Dymbëdhjetë vjet pas pavarësisë, Kosova shihet ende larg përmbylljes së subjektivitetit ndërkombëtar

0
Gjigandi

Kosova po shënon 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së saj, por ajo ende nuk ka arritur ta rrumbullakojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar dhe ky fakt ka ndikuar dhe vazhdon të ndikojë edhe në situatën e brendshme dhe në mënyrën e udhëheqjes së vendit, si dhe në vetë funksionalitetin e shtetit, vlerësojnë publicistë dhe politologë nga Kosova.

Publicisti dhe historiani Jusuf Buxhovi, thotë për Radion Evropa e Lirë që akti kryesor që shënon rrumbullakimin e subjektivitetit ndërkombëtar, anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), për Kosovën ende mbetet sfidë.

“Një faktor formal, mund të themi, që është shumë i rëndësishëm, është që Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Kjo ka rëndësi, sepse me këtë do të fitonte një legjitimitet tjetër ndërkombëtar. Procedura dhe rruga është e njohur (për anëtarësim). Kërkohet miratimi i shumicës së vendeve dhe përveç kësaj edhe miratimin e të gjitha anëtareve të Këshillit të Sigurimit, ku Rusia dhe Kina kanë vetot dhe në të njëjtën kohë mund të paraqesin kundërshtimet e tyre. Sipas mendimit tim, problemi më i madh që ndikon në gjithë këtë çështje dhe problematikë, është që Kosova, nga brenda ka probleme politike”, tha Buxhovi.

Sipas tij, udhëheqësit politikë të Kosovës, në përgjithësi, nuk i kanë përmbushur qëllimet për shtet-ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë , që problemet e vazhdueshme e kanë penguar dhe po e pengojnë përmbylljen e shtetësisë së Kosovës dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

RonaTyra

“Fatkeqësisht, Kosova nuk ka arritur t’iu afrohet integrimeve euro-atlantike dhe nuk ka arritur ta rrumbullakojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar, si dhe në një farë forme edhe sovranitetin dhe integritetin territorial, sepse kufirin me Serbinë, në segmentin ndërkombëtar, ende e ka kufi administrativ dhe jo kufi shtetëror, pa marrë parasysh që është i paprekshëm. Kosova nuk ka arritur që të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe nuk ka arritur që të ketë një mekanizëm të drejtpërdrejtë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Tahiri.

Ai shtoi se Kosova nuk ka arritur të marrë as liberalizimin e vizave dhe as nuk ka arritur të marrë njohjen nga pesë vende të Bashkimit Evropian. Brenda rajonit, sipas tij, Kosovën vazhdojnë të mos e njohin Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Të gjitha këto pengesa, në rrumbullakimin e subjektivitetit të Kosovës, siç thotë Tahiri, po shfrytëzohen nga Serbia që dialogun me Kosovën ta paraqesë si dialog për çështje të statusit të kësaj të fundit. Megjithatë, sipas tij, një pjesë të madhe të përgjegjësisë, për gjithë këtë situatë e bartin vetë drejtuesit politikë të Kosovës.

Publicisti Buxhovi, thotë se funksionaliteti i brendshëm i Kosovës me vite ka shënuar ngecje si dhe ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë nga mosdija, por edhe keqpërdorimet e udhëheqësve politikë.

“Unë mendoj që janë të tre që ndikojnë këtu, pra, funksionalizimi, mundësia dhe organizimi i shtetit nga brenda. Gjithë këta faktorë ndikojnë që shteti i Kosovës të humbë kredibilitetit e vet ose të mos jetë në agjendën e pranimit të vendeve tjera, të cilat nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Ekziston dyshimi shumë i madh që faktori politik, gjatë këtyre viteve, nuk ka qenë në përputhje me detyrën që të rrumbullakohet konsolidimi i shtetit të Kosovës, nga brenda. Kjo, për mua, është problem shumë i madh”, tha Buxhovi.

Politologu Tahiri, thotë se pamundësia për të rrumbullakuar subjektivitetin ndërkombëtar, ndikon edhe në funksionalitetin e brendshëm të vendit. Rrjedhimisht, sipas tij, udhëheqjen politike të Kosovës e bën të mbyllur, por edhe të paprekshme përballë mekanizmave ndërkombëtarë të kontrollit.

“Kjo bën udhëheqje autoritare sepse nuk korrespondon me konventat ndërkombëtare ose me mekanizmat ndërkombëtarë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve, si dhe të themi në një lloj përgjegjësie të tyre. Gjithashtu, e bën një udhëheqje, e cila ka deklarime të mëdha politike dhe ideologjike, ndërkaq që do të duhej që të ishte pragmatike dhe praktike në zbatimin e ligjit dhe të rregullave”, u shpreh Tahiri.

Ai shtoi se shteti jofunksional, si pasojë e mos rrumbullakimit të subjektivitetit ndërkombëtar, është i pasigurt edhe për investime të huaja.

Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 dhe deri më tash, sipas faqes zyrtare të internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, atë e kanë njohur 116 vende. Megjithatë, autoritetet e Serbisë, kanë deklaruar se deri më tash kanë siguruar të paktën 15 tërheqje ose ngrirje të njohjeve të Kosovës nga vende të caktuara.

Publicisti Buxhovi dhe politologu Tahiri kanë theksuar që bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, nuk kanë arritur të përmbyllin çështjen e Kosovës. Përkundrazi, sipas tyre, tashmë janë rritur orekset e Serbisë që intervenimin e NATO-s ndaj caqeve serbe në vitin 1999, ta paraqesë si një lloj gabimi dhe që çështja e Kosovës duhet të rivlerësohet edhe një herë, gjë që e rrezikon stabilitetin dhe paqen në rajon.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu