Drejtësi si fitore e Pirros!

0
Gjigandi

Nga Artan Xh. DUKA

Botuar në DITA

Me hetimin e z. Berisha, SPAK-u e çoi stekën në majë teksa trokiti në “klubin” e pecove të tranzicionit nga presidentë, kryeministra, kryetarë parlamenti, partish etj. Ajo që tani qytetari pret të dëgjojë është … Tjetri! Urojmë që hapja e “sezonit të gjuetisë” nga SPAK të mos katandiset në një “o burra” për të bërë shëmbull dikë për interesa të botës por të jetë rutina tani e tutje e drejtësisë ku ndoshta një dorë ia jep edhe rrethi i zullumit ku mbase ekspozojnë njëri-tjetrin në panik përballë saj.

Sado pak zullum, pas në kohë, peshk i vogël, “kopsitje” ligjore etj, tani që plasi peshku e SPAK-ut i doli turpi e ka dorë të lirë, drejtësia duhet t’i nxjerrë ujin e zi zullumit politik si kusht për rikthimin e shpresës e besimit qytetar tek sistemi dhe e ardhmja. Pa dallim krahu politik sepse e keqja, në mos u gatua bashkë (nëpërkëmbja e pronës, ligjit zgjedhor, privatizimet e konçensionet problematike etj), u trashëgua apo u la e qetë të livadhisë pa teklif.

Bishti i kavallit

RonaTyra

Shkeljet e supozuara me privatizimin e një terreni sportiv janë bishti i kavallit kur krahasohen me ngjarje dramatike e bëma të së shkuarës nga zhbërja e ekonomisë dhe e ushtrisë, privatizimet klienteliste të pronës publike, nëpërkëmbja e pronës private, piramidat, 26 maji zgjedhor, anarkia 97, hija e luftës civile me sulmin ndaj jugut, grushti i shtetit në bulevard, Gërdeci, 21 janari, Marrëveshja me grekun për detin etj.

Edhe Al Kapone për mospagim taksash ra në burg por në tranzicionin tonë faktet janë sheshit sepse abuzimi prepotent ndodhi për ditën për diell e në sytë e të gjithëve ndaj dhe goditja lart e kupolës prej SPAK-ut por duke e nisur nga çështje të dorës së dytë, ngre hamëndje. Përtej fatit të një individi, që me kuturisjet e tij po korr çfarë mbolli, është në provë respekti dhe vëmëndja e drejtësisë ndaj prioritetit të pritshmërive e ndjeshmërive qytetare ndaj abuzimit 30 vjeçar.

Drejtësi pas berihajt

Hamëndje ngre edhe fakti që u deshën kaq vite pasi Berisha la pushtetin, pa të shpallej nongrata dhe sot të akuzohet konkretisht. Ngritja e akuzave pas berihajt nuk duhet të bëhet preçedent për më tej dhe urojmë që SPAK të mos humbë më kohë me të tjera bëma të tij apo me të tjerë individë.

Më mirë vonë se kurrë nuk ngushëllon dot ata që humbën gjëra të shtrënjta në jetë nga vetë jeta e prerë në mes apo gëzimet e saj, kursimet e mundi i brezave etj. Sado drejtësi, nëse vonuar mbetet e mohuar dhe e vetmja “mea culpa” e shoqërisë dhe shtetit ndaj viktimave të abuzimit që sadopak qetëson shpirtrat e zëmrat e të gjallëve, është drejtësia pa kthim, në çdo rrëzë dhe kthimi më pas i hakut deri tek qindarka e fundit, tek i zoti. Ata që humbën duhet të besojnë se ajo që iku nuk iku kot por mbetet mësim e simbolikë e vyer për të ardhmen.

Nuk bëhet fjalë për larje hesapesh “jakobine” por për drejtësi e standarte për të ardhmen që brezat të ndërgjegjësohen e shmangin të njëjtin fat. Një drejtësi është e vonuar kur shoqëria e kërkon me kohë e me ngulm atë por kur vetë shoqëria është e vonuar, atëhere edhe pas 30 vjetësh, drejtësia është prapë në kohë!

Kutet e perëndimit

Ishte perëndimi ai që dikur i mbështeti, deri pa rezerva (edhe gjatë 97) dhe na i la në derë kaq gjatë pecot e abuzimit ca prej të cilëve i denoncon sot! Por abuzues nuk gdhihesh por bëhesh, proçes ky që perëndimi e di mirë sepse është edhe ai që po mbush sot dosjet e drejtësisë. Ishte ky perëndim që na i shiti gjatë etalonët e korrupsionit si etalon demokracie, që i mbështeti në emër të çrrënjosjes së komunizmit(!), ofronte foto e takime që në fushata zgjedhore tundonin vota më pas etj.

Kjo qasje me dy kute nga perëndimi ngre hamëndje qoftë për motivet e damkosjes me vonesë, dyshime rreth “telekomandës” me dosjet hetimore që bën shëmbull dikë (irriton po aq sa akuza) për të mbajtur në rrjesht të tjerët etj. Gjeopolitika ka peshën e saj, shpesh në kurriz të standartit demokratik por, në respekt të qytetarit që beson tek sistemi, perëndimi bën mirë të na kursejë ca retorika që lëndojnë shumë syresh që u shkoi një një jetë e tërë duke besuar në ato që bota thotë.

Ndalën kohën 30 vjet!

E keqja e tranzicionit nuk ikën bashkë me keqbërësit. Të tilla janë pasojat e abuzimit (jetët e nëpërkëmbura, venitja e shpresës e besimit etj) sa, sado drejtësi të bëhet, fitimtare mbetet politika e zullumit e gjeopolitikat antikombëtare që ndalën orën 30 vjet në vënd!

Që të mos ndodhë më duhet të pranojmë si shoqëri se jemi humbësit e dështakët e mëdhenj dhe se tërheqja zvarrë si shoqëri prej korrupsionit dhe ca tipave plot 30 vjet, do të mbetet në analet e historisë. 30 vjet janë pak si dënim për një shoqëri që pajtohet lehtë me të keqen, për më tepër në demokraci dhe, përpara se të kërkojmë hesap tjetërkund, bëjmë mirë të flasim me pasqyrën.

Arrestimi në fjalë apo i kujtdo tjetri më pas (“dënim” në vetvete sepse i çmitizon) ndonse i shumëpritur, nuk ka pse ngazëllon kur mendon kalvarin e tranzicionit. Jo thjesht se arrestimi nuk është dënim e gjykimi nuk dihet si shkon (ndonse ai e pecot e tjerë bëjnë mirë të mësohen me rutinën e re sepse dosjet janë varg) por se ai na rikujton pazotësinë epokale si shoqëri për të reaguar në kohë ndaj së keqes dhe kjo trishton.

Dalja nga “hipnoza”

Por, ndërsa e shkuara iku, e ardhmja mbetet për t’u parë. Shejtani doli nga shishja e ndërsa venitet ylli i Berishës, të tjerë mbeten në kulm e vijojnë “hipnozën” në masë nga Rama, Basha që me poza tej Atlantikut e pandeh veten yllin e rradhës etj. Ditën që respektojmë dinjitetin qytetar e nuk marrim më të mirëqënë “idhujt, zotat, legjendat, gjigandët” në politikë, atë ditë qytetari i bëhet SPAK-ut krah.

Drejtësinë nuk e bën vetëm ligji por dhe vota e frymëzuar nga interesi qytetar e kombëtar. Kjo lyp rikthimin e meritës së votës me sistemin mazhoritar duke i dhënë fund zgjedhjes nga halli të “sorrave” në lista partish.

Urojmë që drejtësia t’ia dalë por jo me fitore si ajo e Pirros. Të veprojë pa anësi e pa humbur kohë, ndryshe gjithnjë e më pak do të ngushëllohen e bëjnë paqe me të shkuarën duke e mbledhur mëndjen se ia vlen për të jetuar në këtë vënd!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu