Financoi protestat anti-qeveritare në Bjellorusi, fituesi i Nobelit për Paqen rrezikon deri në 12 vjet burg

0
Gjigandi

Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Byalyatski doli para gjyqit në Bjellorusi të enjten, duke rrezikuar dënimin deri në 12 vjet burg në një rast që aleatët e tij e shohin si ndëshkim politik për punën e tij për të drejtat e njeriut.

60-vjeçari, i cili bashkëthemeloi grupin e të drejtave të njeriut “Viasna”, është një nga qindra aktivistët bjellorusë që u burgosën gjatë shtypjes së dhunshme të protestave antiqeveritare që shpërthyen në verën e vitit 2020.

Zoti Byalyatski, i cili në tetor ndau Çmimin Nobel për Paqe me grupin rus të të drejtave të njeriut “Memorial” dhe Qendrën e Ukrainës për Liritë Civile, u arrestua në vitin 2021 së bashku me dy bashkëpunëtorë të organizatës “Viasna”.

Treshja përballet me dënime nga shtatë deri në 12 vjet burg për akuzat e financimit të protestave dhe kontrabandës së parave. Zoti Byalyatski nuk i ka komentuar publikisht akuzat dhe avokatit të tij i është ndaluar të zbulojë informacione për rastin.

Pamjet televizive nga salla e gjyqit treguan tre të pandehuerit të ulur në stola brenda një kafazi metalik, të lidhur me pranga dhe në heshtje ndërsa nisi procesi.

RonaTyra

Një aktivist i katërt i të drejtave të njeriut, që u largua nga Bjellorusia, po gjykohet në mungesë për të njëjtën çështje.

Organizata “Viasna” tha në rrjetin social “Twitter” se gjykatësi kishte refuzuar të zhvillonte gjyqin në bjellorusisht në vend të rusishtes dhe hodhi poshtë kërkesën e zotit Byalyatskit për një përkthyes. Gjyqi gjithashtu nuk mori në shqyrtim kërkesën për heqjen e prangave.

Rreth 30 persona, duke përfshirë diplomatë perëndimorë, shkuan në gjykatë porf shumica nuk u lejuan të hynin brenda.

Organizata “Viasna” luajti një rol udhëheqës në ofrimin e ndihmës ligjore dhe financiare për qindra bjellorusë të cilët u burgosën gjatë protestave masive që nisën kur udhëheqësi, Alexander Lukashenko, i cili është në pushtet nga viti 1994, pretendoi fitoren në zgjedhjet e vitit 2020.

“Akuzat kundër kolegëve tanë janë të lidhura me veprimtarinë e tyre për të drejtat e njeriut, ofrimin e ndihmës nga qendra e të drejtave të njeriut ‘Viasna’ për viktimat e persekutimit me motive politike”, u shpreh grupi përmes një deklarate.

Zoti Byalyatski dhe kolegët e tij konsiderohen si “të burgosur politikë” nga aktivistët e tjerë të të drejtave të njeriut. Ata thonë se në burgjet e Bjellorusisë mbahen rreth 1,500 të burgosur politikë.

Sipas tyre, që nga viti 2020, rreth 50,000 njerëz janë arrestuar për pjesëmarrje në protesta, ose pse kanë kritikuar autoritetet. / VOA

j.l./ dita

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu