Komisionerja e Shëndetësisë dhe Sigurisë Ushqimore, Stella Kyriakidou, u ka dërguar një letër ministrave të Shëndetësisë të 27 vendeve anëtare, pas zhvillimeve të fundit në lidhje me koronavirusin në Kinë, sipas ERT.
Kyriakidou thekson në letrën, e cila është në dispozicion të ERT-së, se “Komisioni Europian po monitoron nga afër zhvillimet në Kinë në lidhje me rritjet alarmante të rasteve me COVID-19 atje dhe ndikimin e mundshëm të udhëtimit nga Kina drejt vendeve anëtare të BE-së, kur marrëveshjet e reja të udhëtimit kinez hyjnë në fuqi në fillim të janarit”, duke theksuar se është e rëndësishme që së bashku të vlerësohet ndikimi i mundshëm i situatës në zhvillim dhe se ka nevojë për përgatitje të mirë në mënyrë që qytetarët evropianë të mbrohen.
Gjatë raportit, Stella Kyriakidou thekson se do të vazhdojë përpjekjet për të kontaktuar me homologët e saj kinezë për të shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje për adresimin e situatës aktuale.
Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore po përpiqet të koordinojë përgjigjet kombëtare ndaj kërcënimeve ndërkufitare shëndetësore pas një takimi mbi situatën Covid-19 në Kinë.
Në një postim në Twitter, Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore tha: “Koordinimi i përgjigjeve kombëtare ndaj kërcënimeve serioze shëndetësore ndërkufitare është jetik. Sot, Komiteti i Sigurisë Shëndetësore të BE-së u takua për të diskutuar situatën e COVID-19 në Kinë me Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian/Zonës Ekonomike Evropiane. Ne duhet të veprojmë së bashku dhe do të vazhdojmë diskutimet tona”.
Shqetësimi për mungesën e transparencës së Kinës
Shqetësimi mbizotëron në Evropë për shkak të mungesës së transparencës së autoriteteve kineze në lidhje me koronavirusin, gjë që mund të rezultojë në informacion të pamjaftueshëm në lidhje me mutacione të reja të mundshme. Sipas informacioneve, megjithatë, varianti BF.7, i cili duket se dominon në Kinë për momentin, është zbuluar prej muajsh në Evropë pa vënë alarmin dhe pa ushtruar presion mbi sistemet shëndetësore, fakt që ekspertët ia atribuojnë shkallës së lartë të vaksinimit.
j.l./ dita