Përvoja e tretë në elitë e rrogozhinasve duket se po rezulton më e mirë se dy të mëparshmet.
Këtë e tregojnë më së miri edhe statistikat. Në përvojën e parë në elitë, Egnatia mbyllte fazën e parë me 9 pikë në 9 ndeshje (3 fitore e 6 humbje), golavarazhi 7:12.
Në përvojën e dytë që i përket sezonit të kaluar ishte në vendin e 6-të me 11 pikë (2 fitore, 5 barazime, 2 humbje, golavarazhi 9:10). Pas fazës së parë të këtij sezoni aktual Egnatia është në vendin e 5-të dhe ka fituar 12 pikë, duke pasur kuotë të njëjtë mes fitoreve, barazimeve e humbjeve (nga 3 për secilin komponent teknik) dhe golavarazh +1 gol (7:6).
Në 9 javë, Egnatia ka mbajtur këto vende në renditje, duke filluar nga më i larti, kemi: 1 herë në vendin e 4-t dhe 5-të, 3 herë në të 6-in, 1 herë në vendin e 7-të, 2 herë në të 8-in dhe një herë në të 10-in (kjo ndodhte pas javës së dytë).
Në javën e 5-të deri të 7-të, Egnatia përsërit tri herë radhazi barazimet e njëjta me përfundimet pa gola 0-0 (dy në transfertë e 1 në shtëpi). Në javën e 3-të e të 4-t ishin dy fitore radhazi, njëra në Laç 1-0 dhe tjetra 3-0 në Rrogozhinë me Vllazninë. Pa harruar se në javën e parë dhe të dytë ishin dy humbje, ndaj dy skuadrave tepër të forta kryeqytetase: Partizanit (1-2) dhe Tiranës (0-2).
Dyfish më tepër pikë jashtë “mureve të shtëpisë” ka siguruar Egnatia (8 pikë) nëpërmjet 5 transfertave. Ndërsa çuditërisht në 4 takime shtëpiake ka marrë 4 pikë, 1 fitore me Vllazninë 3-0 dhe 1 barazim me Kastriotin 0-0. Krahas Partizanit, Tiranës e Bylisit që kanë arritur nga 1 fitore me tre e mbi tre gola ndryshim, edhe Egnatia ka një të tillë, 3-0, ndaj Vllaznisë (java e 4-t).
Asnjë gol nuk ka arritur të shënojë Egnatia nga pika e bardhë e 11- metërshit sepse nuk ka përfituar asnjë gjuajtje të tillë në 9 javë, ndërsa u ndëshkua në start ndaj Partizanit, por 11-metërshin e gjuajtur nga Engjëll Hoti e evitoi portieri Alen Sherri. Egnatia dy herë në mënyrë disi të papritur ka arritur t’i transformojë rezultatet e saj nga fitorja në humbje.
Në javën e parë, nga 1- 0 humbet 1-2 me Partizanin në Elbasan dhe po kështu në javën e 8-të ndaj Teutës në Rrogozhinë, përsëritet e njëjta gjë. Nga i vetmi autogol i fazës së parë ka qenë fatlum për të përfituar rrogozhinasit. Pikërisht në finishin e fazës së parë, në takimin në transfertë ndaj Kukësit, Emanuel Kanelas Almeida me autogolin tij në të 83′-ën i dha fitoren Egnatias, 0-1. 22 lojtarë janë aktivizuar gjatë fazës së parë.
Totalin e 810 minutave e ka të plotë e të pacenuar vetëm portieri Alen Sherri, ndërsa janë me 9 ndeshje, por me minutazh pak më të vogël prej ndërrimeve të tyre edhe Sodiq Atanda (807 minuta), Abdurraman Fangaj (716 minuta) dhe Fernando Medeiros (619 minuta). Egnatia që është pas Kastriotit që ka 28 kartonë, vjen së bashku me Bylisin në kuotë të njëjtë ndëshkimesh (secila nga 26 kartonë, të gjithë të verdhë). Rrogozhinasit nuk kanë marrë asnjë karton të kuq.
Të golashënuesit e 7 golave kanë firmosur Dzon Delarzhe 3 herë, Ilir Camaj (2 gola), 1 gol Emiljano Musta dhe 1 gol ka ardhur nga autogoli i mbrojtësit Almeida të Kukësit. Me 22 lojtarët e aktivizuar, mosha mesatare e Egnatias është 24.6 vjeç. Lojtari më “i moshuar” është Renato Malota (33 vjeç) dhe më i riu Ojediran Hamzat, 19 vjeç./panoramasport