“Ballkani është një emër i vendosur nga një budalla i cili emërtoi vargmalin që përshkuante gadishullin me këtë emër që në turqisht do të thotë Mal. Këtë e zbuloi më vonë Konica.
Kështu është shprehur sot gjatë një bisede në vigjilje të 555-vjetorit të lindjes së heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skëndërbeut, studiuesi i njohur Aurel Plasari.
Sipas Plasarit, Ballkan dhe Evropë Juglindore janë dy terma që përdoren sot rëndom, por Ballkan është një term i rremë. Sipas tij, koncepti shkencor sot është “Evropa Juglindore”.
Në këtë bisedë ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama, i cili ka zbuluar debatin e bërë me europianët lidhur me emrin e Ballkanit Europian.
Kryeministri Rama tha se ka dhe një debat për Ballkanin Perëndimor.
“Kam pasur një debat për këtë me miqtë europianë duke u përpjekur të shpjegoj që ne jemi Europë, siç ka një Europë Perëndimore, Lindore, ka edhe një Juglindore.
Nëse Ballkani është një term i vendosur nga budallallëku apo keqkuptimi i madh i një personi që më pasi vuri vulën një rajoni, Ballkani Perëndimor është një elaborim për të vendosur një vijë mes kësaj ane e Turqisë. Ndaj po të gjendesh në një tryezë ku janë edhe turqit e sheh se ka një trekëndësh. pjesa Turke do Ballkanin. Kur po shpjegonte Aureli Ballkanin e malin, po mendoja paskemi bërë malin e hapur(Ballkani i Hapur), u shpreh kryeministri Rama.
Duke shkuar më tej, kryeministri Rama tha se nuk është keq të hapim malin.
“Ka një gjë nga fundi i librit kur autori jep një shpjegim për një pyetje lidhur me historinë, që historia është e destinuar të rishkruhet e të lexohet në kohë të ndryshme e në kontekste të ndryshme dhe me siguri një ditë do të kemi një rilexim tjetër të historisë së Skënderbeut.
Por për sa kohë kemi në dispozicion sot për çfarë është shkruar, libri që keni në dorë është një ndihmesë e çmuar me një këndvështrim të ri dhe një përmbledhje që nuk e gjejmë tek asnjë nga autorët e mëparshëm, pasi edhe burimet janë shtuar”, u shpreh Rama.