Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka ngritur më shumë dyshime mbi të ardhmen e Rripit të Gazës, duke thënë se Autoriteti Palestinez në formën e tij aktuale nuk duhet ta marrë drejtimin e enklavës bregdetare.
Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë grupin palestinez Hamas, i cili qeveris Gazën, pas sulmit të përgjakshëm të militantëve ndaj Izraelit më 7 tetor. Izraeli reagoi me një sulm të përgjithshëm ndërsa synon marrjen e plotë të kontrollit të territorit.
Izraeli nuk e ka përcaktuar se kush duhet të marrë drejtimin e enklavës pas përfundimit të luftimeve, ndërsa është shprehur se Izraeli do të jetë përgjegjës për sigurinë e përgjithshme.
Uashingtoni ka thënë se Izraeli nuk mund ta pushtojë enklavën pas luftës. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, tha javën e kaluar se administrata e Gazës duhej të ribashkohej me Bregun Perëndimor, pjesë të të cilit drejtohen nga Autoriteti Palestinez.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas tha të premten se Autoriteti Palestinez në të ardhmen mund të luajë një rol në qeverisjen e Rripit të Gazës, por zoti Netanyahu theksoi të shtunën vonë se ai nuk dëshiron që drejtuesve aktualë të Autoritetit Palestinez t’u jepet freri i Gazës.
Duke folur për rrjetin “NBC News” të dielën, Kryeministri Netanyahu ishte edhe më këmbëngulës.
“Nevojitet një autoritet tjetër. Kemi nevojë për një administratë tjetër”, tha zoti Netanyahu. I pyetur se për çfarë lloj drejtimi flitej, ai u përgjigj: “Mendoj se është shumë herët për ta thënë”.
Nabil Abu Rudeineh, një zëdhënës i zotit Abbas, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se izraelitët po kërkonin të përjetësonin ndarjet midis dy territoreve palestineze, Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe Gazës.
“Përpjekjet izraelite për ta ndarë Gazën nga Bregu Perëndimor do të dështojnë dhe kjo nuk do të lejohet, pavarësisht presioneve”, tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters.
Autoriteti Palestinez drejtonte dikur Bregun Perëndimor dhe Gazën, por në vitin 2007 u rrëzua nga pushteti në Gazë pas një lufte të shkurtër civile me Hamasin.
p.k\dita