Altin Dumani u prezantua sot si kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme SPAK. Gjatë fjalës së tij, ai ka vlerësuar punën e paraardhësit Arben Kraja duke thënë se i është falënderues për themelet që ngriti në këtë detyrë.
Tre vitet e SPAK, Dumani i ka cilësuar si shumë të vështira, por sipas tij, secili prokuror ka dhënë kontributin e tij për të ngritur një strukturë të fortë për të vënë drejtësinë në vend. Dumani ka premtuar se SPAK tashmë do të kalojë në një fazë tjetër ku lufta do të jetë me agresive ndaj çdo zyrtari të korruptuar dhe ndaj krimit të organizuar.
“Kanë qenë të vështira këtë tre vite por pavarësisht ka pasur secili një kontribut. Pas këtyre viteve SPAK duhet të kalojë në një luftë më agresive ndaj çdo zyrtari të korruptuar dhe krimit të organizuar. Kemi detyrimin që SPAK ta bëjmë një institucion ku njerëzit kanë besim. Do të krijojmë kushtet që të ushtroni detyrën në punën tuaj. Do bëj përpjekjet maksimale për çdo shqetësim nga ana e prokurorëve”, tha Dumani.
Për sa i përket strukturës së BKH, Dumani premtoi se do të ketë një bashkëpunim reciprok. Ai tha se bashkë me drejtoreshën Aida Hajna do të zgjidhin problemet që mund të krijohen gjatë rrugës.
“SPAK dhe BKH do karakterizohen me bashkëpunim reciprok. Vlerësoj punën e tyre se janë me ambicie dhe arritje profesionale. Më drejtoreshën e BKH u premtoj se do tu japim zgjidhje punëve”, tha ai.
Dumani u zgjodh në krye të SPAK të premten duke marrë 5 vota nga 10 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kjo është hera e dytë që ai kandidoi për të marrë “frerët” e Prokurorisë së Posaçme, pasi herën e parë nuk arriti të fitonte përballë Arben Krajës.
Kush është kreu i ri i SPAK?
Altin Dumani ka lindur në Shupenzë të Dibrës dhe ka një karrierë prej 20 vitesh si prokuror. Në mars të vitit 1999, ka shkelur për herë të parë në prokurori, me detyrë në Sarandë, ndërsa sot është kreu i komanduar i prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda.
Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000. Dumani bëri bujë me qëndrimin që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008.
Dumani njihet si një nga prokurorët që ka hetuar dosjet më të nxehta në Shqipëri. Një prej dosjeve më voluminoze dhe të bujshme ishte edhe ajo e operacionit të koduar “Golden Bullet”, “Plumbi i artë”, pas arrestimit të dy vrasësve me pagesë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha.
Nga ky operacion u lëshuan 32 urdhër arreste ndërsa u arrestuan 9 prej tyre. Ndërsa 18 të tjerë, mes të cilëve emra të bujshëm të botës së krimit, si Ervis Martinaj, Talo Çela e Florenc Çapja, por edhe një avokat, janë shpallur në kërkim.
Katër nga grupet kriminale operonin në Elbasan, një në Durrës dhe tre të tjerë në Tiranë. Dumani njihet edhe si prokurori i SPAK që udhëhoqi operacionin që çoi në pranga 13 persona mes të cilëve edhe gjyqtaren e Gjykatës së Krujes Enkeleda Hoxha që lironte të fortët nga qelia.
Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë.
j.l./ dita