Foto/ Boga e Rugovës, pika turistike që ia vlen ta vizitosh në çdo stinë

0
Gjigandi

Rugova, konsiderohet një prej vendeve me natyrën e pamjen më të bukur në Kosovë.

Rugova fillon nga Kisha e Pejës, ka rreth 33 km me gjithsej 15 fshatra dhe është regjioni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si Alpet shqiptare. Që në vitin 2013 u shpall Park Kombëtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Kujtojmë se në këtë fshat, është bërë xhirimi i një pjese të filmit gjermano-jugosllav,”Der Schut”, po ashtu është xhiruar edhe filmi i bukur artistik “Bjeshkët e Nemuna”.

RonaTyra

Rugova është vend i përshtatshëm për alpinizëm, bjeshkatari, skitari, ngjitje në shkëmbinj, lëshim me parashuta, piknik me familje dhe radhitet si qendra e katërt kryesore për sporte dimërore nga Federata Ndërkombëtare e Skitarisë. Maja më e lartë është Hajla, (2403 m) por rëndësi dhe interes paraqet edhe Qafa e Qyqes, nga e cila mund të soditet i tërë qyteti i Pejës.

Me të filluar rruga për në Rugovë, të mahnitin bjeshkët e shumta që kanë forma nga me të ndryshme, që gjenden buzë rrugës, e që tregojnë se ky vend më tutje ka edhe më shumë për të treguar.

Gjatë rrugës shihen shumë vetura të cilat kanë destinacion këtë vend. Një pjesë ndalen në disa restorante të bukura që janë buzë rrugës, disa preferojnë të shkojnë në ndonjë rrugicë më të ngushtë për të parë pjesë të bjeshkëve që më rrallë janë të frekuentuara. Ndërsa pjesa më e madhe kishte destinacion fshatin Bogë. Ky fshat është rreth 29 kilometra nga qyteti i Pejës.

Kur arrin në këtë fshat piktoresk e kupton pse turistët e zgjedhin këtë vend për të pushuar.

Boga të jep një ndjenjë miqësore, dhe pothuajse të gjitha objektet e kësaj qendre janë të vendosura në një vend të përbashkët. Lartësia mbidetare e saj është mbi 1500 metra. Udhëtimi për në Bogë ditët e sotme nuk është i vështirë, pasi rrugët janë të pastruara dhe është investuar shumë në to.

Aty ka me dhjetëra shtëpiza dhe bujtina që janë ndërtuar për të pritur vizitorët, por ka edhe shtëpia të njerëzve që jetojnë në atë fshat. Ndërtimi i hovshëm i shtëpive në këtë fshat ka filluar që nga viti 2005.

Pronarët e shumë bujtinave tregojnë se mangësia e vetme është që nuk ka një plan të ndërtimit të shtëpive sa i përket aspektit të planifikimit.

Banorët e kënaqur me ardhjen e vizitorëve

Vizitorët e shumtë që shkojnë në Bogë, gëzojnë banorët e këtij fshati. Ata thonë se përfitojnë nga vizitat dhe se janë të kënaqur me produktet që shesin. Ata më së shumti shesin mish dhe produkte të qumështit, por edhe frutin e veçantë të boronicës.

Gjithashtu ata fitojnë edhe nga lëshimi i shtëpive me qira dhe përgatitja e ushqimit vizitorët, një fli në tepsi të madhe me mazë të deleve kushtonte 25 euro.

Kostot e qëndrimit

Çmimet janë të ndryshme, varësisht nga vendi dhe hapësira. Por në përgjithësi çmimi sillej nga 30 deri në 50 euro për një natë. Tek njera ndër bujtinat më të frekuentuara një natë kushtonte 50 euro.

Por me këto çmime hapësira është e madhe. P.sh mund ta marrësh një shtëpi me dy dhoma gjumi dhe me kuzhinë për 50euro. Por banorët thonë se çmimet e akomodimit rritën gjatë sezonit të dimrit për shkak të shpenzimeve për ngrohje, ku një natë kushton 90-100 euro.

Ndërsa sa i përket ushqimit ka alternativa, dikush preferon që ta marrë me vete furnizimin, dikush tjetër vendos të konsumoj vaktet tek hoteli ku qëndron.

Boronicat

Vizitorët e shumtë të cilët shkoni në Bogë, destinacion të cilin nuk e harronin ishte ngjitja në malet ku mund të mblidhje boronica. Të shumtë ishin turistët që për një orë apo një orë ë gjysëm ngjisnin malin për të arritur tek boronicat, e më pas t’i konsumonin ato.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu