Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në ambientet e një kopshti privat në Tiranë.
Në redaksinë e emisionit “Stop” ka denoncuar një prind, i cili pretendon se vajza e tij është dhunuar brenda kopshtit privat “Stinët” në rrugën “Kushtrimi i lirisë” në kryeqytet.
Ngjarja ka ndodhur në datën 1 Nëntor 2023 dhe si pasojë, e vogla është me këmbë të thyer.
Majlinda Dehima është edukatorja që punon në kopshtin privat në zonën e Ali Demit.
Ende nuk është e qartë se si ka ndodhur ngjarja e rëndë, por nga pamjet filmike të sekuestruara pas denoncimit të familjarëve, është vërejtur dhuna që kjo edukatore ka ushtruar ndaj të miturës me një vizore.
Në disa media është publikuar dhe video kur edukatorja në fjalë, gjuan 3-vjeçaren dhe kjo e fundit mban këmbën me dorë.
E mitura është transportuar në spital pas orës 15:00, i është nënshtruar një ndërhyrje urgjente pasi thyerja ishte në gradë të rëndë dhe këmbën aktualisht e ka në allçi.
Ende pritet një zbardhje e plotë e rrethanave të ngjarjes për të kuptuar se si e mitura përfundoi në atë gjendje.
Prindërit e vajzës janë njoftuar nga kopshti në orën 15:00 kur dyshohet se dhuna ndaj të miturës ka ndodhur rreth orës 10:20 të mëngjesit.
Denoncuesi: Ka qenë data 1 Nëntor 2023. Vajza u çua nga ime shoqe në orën 8 e 20 dhe ne ikëm në punë siç çdo ditë. Kur e çuam vajzën në mëngjes ishte në rregull, si çdo ditë tjetër. Në orën 3, njoftohet nusja që “hajde merre vajzën sepse ka dhimbje tek këmba dhe po grindet, diçka e ka pickuar”.
Nusja niset direkt dhe kur mbërrin aty, goca ishte futur poshtë një tavoline. Këmba ishte e enjtur dhe ishte fryrë sa koka e vajzës. Nusja kishte ndeshur edukatoren dhe drejtoreshën të cilat po e prisnin duke qarë. Thoshte me veten e vet se “çfarë i kam bërë unë vetes”. Nusja nuk e pati mendjen në ato momente se çfarë po ndodhte me edukatoren, por pa edhe drejtoreshën duke qarë dhe drejtoresha i tha që “hajde të hipim në makinë dhe ta çojmë direkt në pediatri”
j.l./ ABC24.AL