Fatkeqësitë natyrore që kanë prekur vendin tonë, si në rastin e tërmetit të 26 nëntorit apo edhe përmbytjet, kanë nxjerrë në pah një tjetër problematikë, si veprohet me dëmshpërblimet në rast se ndërtesa është pa leje.
Nisur nga kjo, në vendimin e sotëm të qeverisë janë përcaktuar qartë kushtet dhe kriteret që do duhet të plotësohen, me qëllim që të përfitojnë nga trajtimi i shtetit.
Së pari, pronarët e kësaj ndërtese që dëmtohet nuk duhet të kenë prona të tjera pa leje në emër të tyre. Në rast se kanë dhe dëmtohen të gjitha, atëherë përfiton vetëm banesën, që në datën e fatkeqësisë natyrore, përdorej si vendbanim i zakonshëm.
Së dyti, ndërtesa duhet të rezultojë në zonën që është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore dhe të jetë në proces legalizimi.
Organi përgjegjës për zbatimin e këtij vendimi do të jetë Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës evidenton në terren ndërtimet pa leje dhe verifikon, nëse për to është paraqitur kërkesë për legalizim. Kur rezulton se është paraqitur kërkesë, brenda të njëjtit afat, kryhet procedura e përjashtimit nga legalizimi dhe nisin procesi për dëmshpërblimin.
Kriteret
a) Ndërtimi pa leje të rezultojë i dëmtuar pas një fatkeqësie natyrore në një njësi të vetëqeverisjes vendore, ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore;
b) Ndërtimi pa leje të jetë përfshirë në procedurat e legalizimit dhe për të, të mos ketë përfunduar procesi administrativ me vendimmarrje për legalizim;
c) Ndërtimi pa leje të rezultojë me funksion banimi, gjatë evidentimit në terren që kryen ASHK, sipas ligjit;
ç) Individi ose familja të mos ketë ndërtim tjetër në pronësi apo më
shumë se një ndërtim pa leje me funksion banimi në proces
legalizimi, në njësinë e vetëqeverisjes vendore ku shpallet gjendja e
fatkeqësisë natyrore. Kur individi apo familja ka disa ndërtime në
pronësi apo në proces legalizimi dhe të gjitha ato dëmtohen si pasojë
e fatkeqësisë natyrore, atëherë përfiton vetëm për banesën, që në
datën e fatkeqësisë natyrore, përdorej si vendbanim i zakonshëm;
d) Ndërtimi pa leje plotëson kushtet e ndërtesës së dëmtuar, sipas pikës 12, të nenit 4, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të vërtetuar në bazë të aktekspertizës të organeve kompetente, sipas këtij akti normativ.
a.m/dita