Atalanta Kërçyku: Si i bind politikanët të gatuajnë/ Moderatorja: Ju rrëfej aftësitë e tyre në kuzhinë dhe ngacmimet në xhirime

0
Gjigandi

Politikanët i kemi parë shpesh në formate të ndryshme, por asnjëherë në kuzhinë. Është ky propozimi i Atalantës, që prej javësh ka nisur formatin më të ri “Politikan N’tigan”. Moderatorja zbulon në këtë intervistë sesi janë aftësitë e tyre në kuzhinë. E duket se beteja politike mes palëve tashmë zhvendoset edhe në kuzhinë, ku batutat dhe ngacmimet mes tyre shndërrohen në momentet e preferuara të të gjithë emisionit. Pas eksperiencave të ndryshme në televizion, prezantuesja tashmë ka vendosur ‘të nxjerrë nga vetja’ politikanët shqiptarë.

Nga sporti në showbizz e tashmë në panel me politikanët, si ju është dukur ky kapërcim?

Ka ardhur krejt natyrshëm në fakt dhe të them të drejtën nuk kam pasur vështirësi të ndryshoj lëkurë. Edhe televizioni është një cikël, që kur e përmbush duhet të ndryshosh sektor, të rinovohesh me veten dhe pse jo të njohësh veten në një tjetër aspekt. Madje, duke bërë këtë proces u jep mundësinë imazheve të reja që të gjejnë veten në ekran. Nuk e kemi as të trashëguar, e as me tapi, mendoj që ka vend gjithnjë për riciklim dhe duke ndryshuar korsi shpeshherë prodhohen edhe imazhe të reja.

Si e gjetët politikën, sa ndryshonte nga ato çfarë keni bërë deri më tani në televizion?

Atalanta Kërçyku

Për të qenë e vërtetë, nuk ishte e lehtë. Nëse mendoni se për një vajzë është e vështirë të mësojë rreth sportit, mjafton t’ju them që politika ishte dhe më e vështirë. Jo se do të më duhej të mësoja rreth teknikaliteteve të tyre, por përshtatja, gjetja e kohës, axhendat e ngjeshura, përballjet e kundërshtarëve kanë pasur një shkallë vështirësie ndryshe nga sa e prisja. Por sigurisht që kur mundi është më i madh, edhe feedback është më i madh, ndaj dhe them me bindje që ia ka vlejtur.

RonaTyra

“Politikan N’Tigan”, na zbuloni më shumë për emisionin tuaj?

Besoj se vetëm titulli thotë mjaftueshëm. Ideja ishte që të sillnim imazhet e politikës, por në një dimension tjetër. Kanë qenë të shpeshta daljet e tyre kur kanë folur për jetën private, raportet familjare, angazhimet në familje. Por gjithçka kishte mbetur në kuadrin e intervistës, nuk i kishim parë të konkretizuara, ndaj edhe pse jo vendosja t’i shihja pak në aksion. Çdo javë janë dy figura politike përballë, që nëpërmjet një gare tregojnë aftësitë e tyre në kuzhinë, por normalisht zhvillohet edhe një intervistë me karakter disi më personal. Natyrisht që politikanët janë mësuar me garë, ndaj edhe shpirtin sfidues e kanë, pse mos t’i nxjerrim në pah edhe talentet e tyre.

Kush mund të themi që të ka mahnitur deri më tani për aftësi, por edhe për paaftësi?

Image

Atalanta Kërçyku

Do doja të thosha fillimisht surprizën më të madhe që kam marrë nga ky emision. Më besoni, politikanët tanë janë kuzhinierë më të mirë sesa mendoni. Është krijuar ajo ideja se janë shumë formalë se s’kanë kohë për kuzhinë apo konsumojnë jashtë, por nuk është aspak kështu. Nga ajo që kam parë deri më tani, thuajse të gjithë kanë pasur një raport të mrekullueshëm me kuzhinën. Njihnin edhe ingredientët më të veçantë, të kujdesshëm për proceset delikate në kuzhinë dhe shumë të angazhuara për ta fituar këtë sfidën. Në fakt janë të shumtë emrat që më kanë mahnitur në kuzhinë, do të doja të veçoja ministren Edona Bilali. Një vajzë e re në moshë, e edukuar sa i përket ushqyerjes së shëndetshme, por mbi të gjitha një amvisë e përkryer. Do ta ndiqni edhe ju vetë me sa lehtësi dhe shije i ka realizuar pjatat. Nuk do të doja të përmendja emra sepse nuk dua të ketë hatërmbetje. Mbi të gjitha që shija është edhe pak personale, por mund të them që kam parë pjata të realizuara keq nga vajza të reja. Nuk është as kompleks, as turp të mos jesh i arrirë në kuzhinë, megjithatë nga disa emra të rinj të politikës prisja më shumë në kuzhinë sesa kam parë.

Thatë që ka garë, po batuta ka mes tyre?

Patjetër që po. Madje, batuta me karakter politikë. Kur janë përballë dy përfaqësues kundërshtarë në politikë, gara është edhe më pikante. Aty edhe ngacmimet mes tyre janë më të mëdha. Dhe nga ajo që kam perceptuar edhe nga gara është se të majtët e kanë shumë të vështirë të humbin, e kërkojnë atë fitoren si të jetë një tjetër mandat. E kur kanë përballë një të PD, nuk i shmangin batutat edhe për kundërshtarët, duke ia evidentuar që me ta e kanë të sigurt humbjen. I njëjti refren si dëgjojmë për ditë, vetëm se këtu me nota humori dhe më shijshëm.

Po në backstage si është situata, e tensionuar, janë miq, kanë përplasje, na zbuloni më shumë?

Kjo është një pyetje që ma bëjnë të gjithë në fakt dhe më vjen keq t’ju zhgënjej, por jo, nuk ka momente tensioni. Kalojmë goxha kohë bashkë në fakt dhe ajo që kam vënë re është se gëzojnë një raport shumë të mirë kolegësh. Gjithçka vërtitet rreth emisionit dhe biseda krejtësisht miqësore. Duket se përballjen e vërtetë e bëjnë me kamera ndezur.

Po ngacmime ka pasur ndaj jush nga radhët e politikanëve?

Më vjen keq t’ju zhgënjej sërish, por ky nuk është rasti. Ruaj raporte shumë të mira miqësore me të gjithë të ftuarit që kam pasur. Më respektojnë si mikpritësen e formatit dhe i respektoj si të ftuar. Nuk ka batuta të tejkaluara apo zgjatim të bisedave dhe jam kaq e lumtur që zbuloj një anë kaq dinjitoze të politikanëve tanë.

Sa e vështirë ishte për një miss të ‘zhvishte’ politikanët nga petku i zyrtares?

Mjaftueshëm i vështirë. Duket se edhe politikanët kanë ato gazetarët e tyre të preferuar që zakonisht i japin intervista me karakter politik, ndaj edhe ishte një mision më i vështirë se zakonisht. Më ka rastisur për shembull që të më thonë krejt shkoqur “Po s’jam për këtë punë unë moj vajzë, por ndonjë panel ekonomik ose politik më fto”. Nuk i kam ndeshur paragjykimet e tyre, por duke qenë një vajzë e dalë nga pasarelat edhe mund ta kenë menduar. Pse jo fakti që disa emra shumë të rëndësishëm kanë ardhur në emision për mua është prova më e mirë që çdo vajzë, nga cilado fushë që vjen, mund t’ia dalë më së miri në cilëndo fushë që ajo do të investohej.

Mund të themi që e keni mbyllur me pasarelat?

Patjetër që po. Unë tashmë po investohem si autore dhe moderatore e emisioneve të mia dhe për mua kurora e miss-it dhe gjithçka tjetër që lidhet me pasarelat do të mbetet si një kujtim i bukur dhe oguri më i mirë për gjithë karrierën time. Tashmë është radha e të tjera vajzave që të provojnë të njëjtin rrugëtim.

A është aq e egër sa duket bota e televizionit?

Në fakt, është edhe më e egër sesa duket. Ajo që del në sipërfaqe është gjithçka e kuruar dhe e zbukuruar, por natyrisht që ka vështirësi në çdo hallkë, thuajse si çdo fushë tjetër. Megjithatë, nuk është e pamundur, mjafton vullneti i mirë dhe padyshim që edhe pak talent. Televizioni nuk është për të gjithë, ndaj edhe ato që vërtet ia vlejnë duhet të mbahen fort tek ajo që dinë të bëjnë.

Kemi shkruar shpesh për lidhjen tuaj, por pa mundur të zbulojmë se për kë bëhet fjalë. Kur do ta zbulojë Atalanta partnerin e saj?

Keni bërë gabim që keni shkruar (qesh). Nuk dua të bëhem ‘cliché’ të them që jeta private duhet të mbetet e tillë, por për momentin nuk dua ta fokusoj vëmendjen atje. Krahas angazhimit tim në televizion dhe gjithçka tjetër që unë jam për publikun, nuk mendoj që dikush ka ndonjë kuriozitet të madh të zbulojë më shumë rreth meje. Ndaj për momentin lidhja e vetme që unë kam është me televizionin, kur të kem një lidhje tjetër më besoni që do ta zbulojë vetë (para se të shkruani ju këtë herë).

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu