Autoriteti i Mediave Audiovizuale (AMA), i ka tërhequr vëmendje Top Channel dhe produksionit për gjuhën e përdorur në këtë format televiziv.
Reagimi erdhi pas deklaratës së një prej konkurrentëve, aktorit Amos Zaharia i cili u shpreh se si do e përulte kundërshtarin e tij Luizin.
“Jo, nuk do ta vrisja. E di unë se çfarë do t’i bëja, atë që meriton. Do ta çoja në mal, do ta zhvishja lakuriq, do ta xhiroja, do t’i thoja kërko falje. Pastaj shikoje ti, i jep më gojës…”, tha Amos.
Për këtë arsye AMA i ka kritikuar duke i kujtuar se ndalohet transmetimet që nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve dhe nxisin ose justifikojnë dhunën.
“Këshilli i Ankesave i tërheq vëmendjen TOP Channel për shkelje të ligjit nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në:
* nenin 4,pika 2/d: “moslejimi i transmetimeve që nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve” dhe 2/dh: “moslejimi i transmetimeve që nxisin ose justifikojnë dhunën”
* nenin 32, pika 4 “OSHMA-të nuk transmetojnë programe me përmbajtje që nxisin urrejtjen …. dhe çdo formë tjetër diskriminimi”.
* nenin 33, pika 1/ç: “të mos cenojë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut; pika 1/d: “të respektojë rregullat e etikës dhe moralit publik dhe të mos transmetojë programe që mund të nxisin vepra penale“. si edhe për shkelje të Kodit të Transmetimit, miratuar me Vendimin e AMA-s, nr. 228, datë 11.12.2017, në:
* Seksionin 1, pika 1.5. “Transmetimet audiovizive nuk duhet të nxisin urrejtjen, intolerancën, diskriminimin ose të justifikojnë dhunën ndërmjet shtetasve”, pika 1.6. “Veprimtaria e transmetimeve audiovizive respekton normat morale dhe etike të shoqërisë”
Duke patur parasysh: se “Parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive”, vlejnë njësoj edhe për transmetimet sipas kërkesës së përdoruesit (me pagesë) dhe pavarësisht fashës orare
Këshilli i Ankesave,
– tërheq vëmendjen për shkeljet e mësipërme,
– kërkon ndalimin e publikimit të videos në kanalin zyrtar në Youtube,
– paralajmëron, se çdo përsëritje do të trajtohet sipas dispozitave në fuqi”, thuhet në deklaratë.