i Drinos u kthye nga udha dhe po ngjitej për tek Qafa e Kakavijës. Jusuf Gërvalla ishte vrarë 60 ditë më parë, më 17 janar 1982 në lokalitetin e Untergruppebach të Shtutgardit të Gjermanisë. Jusufi qe së bashku me të vëllanë Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën.
Për tragjedinë e Jusuf Gërvallës i gjithë shteti shqiptar qe ngritur në këmbë. Ne na thanë që Jusuf Gërvalla i plagosur rëndë i pëshpëriti policisë gjermane: – “E ka bërë UDB -ja”.
Fjalët e fundit të Jusuf Gërvallës i vërtisja tani si rrath cikloni pa i ndarë sytë nga tarraca e doganës greke. Unë për figurën e Jusuf Gërvallës jepja leksione. Jusufi qe udhëheqës ushtarak, politikan, filozof, shkrimtar, poet, muzikolog, eseist i talentuar. Motivi i veprës së Gërvallës përshkohej nga vargu profetik: – “Pak frymë njeriu e pak dritë qiriri”.
Gjithçka po më kristalizohej. Ministria e Jashtme me porosi të Enver Hoxhës nëpërmjet Zbulimit të Jashtëm paska sjellë nga Gjermania familjen e Jusuf Gërvallës mërmërita.
Familjen Gërvalla e kishte pritur në shtëpi në Athinë bashkëshortja e Asafit, Rexhina Kallabaku. Meqënse Rexhina ishte me origjinë nga Kukësi ajo i gatoi mikeshës së re dhe fëmijëve të saj ushqime tradicionale si në Kosovë. Edhe vet Rexhina ishte zbuluese. Nga që i ruhej përndjekjes së UDB -së Rexhina gjatë drekës në shtëpinë e saj dhe në takimet e tjera ajo mikeshës nuk i thirri kurrë Zana Gërvalla. As fëmijëve. Dyshonte se mos zbulimet e huaja kishin vënë përgjues edhe në ambjenet e shtëpisë. U fliste me emrat që i kishin në pasaportat diplomatike të përgatitura nga Zbulimi i Jashtëm.
Asafi i kishte të fiksuara pseudonimet si të Zana Gërvallës dhe të fëmijëve të saj. Vetëm tek Pusi i Vezirit në territorin shqiptar ajo i foli të birit në emër: – Premton!
****
E kam takuar Agim Zhulegun vetëm një herë kur kishte triumfuar demokracia. E kujtuam dhe ditën kur pritëm gruan e Jusuf Gërvallës me fëmijët në Kakavijë. Agimi më kujtoi “klonin me kapele”.
Ndodhi natën kur ne nuk dinim se kush qe “porosia” që do të vinte nga Greqia. Atë mëngjes kuadrot në takim raportuan për të rejat nga shërbimi. Gjatë takimit Delo Hodaj tha një gjë që ne e quajtëm lajthitje. Ai qe me shërbim ngjitur tek porta me tela. Pas mesit të natës kishte parë tek kishëza e vogël, ku bënin kryqin e ndiznin qirinj kufitarët grekë, një burrë të gjatë me kapele. Delua këmbënguli se ishte Kadri Hazbiu. E njihte mirë se që të dy ishin nga Lumi i Vlorës.
Sipas raportimit që bëri ai tha se Kadri Hazbiu me dy civilë të tjerë u dhanë dorën disa ushtarakëve grek dhe u futën në pyll në kufirin midis dy shteteve. Një orë më vonë u dha sinjali kalesë kufiri në pengesën e klonit po në sektorin e Kakavijës.
U verifikuan gjurmët në klon dhe u dha informacioni se kishim të bënim me kalesë kufiri nga jashtë brenda. U gjet dhe një kapele e varur në telat me gjëmba të klonit. Mbërritën edhe ekspertët nga dega e brendshme e Gjirokastrës. Vajti dhe Delo Hodaj. Ai tha se këtë kapele e kishte Kadri Hazbiu në çastet kur u fut në pyll. Askush nuk e besoi.
Ekspertët kapelen e përcollën për në Tiranë. Sipas Ilia Zhulatit historinë e kapeles ia thanë dhe Kadri Hazbiut. Ministri kishte thënë: “Po! Ajo kapele e varur në klon është e imja. I vura forcat e kufirit në provë”.
Në fakt po përgatitej ardhja në Shqipëri e familjes së Jusuf Gërvallës.
Më vonë për famijen e Jusuf Gërvallës nuk kam shfaqur ndonjë interes. U kujtova kur pashë në lajme se vajza e Jusuf Gërvallës, Donika, ishte bërë Ministre e Jashtme në qeverinë e Albin Kurtit.
Si njeri i letrave në vitet e demokracisë nuk jam preokupuar kur në një gazetë të përditshme e shoqja e Jusuf Gërvallës, Zana, kishte dhënë intervistë kundër Enver Hoxhës. E lexova intervistën dhe rashë në mendime. Përse sakrifikova aq shumë në vitet e socializmit, i thashë vetes?
Kur përcolla për në Greqi në një rast gruan e shpikësit të penicilinës, Flemingut, ajo tek porta me tela më tha që duhet t’i zhduknim telat me gjemba. Nuk i ktheva përgjigje. Unë jepja “çmime” për ata që bënin shpikje për sofistifikimin e pengesës elektrosinjalizuese të klonit.
Ata kishin një ligj lufte me ne, ende në fuqi. Ishim të detyruar të mbroheshim me tela me gjemba dhe me topa. Pranë pjatës me fasule mbanim të mbushur granatat e dorës dhe kallashnikovët. Nuk kishim rrugë tjetër. Posta kufitare Kakavijë strehohej në 700 metra tunel. Asnjë kufitar nuk fliste me zë të lartë. Askush nuk e zgjaste kokën nga muri rrethues i kalasë. Edhe pse në dhomën e kulturës kishte fizarmonikë, klarinetë, çifteli, daulle e mandolinë atyre askush nuk u binte.
***
Shënimet në ditar i kam mbajtur më datën 31 mars të vitit 1982. Pra, një ditë më vonë. Familja e Jusuf Gërvallës ka ardhur në Kakavijë në orën 8 të datës 30 mars. Kur e shfletova ditarin e vitit 1982 më erdhi për të qeshur. Nga që oficeri i Sigurimit të Shtetit Ylli Mitra, që mbulonte kundërzbulimin na mbante nën vëzhgim, unë në ditarin e datës 31 mars nuk e përmend emrin e Zana Gërvallës. Për të qenë brenda shkruaj: – “Ajo kosovarja…..”. Asnjë sekret nuk duhet as të hynte dhe as të delte nga porta me tela me gjemba. Ishte jetë mbi bajoneta…
—-
Shënimi i plotë i autorit Pasha mund të lexohet në gazetën DITA versioni print në kioskat e shtypit në të gjithë vendin. Mbi raportet e patriotit Jusuf Gërvalla me Enver Hoxhën mund të lexohet më shumë duke klikuar KËTU