Problemet mendore janë gati të kapërcejnë ato kardiovaskulare në mbarë botën dhe të rinjtë janë veçanërisht të prekur. Izolimi i periudhës së pandemisë ka prodhuar (dhe vazhdon të prodhojë) probleme pasigurie, vetëvlerësimi dhe vështirësi për të imagjinuar të ardhmen.
Çrregullimet mendore janë në rritje. OBSH vlerëson se, pas pandemisë, ato prekin 1 në 8 persona në botë dhe se në vendet me të ardhura të larta (BE dhe SHBA) rreth gjysma e atyre që vuajnë nuk kanë diagnozë ose nuk trajtohen, një përqindje që rritet në 80-90% në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në veçanti, depresioni dhe ankthi u rritën përkatësisht me 28% dhe 26% krahasuar me periudhën para Covid-it, duke treguar se, ndërkohë që ende debatohet nëse duhet konsideruar periudha e pandemisë ndër shkaqet e drejtpërdrejta të rritjes së problemeve psikologjike në mbarë botën, ishte sigurisht një përshpejtues.
“Transformimi drejt digjitalizimit, pasojë e post-pandemisë, ka shkaktuar jo vetëm një reduktim të ndjeshëm të lëvizjes por edhe një ngarkesë më të madhe emocionale. Lidhja virtuale, në fakt, ka “zbrazur” emocionet dhe kjo, nga ana tjetër, ka lehtësuar zhvillimin e një mendimi me konotacione më pesimiste, duke ndikuar në vështirësinë për të zhvilluar një mendim të gjatë, konstruktiv, të orientuar drejt së ardhmes”, shpjegon Claudio Mencacci, bashkëpresident i Shoqatës Italiane të Neuro-Psiko-Farmakologjisë (Sinpf).
Nga format e ndryshme të depresionit, çdokush mund të vuajnë, pavarësisht gjinisë, moshës, klasës shoqërore, por ajo që ka dalë nga studimet e fundit është se adoleshentët, të moshuarit dhe gjinia femërore kanë vuajtur më shumë nga izolimi social.
“Psikiatria duhet të ndryshojë për t’iu përgjigjur nevojave të reja. Ndër prioritetet është e nevojshme që të ndalohet fillimi i sëmundjeve më herët, duke u fokusuar mbi të gjitha te të rinjtë dhe të punohet jo vetëm për trajtimin, por edhe për parandalimin, duke nisur nga përhapja e stileve të shëndetshme të jetesës. Më pas duhet të luftojmë stigmën, që do të thotë ta njohim sëmundjen mendore si sëmundje dhe t’u japim të gjithëve mundësinë për t’u trajtuar”, shpjegon Emi Bondi, presidente e Shoqatës Italiane të Psikiatrisë (Sip).
Depresioni redukton jetëgjatësinë mesatarisht nga 10 deri në 14 vjet pasi rrit ndjeshëm shfaqjen e katër “vrasësve të mëdhenj” (sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet e mushkërive, diabeti dhe tumoret), rikthimin e tyre dhe gjithashtu shtrimet më të mëdha në spital dhe për këtë arsye, përfaqëson një krizë që kërkon përgjigje në nivele të shumëfishta, duke bërë të nevojshme veprime të përbashkëta për të transformuar qasjet ndaj trajtimit dhe parandalimit të sëmundjeve mendore në nivel global.
Fëmijët sot janë të frikësuar, të çorientuar dhe e gjejnë internetin, mediat sociale dhe videolojërat si një mjet për të lehtësuar vuajtjet dhe pasigurinë, duke përfunduar të varur prej tyre.
Reduktimi progresiv i socializimit, mungesa e marrëdhënieve shoqërore dhe presioni për të pasur një performancë të mirë në shkollë dhe në sporte janë fenomene në rritje, që kanë ndikuar në shëndetin mendor.
“Për këtë arsye, është e nevojshme të monitorohen fëmijët dhe të rinjtë e mbyllur për orë të tëra në dhomën e gjumit të tyre, e cila me ‘ardhjen’ e teknologjisë, nuk mund të konsiderohet më një vend i sigurt.
“Bota dixhitale gjeneron varësi jo ndryshe nga ato të drogës: përfshihen të njëjtat zona të trurit dhe të njëjtët neurotransmetues, dopamina dhe serotonina. Ndër simptomat më të zakonshme janë format e stresit që lidhen me përdorimin dhe mospërdorimin e pajisjeve, zakonin për të gënjyer për përdorimin, humbjen e kontrollit dhe interesave të tjera.
Gjithashtu, ka një rritje të gjerë të sjelljeve antisociale dhe agresive në të cilat fëmijët janë gjithnjë e më shumë protagonistë.
“Shoqëria jonë po përjeton një moment krize dhe tranzicioni në të cilin ka një humbje të sigurisë dhe një përmbysje vlerash. Në krizë janë mbi të gjitha marrëdhëniet “reale” në favor të atyre “virtuale”. Vetmia dhe mungesa e pikave të referimit dhe lidhjeve shoqërohen gjithashtu me kërkimin për famë virtuale, me çdo kusht. Mungojnë marrëdhëniet shoqërore, baza e shoqërisë, ndjenja e të qenit pjesë e një komuniteti. Frazat si “liria ime mbaron aty ku fillon e jotja” duket se i përkasin një bote që nuk ekziston më”, thonë ekspertët.
Konsumi i alkoolit, drogës dhe medikamenteve është në rritje
Vulnerabiliteti i të rinjve rritet gjithashtu nga përdorimi i substancave të tilla si droga, alkooli dhe medikamenteve që merren pa recetë mjekësore.
“Në shoqërinë tonë është zhvilluar një dimension tjetër në përdorimin e drogës, apo substancave të tjera potencialisht të dëmshme, të konsideruara të pranueshme”, shpjegon Massimo Clerici, profesor i Psikiatrisë.
Pranimi tashmë i përgjithësuar se ka substanca “që nuk bëjnë dëm” dhe që mund të përdoren në mënyrë të sigurt, veçanërisht nëse ato dalin nga “tregu i zi” ka hapur rrugën për një ulje të vazhdueshme të perceptimit të rrezikut.