Recep Tayyip Erdogan e ka të vështirë të përtypë manifestimin e disa personave kundër tij në Suedi. Presidenti i Turqisë i kërkoi qeverisë së Stokholmit që të ndërhyjë ndaj një proteste, të cilën e konsideroi një incident të turpshëm, për të shmangur tensionet e mëtejshme mes dyja vendeve.
“Për momentin, vizita e kryeparlamentarit suedez nuk do të zhvillohet. Nëse ata nuk ndërhyjnë për këtë situatë në Suedi, mund të tensionojë më tej marrëdhëniet tona me Suedinë,” u shpreh presidenti turk
Zemërimi i Erdogan erdhi pas publikimit të disa pamjeve nga i ashtuquajturi Komitet Suedez i Solidaritetit për Rojava, një referencë për rajonet kurde të Sirisë, ku shfaqej manekini i presidentit turk i varur nga këmbët.
Ky lloj manifestimi ndodhi jashtë bashkisë së Stokholmit dhe të pranishëm ishin disa njerëz. Lidhur me incidentin, Turqia, vend anëtar I NATO-s, thirri për sqarime ambasadorin e Suedisë.
Kjo vjen si një goditje e rëndë për qeverinë e Stokholmit, e cila prej muajsh po negocion me Ankaranë për të zhbllokuar procesin e pranimit në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Suedia, bashkë me Finlandën, aplikuan zyrtarisht për në NATO vitin e kaluar, mes frikës së një agresioni të mundshëm nga Rusia, pas luftës së nisur kundër Ukrainës.