Një intervistë e Deutsche Welles me ambasadorin shqiptar në Gjermani, Artur Kuko për marrëdhëniet me Gjermaninë, mërgatën shqiptare dhe bashkëpunimin me kolegët e tij nga Kosova.
googletag.cmd.push(function() { googletag.display(‘div-gpt-ad-1508592105648-0’); });
Shqipëria është në pritje të çeljes së negociatave. Si pasqyrohet kjo pritje në punën tuaj si ambasador në Gjermani?
Nëse më lejohet t’ju korrigjoja në një formulim. Shqipëria nuk është në pritje, Shqipëria po punon për çeljen e negociatave. Ishte një zhvillim jofatlum që në Këshillin e BE-së në tetor nuk u arrit të merrej një vendim për Shqipërinë, por që nuk përbën asnjë arsye që ne të ndërpresim punën për të realizuar ambicien tonë evropiane. Unë konstatoj një qëndrim tejet inkurajues të autoriteteve gjermane. Këtë e gjej sa në Bundestag, në Kancelari, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Ministrinë e Ekonomisë, në të gjitha institutet dhe institucionet e tjera që, në një mënyrë ose një tjetër, janë të përfshira në vendimmarrjen për perspektivën evropiane të Shqipërisë. Pa dashur të jem i anshëm, meqë jam i akredituar në këtë vend, do të thosha që nëntë pikat e rezolutës së Bundestagut përbëjnë një platformë, të cilën, në perceptimin tim, e ka përqafuar jo vetëm qeveria, por edhe opozita. Këto nëntë pika përbëjnë ingrendientë thelbësorë për të rritur bashkëpunimin politik të klasës politike shqiptare.
Në fushën politike këmbimet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë janë shumë të mëdha, në planin ekonomik duket se ato po rriten në nivele shumë të ulëta. Madje nëse e krahasojmë me Maqedoninë e Veriut, shkëmbimi tregtar me Gjermaninë është shumë i ulët, po ashtu edhe niveli i investimeve nga Gjermania. Si e shpjegoni ju këtë?
Nuk jam i kënaqur që ka një mospërputhje midis nivelit shumë të lartë të dialogut politik midis Gjermanisë dhe Shqipërisë dhe nivelit të shkëmbimeve tregtare, por edhe pranisë së kapitalit gjerman në Shqipëri. Arsyet mund të jenë të shumta. Por ne po punojmë për ta ndryshuar këtë gjendje. Jemi duke përgatitur dy konferenca shumë të rëndësishme me karakter ekonomik. Një në Bavari të cilën duam ta zhvillojmë në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe me qeverinë e Shtetit të Lire të Bavarisë. Dhe një konferencë tjetër, që do të zhvillohet në verën e vitit të ardhshëm në Baden-Württemberg. Janë dy konferenca shumë të rëndësishme që synojnë ta bëjnë Shqipërinë të njohur, nëpërmjet një dite kushtuar Shqipërisë, ku do të ketë edhe aktivitete kulturore, por edhe aktivitete me natyrë ekonomike, me ambicien që ta sjellim Shqipërinë në rrethet ekonomike, qoftë të Baden Württembergut, qoftë të Bavarisë. Por edhe me ambicien që të jemi në gjendje t’i tregojmë nga afër investuesve potencialë në lidhje me atë çka ofron Shqipëria: Një vend ku duhet dhe mund të investohet.
A ndikon situata politike në këtë mosinteresim të Gjermanisë për të investuar në Shqipëri?
Përshtypja ime është se kapitali privat nuk është i ndikuar politikisht, kapitali privat shkon atje ku është fitimi. Pjesa tjetër është strategji marketingu dhe një administratë që është e shkathët, që është në gjendje të ofrojë shërbimet e kërkuara. Një sistem ligjor që është në përputhje me ambiciet e kapitalit për fitime dhe reforma e sistemit të drejtësisë do të ketë një impakt të padiskutueshëm në rritjen e pranisë së kapitalit gjerman në Shqipëri.
Diaspora shqiptare është rritur shumë vitet e fundit. Vetëm këtë vit sipas destatis janë shpërngulur nga Shqipëria në Gjermani afro 8 000 (neto) shtetas shqiptarë. Është rritur edhe në aspektin cilësor. Çfarë po bëni ju për t’i mbajtur lidhjet apo për të shfrytëzuar potencialin e tyre në dobi të vendit?
Është e vërtetë, që numri i shqiptarëve është rritur shumë. Kjo del nga vëmendja e medias, sepse shumica e tyre, megjithëse janë shumë të suksesshëm në profesionet e tyre, janë modestë dhe nuk i bëjnë reklamë vetes. Ky është një potencial i madh dhe unë do të thosha pa hezitim, se këta mjekë të mrekullueshëm, shkencëtarë apo artistë, që po na përfaqësojnë sot anembanë Gjermanisë në mënyrë dinjitoze, janë ambasadorët më të mirë të çështjes shqiptare. Ne po hartojmë aktualisht një platformë të përbashkët me ambasadën e Republikës së Kosovës që do të dalë në javët e ardhshme e që synon pikërisht adresimin e çështjeve të diasporës në zbatim të strategjisë së konkorduar midis Kosovës dhe Shqipërisë në lidhje me diasporën.
Kur do të dalë kjo platformë?
Besoj se brenda vitit.
Mund të na thoni disa nga pikat kryesore të saj?
Promovimi i kulturës shqiptare, ndihma edhe përkrahja e arsimit plotësues të gjuhës shqipe në të gjithë Gjermaninë, një përpjekje për të identifikuar subjektet të spikatur të diasporës që janë në gjendje të investojnë kapitalin e tyre në Shqipëri dhe në Kosovë.
Një sfidë është edhe çështja e mësimit të shqipes në shkolla. Si mund të plotësohet kjo kërkesë në rritje e shqiptarëve?
Është një proces që kërkon në radhë të parë krijimin e subjekteve që do të përfitojnë nga kjo. Këto subjekte duhet të trokasin në dyert e autoriteteve gjermane, pra, të regjistrohen. Të kërkojnë ndihmën dhe asistencën financiare në qoftë se u takon. Ndërkohë, ne, nga perspektiva jonë, jemi të gatshëm edhe të disponuar që të mbështesim çdo përpjekje të kësaj natyre me literaturë arsimore, me libra dhe material tjetër didaktik të nevojshëm.
A do të jeni në gjendje të ngrini një institut të kulturës shqiptare?
Ky është një gur në një rrugë që nuk fillon sot, jemi në një stacion të kësaj rruge. Jam i bindur që pasardhësi ose pasardhësja ime do të vërë një gurë tjetër në këtë rrugë.
Një çështje tjetër që prek po këta imigrantë është ajo e njohjes së patentave. Kur do të realizohet njohja e patentave?
Është një tematikë që ne i jemi kthyer duke filluar nga fillimi i vitit 2018. Jemi në kontakt intensiv me autoritetet gjermane. Unë në fillim të dhjetorit do të zhvilloj një takim në nivel të lartë. Nuk është proces i lehtë, sepse për vetë specifikën e Gjermanisë, kalon nëpër të gjitha landet e Gjermanisë para se të vijë në vendimmarrje përfundimtare tek qeveria federale por jemi në kontakt intensiv.
Kjo vlen edhe për dhënien e provimit në gjuhën shqipe? Ju keni nisur një nismë të përbashkët me homologun tuaj nga Kosova, Beqë Cufajn. Në cilin stad ndodhet kjo çështje?
Po. Ne i kemi drejtuar një letër të përbashkët autoriteteve gjermane me kërkesën që si një zgjidhje tranzitore deri në homologimin të pranohet gjuha shqipe si gjuhë për dhënien e provimit. Edhe për këtë jemi në kontakt me autoritetet gjermane.
Përveç pjesës së migrantëve të suksesshëm, shqiptarët janë numri një ndër migrantët që janë kapur në vitin 2018 me tregti kokaine me shumicë. Madje në raportin e vjetor të kriminalistikës, Enti Federal i Kriminalistikës i ka kushtuar faqe më vete krimit të organizuar nga Shqipëria. Sa shqetësuese është kjo çështje për ju?
Pyetja është sensitive. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me autoritetet gjermane. Agjencitë e ligjzbatimit të Republikës së Shqipërisë janë në kontakt 24 orë, shtatë ditë në javë me autoritetet gjermane. Ky nuk është një fenomen që mund të luftohet individualisht, është një fenomen që kërkon reagim të organizuar dhe bashkëpunim ndërkombëtar dhe unë jam i mendimit që Shqipëria ka qenë, mbetet dhe do të vijojë të mbetet një partner i besueshëm i autoriteteve gjermane.