Bastisen shtëpitë e aleatëve të Thaçit në Kosovë

0
Gjigandi

Prokurorët në Dhomat e Specializuara të Kosovës thanë se bastisjet në shtëpitë e disa këshilltarëve dhe aleatëve të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi këtë javë ishin pjesë e hetimeve për pengim të dyshuar të drejtësisë. Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë konfirmuan se urdhëruan disa bastisje në Kosovë këtë javë si pjesë e hetimeve nga prokurorët për pengim të mundshëm të drejtësisë.

Gjatë javës, pati bastisje në shtëpitë e disa aleatëve dhe këshilltarëve të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili aktualisht është në gjyq në Hagë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar tha në një deklaratë të lëshuar të enjten se “po kryen operacione të vazhdueshme në Kosovë në një hetim që fokusohet në veprat kundër administrimit të drejtësisë”.

Ajo nuk specifikoi se kush është në shënjestër të hetimit dhe nuk dha ndonjë detaj në lidhje me keqbërjen e dyshuar. Bastisjet u kryen nga oficerë të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës. Të premten në mëngjes, kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, përmes një komunikate tha se komuna “ka marrë informacione se EULEX-i mbrëmë ka arrestuar ish-kryetarin Isni Kilaj”.

Një nga bastisjet e kryera të enjten me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar u raportua se ishte kryer në shtëpinë e Kilajt, ish-komandant i njësisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, dhe ish-kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Malishevë, e cila më parë udhëhiqej nga Thaçi.

Deklarata e Kastratit dënoi operacionin kundër Kilajt. “Ne si komunë besojmë dhe jemi thellësisht të bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë dhe mbi të gjitha ishte luftë çlirimtare”, tha Kastrati, duke kërkuar që Dhomat e Specializuara “ta ndalin këtë lloj persekutimi të çlirimit” dhe në vend të kësaj të merreshin me vrasjet e civilëve nga forcat serbe në komunën e Malishevës në vitet 1998-1999.

RonaTyra

BIRN kontaktoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar për konfirmimin e arrestimit të Kilajt dhe akuzave ndaj tij, por nuk mori më shumë informacione deri në momentin e publikimit. Të mërkurën ka pasur edhe bastisje në shtëpinë e Ismail Sylës, ish-këshilltarit të Thaçit. Avokati i Sylës, Artan Cerkini, e kritikoi operacionin, duke thënë se “nuk ka asnjë person me inteligjencë mesatare që do të mbante diçka inkriminuese në shtëpinë e tyre duke e ditur se mund të ishte lehtësisht objektiv për bastisje”.

Të martën, me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është bastisur edhe shtëpia e ish-këshilltarit të Thaçit, Artan Behramit. Avokati Cerkini, i cili gjithashtu përfaqëson Behramin, tha për mediat se bastisjet ishin antikushtetuese, veçanërisht për shkak se “janë bastisur shtëpitë e anëtarëve të familjes së Behramit edhe pse kjo nuk ishte e shkruar në urdhër”.

Behrami e akuzoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar për kryerjen e operacioneve politike dhe për krijimin e analogjisë mes “gjenocidit” të forcave serbe në Kosovë dhe veprimeve të UÇK-së, “sikur Ushtria Çlirimtare e Kosovës të kishte bërë një gjë të ngjashme”.

Të hënën pati bastisje edhe në shtëpitë e dy ish-këshilltarëve të tjerë të Thaçit, Blerim Shalës dhe Bashkim Smakajt, i cili është ish-drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Cerkini, i cili është edhe avokati i Smakajt, tha për mediat pas operacionit nëntë orësh se “gjykata duhet të jetë shumë e kujdesshme kur lëshon urdhër për bastisje sepse mund të cenojë të drejtat e njeriut”.

Ai tha se bastisja ishte pjesë e “një hetimi që gjykata po zhvillon prej disa kohësh për pengimin e drejtësisë”. Por ai argumentoi se ajo shkelte të drejtat kushtetuese dhe privatësinë e klientit të tij. Në shkurt të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar urdhëroi gjithashtu një bastisje në shtëpinë e ish-këshilltarit tjetër të Thaçit, Adil Behramajt.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës, duke vepruar nën presionin e aleatëve perëndimorë të Kosovës, të cilët besonin se vetë sistemi i drejtësisë së Kosovës nuk ishte mjaftueshëm i fuqishëm për të gjykuar rastet e UÇK-së dhe për të mbrojtur dëshmitarët nga kanosja. Gjyqet e mëparshme në gjykatën jugosllave të krimeve të luftës u shoqëruan me ndërhyrje te dëshmitarët.

Në maj të vitit 2022, Dhomat e Specializuara dënuan kreun e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, dhe zëvendësin e tij, Nasim Haradinaj, për pengim të drejtësisë. Muajin e kaluar, dy burra të tjerë, Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi, u vetëdeklaruan të pafajshëm për kanosje të dëshmitarëve në procedurat kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara.

 

p.c. / ABC24.AL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu