Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me sulmin e pak muajve më parë në Uzinën e Gramshit, ku 2 rusë dhe një shtetas ukrainas tentuan të hynin brenda zonës ushtarake.
Gjatë tentativës për të hyrë në uzinën ushtarake, Dy rusët Mihhail Zorin e Zvetlana Timofevva si dhe ukrainasin Fedis Alpatov, u konfrontuan edhe me ushtarët që ishin në ruajtje të objektit, duke sulmuar dy prej tyre me lëndë kimike.
Ata akuzohen se fotografuan dhe hynë pa lejë në uzinën e armëve të Gramshit dhe se sulmuan dy ushtarë shqiptarë.
Mësohet se këtyre shtetasve iu janë gjetur pamje filmike të marra përmes dronit apo edhe telefonave. Ditët e fundit të udhëtimit të tyre në Shqipëri, tre të rinjtë kanë filmuar dhe objekte të rëndësisë së veçantë, si Reparti RENEA, pamje që u gjetën në aparatet fotografike.
Ajo çka mbetet e paqartë është se si këta 3 shtetas kanë ngritur dronin mbi një repart special, të rëndësisë së veçantë dhe nga ana tjetër ky mjet fluturimi nuk është pikasur. Po ashtu bëhet me dije se është duke u hetuar nëse turistët kanë pasur në fokus të filmimeve të tyre ndonjë efektiv të RENEA-s, apo programet e tyre stërvitore.
Gjithashtu bëhet me dije se janë filmuar edhe vilat e qeveritarëve në zonën e Dajtit.
Sipas hetimeve të deritanishme, është konstatuar se tre të rinjtë për minuta të tëra kanë filmuar çdo detaj nga vilat qeveritare, përmes droneve.
Dokumentimi i ngjarjes është ende në vijim e sipër, ndërkohë që pritet të Prokuroria të dalë me një version zyrtar në javët në vijim.
j.l./ dita