Deliri dhe e vërteta e një ekstremisti

0
Gjigandi

Nga Bedri Islami

Botuar në DITA

“Ujku sulmon me dhëmbë, demi sulmon me brirë, greku sulmon me kishë” – Fan Noli

Fredi Beleri është kandidati i “Bashkimit për Fitore” në Bashkinë e Himarës. Edhe sikur qarqet më ekstremiste greke të kishin pasur të drejtën për të propozuar këtë njeri, nuk do të mund të kishin gjetur më ekstremist i lobeve naziskine greke dhe në të njëjtën kohë, aq shumë antishqiptar.

Por fakti është se atë nuk e ka gjetur asnjë lob grek, nuk e ka gjetur as drejtuesi politik i qarkut të Vlorës, nuk e kanë zgjedhur as mendjet e qeta dhe të urta të Himarës. E kanë zgjedhur Berisha dhe Meta, dy nga figurat politike që, sidomos në kohë fushate, shpallin veten si nacionalistët më të shquar të këtij vendi, që janë gati të sakrifikohen edhe me jetën e tyre, të bëjnë harakiri dhe të bëjnë vetëvrasje si Allende.

RonaTyra

E kanë bërë si qoka për partnerin e tyre Dule, për Kishën Ortodokse të uzurpuar prej shumë viteve, për t’i bërë një shenjë dashurie qarqeve reaksionare greke, apo se është gjithçka në politikën e ndjekur deri tani, kjo nuk është e rëndësishme. Këtë e kanë me mendje të ftohtë, qetësisht, me pikësynime të caktuara, të gatshëm për të hapur një greminë të re, dhe mbi të gjitha, jo se janë budallenj, por janë thjeshtë të frustuar nga e djeshmja dhe pa perspektivën e së ardhmes.

Fredi Beleri është një strukturë njerëzore, misioni i të cilit është të ndërtojë në Shqipëri urën e helenizimit të jugut të vendit, kthimit të një shumice shqiptare në grekofonë, të përdorë kulaçin dhe kërbaçin, pra uzurpimin apo dhënien e pronave, nënshtetësinë greke si rrugë për të shkuar në Perëndim, pensionet, për këdo që deklarohet se është që në lindje me origjine greke, të dëmtojë shkollimin e fëmijëve himariotë në gjuhën shqipe, të krijojë ndasinë mes shqiptarëve autoktonë, si janë në breza e breza himariotët dhe një pakice të vetë shpallur greke, e në fund, të mund të ringrejë mbeturinat e partizës së Dules, që tani është forcë e pallogaritshme. Kandidati i “ Bashkë fitojmë” është në fakt i deleguari i “Omonia”-s dhe PBDNJ – të dyja forca regresive në politikën shqiptare.

Drejtuesi i Foltores politike, Berisha, pak ditë më parë, në Tropojë, duke dashur të ndezë urat e zjarrit mes Veriut dhe Jugut të Shqipërisë, ç’ka e ka bërë që kur ka ardhur në politikë, sidomos në marsin e vitit 1997, rrahu gjoksin për patriotizëm dhe sulmoi kundërshtarin e tij, Edi Rama për Kosovën.

Le ta lëmë më një anë “përkushtimin” e Berishës për Kosovën, pasi kjo është një temë prush e nxehtë, që nuk ka të bëjë me këtë shënim, të kthehemi te rasti Beleri, i deleguari i tij për kryetar bashkie, i cili, pak javë më parë e hapi fushatën duke vendosur flamurin grek të Vorio-Epirit. Njeriu që ka vendosur Berisha nuk e ka për zor të deklarojë se himariotët e deklaruar grekë në Himarë janë më shumë se 20 mijë vetë, duke bërë si zakonisht lojën e fjalëve, “të deklaruar”, sepse e di fare mirë se origjina e tyre është, si thoshte Petro Marko, thjeshtë shqiptare.

Nuk është rasti i parë që ai shfaqet si mbrojtës i zjarrtë i idesë megaidesë, bartës i mendimit të Vorio-Epirit , dhe që, e nisi fushatën duke vizituar ishujt grekë.

Fredi Beleri është miku i ngushtë i ekstremistët grek, Konstandin Kafica, në fakt një lidhje jo e vetme e strukturave të dikurshme “Agimit të Artë”, apo e organizatës ekstremiste MAVI, që është bërë lejtmotivi i ultrasve nacionalistë grekë, që tundin flamurin e tij nëpër sheshe dhe në emrin e një “kallashnikovasi”, djegin flamurë shqiptarë, protestojnë, thyejnë xhame, rrihen me shqiptarë, bëjnë thirrje për përzënien e tyre jashtë shtetit grek, sulmojnë këdo që i del përpara dhe si gjithnjë, bashkë me to, është futur në lojën radikale edhe kisha greke. Një primar i saj në Konicë, nga një trevë e dikurshme thellësisht shqiptare, nga e cila janë dëbuar vendasit, ose janë detyruar të greqizohen edhe pse nënat e tyre kishin gjuhë amtare shqipen, bëri thirrje të pushtohet “Vorio-Epiri”.

Befas, jo rastësisht, ai u bë edhe deliri i zakonshëm nacionalist i kishës greke. Ajo doli nga sinori i saj dhe po bën thirrje për luftë dhe zaptim të tokave shqiptare, megjithëse vetë vendi nga bëhet thirrja është trevë shqiptare.

Mirë ultrasit, po njerëzit e zotit çfarë kanë? Ndoshta duhet thënë: mirë njerëzit e kishës greke, po ultrasit çfarë duan?Një ndërthurje aspak e rastësishme dhe derë më derë për zjarrin që duan.

Dalldi e zgjuar befas nacionaliste apo pritje e një shkëndije për të ndezur një zjarr që mendohej se po shuhej? A do të jetë Fredi Beleri, i besuari i Berishës, njeriu që do të synojë të ndezë zjarrin e dëshiruar nga ekstremistët grekë? A do të jetë përsëri ai njeriu i dyshuar në masakrën që ndodhi tre dekada më parë me ushtarët shqiptarë, të vrarë në gjumë nga një komando greke, ku përmendej dhe dyshohej edhe për Fredi Belerin?

Athina zyrtare duket se është e kënaqur me kandidimin e njeriut të njohur nga vetë ajo si dorë e zgjatur e ekstremizmit grek në Shqipëri. Por, përtej saj, kisha ortodokse greke e priti me entuziazëm kandidimin e tij dhe po lëviz në ujërat e poshtme për të bërë të mundur që njeriu me flamurin e Vorio-Epirit pas shpatullave, të bëhet njeriu që do të ketë primarin në Himarë.

Në pak orë, e gjithë ajo që ka mbetur në skutat e një nacionalizmi ekstrem , u zgjua, mori formën e saj të zakonshme agresive, shpërtheu dhe trajtat e saj po shfaqen në jetën politike greke, që nga qeveria, që është më e matur, por që mund të detyrohet të jetë e rebeluar, nga strukturat djathtiste brenda parlamentit e deri më tej, ku politika zien në diskutimet e zakonshme greke, të cilët nga athinasit e lashtë kanë marrë vetëm vendin e debatit: rrugët, por jo mendjet e shquara.

Sepse nuk kanë kohë për arsye, duan një shkak dhe këtë shkak, nuk ua dha vendi ku ndodhi e gjithë ngjarja, por mendësia e rrënjosur me forcë, përmes topitjes së përbashkët, pjesë të kishës greke dhe të politikës së saj në Shqipëri; topitjen ia dhanë kunetërit që llomotitin nga larg, të paguarit e politikës greke që bëjnë rolin e masonit të pafajshëm, si Dule, Bollano, Beleri, e pjesëz të “Omonia”-s; ia dhanë njerëzit e politikës që votat ua kërkojnë shqiptarëve, por eurot i marrin nga Athina.

Tri gjëra nuk janë thënë si duhet:

1.Përse “Bashkimi për Fitore”, një strukturë amalgame, ku janë bashkuar të vetë quajturit të djathtë, të majtët e rebeluar, mbështetësit e strukturave minoritare greke dhe demokristianët, pa folur për të tjerët, kanë zgjedhur pikërisht një figurë të tillë, si Beleri, për të qenë kandidati i tyre në drejtimin e Bashkisë së Himarës?

Nuk kishin të gjitha këto strukturat një njeri më të moderuar, nga minoriteti grek, që të ishte më i kulturuar, më i mençur, më pak ekstremist dhe mirëdashës për të jetuar qetësisht në vendin e tyre, të gjithë, shqiptarë dhe minoritarë?

Çfarë do të kishte ndodhur, nëse e majta në pushtet, do të kishte kandiduar një figurë ë tillë, ekstreme në mendim dhe anarshist në veprime, për të drejtuar Bashkinë e Himarës?

Rama dhe strukturat rreth tij do të quheshin me të gjithë zërat njëherësh si shitës të interesit kombëtar, tradhtarë të kombit, grekofonë të mallkuar…

E Berisha? E Ilir Meta që përbetohet për Mic Sokolin e Vojo Kushin?

Nacionalizmi i bën nder një kombi të vogël. Gjithkush, në momente të veçanta, sado i squllët të jetë, ka në vete një ndjenjë që i zgjohet, ndoshta edhe befas, pa e ditur, dhe, do apo nuk do ai, bëhet pjesë e jetës së tij.

Askush nuk i akuzon grekët se e duan vendin e tyre. Nëse e duan, mirë bëjnë, por nuk besoj se këto që kaluan në delirin ultranacionalist e duan Greqinë. Të paktën jo Greqinë e një kohe të shkuar, kur helenët vendosnin për botën e tani bota vendos për mbijetesën e tyre.

2.Qeveria e tashme greke nuk ka shfaqur asnjë ndjenjë raciste apo paragjykimi ndaj qindra mijëra emigrantëve të rrezikuar, edhe pse shumë prej tyre ishin të besimit islam.

Është një trinitet i çuditshëm, por jo i panjohur: strukturat ekstremiste deri në akte terrori, si ishin dikur haptas dhe tani në klandestinitet, “Mavi” dhe “Agimi i Artë”, pjesë të rëndësishme të Kishës greke që i kap shpejt dalldia nacionaliste dhe struktura politike në Shqipëri.

Përmes këtij triniteti lëviz edhe dalldia e tashme e ultrasve nacionalistë; ajo kapje marramendëse, që kalon kufijtë e çdo lloj arsye dhe bëhet tejet e paarsyeshme.

Dhe, kur pjesë e kësaj dalldie bëhet edhe opozita shqiptare, ajo që nisi si risi e ndjenjës kombëtare dhe u bë kozmopolite deri në harrimin e kombëtares, e di se duhet përsëritur një thënie e lashte romane, “Armiku është tek porta”.

Ky trinitet, më parë se të jetë rrezik për vendin tonë, është për vetë grekët, dhe dalldia e tyre ngjan si dy pika uji me dalldinë e ekstremistëve islamikë, që , pas çdo ngjarje fillojnë e çartallosen deri në çmenduri.

3.Të gjithë ekstremet takohen. Që nga Dule, e deri tek Nikolas Geixh.

Tani, përmes presionit politik – e keqja më e vogël, opozita vendos të bëjë pjesë të lojës së saj politike një figurë thellësisht ekstremiste, dhe kjo nuk është më lojë. Ky është rrezik dhe gjithë kush duhet të dijë se rreziku nuk kalon lehtë, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Dhe kur, këtij triniteti i bashkohen edhe “trinitete “ të tjera, brenda llojit, por me kombësinë tonë, atëherë ata nuk kanë kuptuar fillesën e këtij nacionalizmi ultras: dobësia e tyre qëndron pikërisht në mendësinë tipike ballkanike, përmes së cilës ultrasit jo vetëm nuk mësojnë nga fajet e tyre, por as nga koha që u kalon mbi krye, e papërfillshme për to.

Në Shqipëri, për fat të mirë, nuk kishte një dalldi të tillë nacionaliste. Më tepër ajo u mundua të importohej nga politika, se sa ndodhi në të vërtetë. Politika ishte më e interesuar për eksportimin e delirit nacionalist tek pushteti, jo si shenjë qëndrimi tolerant e europian, por si një dinakëri bizantine e veshur me dëshira të mbrapshta, edhe pse këto dëshira mund të nxinin kombin e tyre.

Është mirë që ekziston kombi grek. Bile është e domosdoshme ekzistenca e tij. Ashtu si është mirë që ekziston kombi shqiptar, megjithëse i vetmi i ndarë në 5 shtete ballkanike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu