Ambasada Gjermane plot me aplikantë, 500 mijë shqiptarë braktisin vendin

0
Gjigandi

500 mijë shqiptarë kanë braktisur vendin në harkun kohor të 1 dekade, respektivisht nga vitet 2010 deri në vitin 2020. Këto janë të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT e EUROSTAT, ndërsa numri i të larguarve nga vendi mund të jetë edhe më i lartë, në raportet që priten të publikohen në vijim. Gjermania është një nga vendet pritëse për emigrantët shqiptarë që zgjedhin një vend Evropian për të jetuar e punuar. Madje, në një njoftim para disa ditësh, Ambasada njoftoi lehtësimin e procedurave për një sërë procesionesh, si mjekë, infermierë e dado për fëmijët. Në Ambasadën Gjermane në Tiranë radhët janë të gjata.

Qytetarët presin për të marrë një vizë punësimi ose bashkim familjar. Ky zotëri ka 5 vite që është shkëputur nga e shoqja, e cila jeton në Gjermani e punësuar si kuzhiniere. Ai tha se bëri aplikim për bashkim familjar, ku bashkë me fëmijët pret të jetojë atje. Një nga arsyet e largimit sipas tij, janë kushtet e vështira në të cilën ndodhet vendi.

Edhe kjo e re bëri aplikim për bashkim familjar e është në pritje të përgjigjes. E mërzitur, kjo grua tregon se aplikimi për bashkim familjar nuk iu pranua, edhe pse dëshirën e madhe e kishte që të bashkohej me vajzën, që prej disa vitesh punon si punonjëse dentare në Gjermani.
Për sociologun Gëzim Tushi, largimi i shqiptarëve, kryesisht të rinjve nga vendi ndodh për një sërë arsyesh, kryesisht nga mungesa e perspektivës për të ardhmen. Ai nënvizon se shteti duhet të ndjekë politika të tjera, në mënyrë që të motivojë të rinjtë të qëndrojnë në vendin e tyre.

Burime nga Ambasada thanë se një nga mënyrat që shqiptarët largohen për në Gjermani, është me anë të agjencive të punësimit, që sigurojnë kontratat e punës dhe zbatojnë të gjitha procedurat e nevojshme. Ndërsa në radhë për një vizë gjermane, kishte të diplomuar për infermieri, kuzhinë e mjekësi, që e shikonin largimin nga vendi si një zgjidhje e favorshme për një jetesë më të mirë./nesw24

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu