Tensione te Kuvendi i Shqipërisë. Deputetët e Partisë Demokratike (ata të përjashtuar nga seancat) nuk janë lejuar që të futen brenda parlamentit.
Të gjendur përballë këtij bllokimi, ata kanë debatuar me gardën, e cila qëndronte në dy anët e derës.
“Keni pirë raki? Keni pirë mall? Si prekni deputetët e opozitës”, dëgjohet të thonë disa nga deputetët e PD-së.
Berisha gjithashtu ka folur nga ana tjetër e kangjëllave.
“Kjo është fytyra më e turpshme e institucionit. Po bëni krim, ju bëj thirrje shqiptarëve të shikojnë regjimin e Ramës. U mbyllni dyert deputetëve”, tha ai.
Dita e sotme nis me një axhendë të ngjeshur në komisione. Në rendin e ditës janë parashikuar mbledhja e 5 komisioneve parlamentare, ai i Ekonomisë, Ligjeve, Shëndetësisë, Politika e Jashtme dhe Veprimtaria Prodhuese ku kryefjalë është projekt-buxheti i vitit 2024. Për shkak se opozita ka vendosur të bllokojë komisionet, PS vendosi që mbledhjet të zhvillohen online.
Për shkak të përplasjeve, janë në total 8 deputetë të opozitës të përjashtuar nga punimet e Kuvendit.
Të premten, e 3 nentorit u përjashtuan me 10 ditë Ervin Salianji që ndezi tymuese rozë e mavi në seancë plenare, Petrit Doda dhe Edmond Spaho, ndërsa pas seancës me përplasje fizike të 30 tetorit u përjashtuan kreu i grupit Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Flamur Noka, Albana Vokshi.
j.l./ ABC24.AL