Diva e muzikës Cher nxiti thashethemet e fejesës pasi postoi një foto në llogarinë e saj në Twitter në ditën e Krishtlindjes të të dashurit të saj, producentit Alexander “AE” Edwards, duke mbajtur një kuti me një unazë diamanti.
“Nuk kam fjalë Aleksandër, AE”, ka shkruar këngëtarja krahas postimit, duke shkaktuar një ortek komentesh konfuze nga fansat e saj. “O Zot, të propozoi?”, “Po martohesh?”, “Urime!”, “Cher, nuk mund ta postosh këtë dhe pastaj të zhdukesh!”, kanë shkruar komentuesit.
Ajo së shpejti ripostoi të njëjtën foto, duke thënë se e postoi sepse thonjtë e Aleksandrit janë “shumë të lezetshëm”. Megjithatë, shumë nuk e kishin ende të qartë nëse ishte vetëm një shaka apo nëse Cher u fejua vërtet.
Kujtojmë se këngëtarja së fundmi ishte e ftuar në emisionin televiziv të Kelly Clarkson dhe ka folur për lidhjen e saj me një producent dyzet vjet më të ri. Ajo tha se e pranon se marrëdhënia e tyre është “qesharake në letër”, por shpjegoi se në realitet ata shkojnë shumë mirë.