Alibia e “komisioneve parlamentare”

0
Gjigandi

Nga BEDRI ISLAMI

Botuar në DITA

Që opozita, cilado qoftë ajo, ka të drejtën e ngritjes së komisioneve parlamentare, këtë e di gjithkush. Nuk është temë tabu, megjithëse në kaq shumë vite, asnjë komision hetimor parlamentar nuk ka bërë diçka të duhur, e cila mund të ketë shërbyer më pas për të ngritur një rrugë të re në politikë, për të shkuar drejt një rezultante të duhur. Komisionet kanë qenë në të shumtën e rasteve pengu i politikës, herë për të shuar gjakrat e herë për të nxitur ato; ata më shumë i kanë shërbyer politikës së ditës, se sa të perspektivës. Janë ngritur në çaste zemërimi, kur pushtetit i është dashur të delegojë problemet në një rrugë tjetër, si ndodhi me komisionin e posaçëm parlamentar për vrasjet e 21 janarit, si ndodhi me një komision të famshëm që as nuk filloi punën për masakrën e Tivarit, ku “historianë të zellshëm” shqiptarë, jo rastësisht të ardhur si pinjollë të Ballit Kombëtar krimin , ndoshta me porosi ua hoqën forcave serbe dhe ia deleguan partizanëve; si ka ndodhur me të gjitha komisionet. Edhe tani, megjithëse në të drejtën e saj për të ngritur komisione parlamentare, Berishës më shumë se sa vetë ngritja e komisionit , i duhet legjitimi  si forcë politike në parlament, që pas shpalljes së tij dhe familjes biologjike si “ non grata”, është në një fushë ku gjithçka është e mbyllur.

Më shumë se sa nga droja se mos komisionet parlamentare mund t’i prishin punë shumicës qeverisëse, halli i kësaj të fundit është të lërë deri në fund, jashtë lojës, pikërisht figurën e liderit të Foltores, me të cilin nuk duan të bashkëpunojnë, qoftë edhe duke u mbështetur te  non grata e këtij të fundit.

Por thelbi i gjithë luftës së opozitës nuk janë komisionet e mohuara. Edhe nëse do të ishte, kjo është errësuar me luftën që vetë kreu i tyre po i bën drejtësisë. E luftën e shpallur Berisha nuk e ka me komisionet, që e di se janë deri më tani një hiç, por me drejtësinë. Të vërtetën ai nuk e shpall dot në sallën e gjyqit, por e lëshon në sallën e Kuvendit, në korridoret e tij, në dhomat ku bëhen mbledhjet e zakonshme të komisioneve të përhershme parlamentare, në hedhjen e gazit lotsjellës, në ngazëllmin e tij se po mund një të vërtetë, në rrokullisjen e karrigeve, në pengimin e fjalës, në mohimin e pjesëmarrjes së opozitës, në gjithçka që mund të vrasë frikën, të dëshmojë forcën dhe të sillet ende si bajraktar i politikës shqiptare.

RonaTyra

Në të gjitha konferencat e shtypit të Berishës alfa e bisedës së tij është drejtësia, dhe omega dënimi i saj. Në krejt pak ditë ai ka hedhur dhjetra e qindra akuza, nga më të padëgjuarat, herë herë të pazakonta, si është në stilin e tij të politikës, për të mposhtur drejtësinë, jo për ngritjen apo mos ngritjen e komisioneve parlamentare. Berisha po tërheq nga halli i tij, që duket se është i madh, ndaj të cilit ai ndjen frikën, që përpiqet ta mposhtë me rrëmujën në parlamentit, kërcënimet agresive, dhe, mbi të gjitha, me fjalorin huligan të hakmarrjes.

Askush nuk e beson se lufta e Berishës është për të drejtat e mohuara opozitës. Askush nuk e zhvendos të vërtetën nga halli i Berishës tek hallet e opozitës. Sido që të mund të përshfaqen njerëzit pranë Berishës, vetë halli i tij mbisundon në atë që mund të ishte kali i betejës së Foltores apo Rithemelimit. Në ëndërr askush nuk sheh komisionet hetimore të parlamentit, se kush do të jetë në grupin e ngritur për reformën në Kodin Zgjedhor , cili do të jetë përfaqësuesi zyrtar e kush do të jetë i njerkës edhe brenda opozitës. Ëndrra e tyre më e keqe është fati i Berishës, çka është edhe ëndrra mizore në mendësinë e vetëatij.

Sepse, duan apo nuk duan , opozita është e lidhur pas një njeriu, pas fatit të tij, dhe, nëse ai rrokulliset, atëherë do të ketë rrokullisje të përgjithshme. Vetë Berisha e ka lënë forcën e tij politike në këtë gjendje, të lidhur pas Njëshit, ka bërë që shumica të mendjnë si mendon ai, të flasin si flet ai, të ngazëllehet kur ai është i ngazëlluar, të gëzohen kur ai gëzohet, të dhëmojnë kur ai gjëmon, të struken kur ai vetë struket, të jenë të padinjitetshëm, kur ai ua heq dinjitetin përmes bubullimës së sundimit të tij.

Kërcënimet që i bëhen sistemit të drejtësisë, sidomos SPAK-ut, më shumë se gjithçka tjetër janë të tipit fashist, të ekstremit fashist. Ata vijnë menjëherë pas kërcënimeve të përsëritura të Berishës, shkojnë deri te zëdhënësit e tij medialë, që bëjnë thirrje të hapura për linçimin fizik të prokurorëve dhe hetuesve, kalojnë më tej, në synimin për të degraduar figurën e tyre dhe për të ngjallur ndjenjën e hakmarrjes nga qindëshet e zeza të metingashëve, që herë janë gazetarë, herë tjetër ish gardistë, e jo rrallë edhe figura të politikës.

Krijimi i një rrejeti paramilitarësh, që u synua të ishte frocë goditëse, tani është shnderruar në forcë mediale dhe politike, gjë që ka sjellë në rrezik jetën e elitës së drejtësisë, por edhe ka hedhur poshtë çdo synim të opozitës për të legjitimuar aksionin e tyre opozitar me gjëra madhore që lidhen apo nuk lidhen me të drejtat e sanksionuara të opozitës në kushtetutën e këtij vendi.

E çuditshme është që gazetarë të njohur, të cilët bëjnë thirrje për revansh dhe linçime jo vetëm politike , nuk janë Asnjëherë shqetësim i strukturave të gazetarisë, shoqata apo çfarë janë, të cilat tryzohen më shumë për rolin e gardistëve, se sa për ndjelljet fatkobe që bëhen prej vetë atyre.

Berisha i miklon këto qëndrime. Çfarë ka sjellë përmbysjen e gjërave. Askush nuk e beson luftën e opozitës për parime, kur shefi i tyre gjithë ditën e gjithë natën kërcënon sistemin e drejtësisë, ndjell kob me emra të veçantë prokurorë dhe gjykatës, sulet kundër tyre një lukuni e tipit mental fashist, ndërsa të njëjtët asnjëherë nuk u intereson shkelja e së drejtës opozitare për të legjitimuar veten.

Njeriu që ka frikë nga e nesërmja nuk është Edi Rama. Kështu si kanë shkuar punët ai do të heq dorë nga pushteti vetëm kur të lodhet vetë ai, apo kur institucione ndërkombëtare do të mendojnë se është më i vlefshëm diku tjetër. Ata që nuk kanë frikë nga e nesërmja nuk është SPAK apo Gjykata e Posaçme kundër krimit dhe Korrupsionit. Sikur asgjë të mos kenë, pas tyre qëndron një sistem i tërë institucionesh ndërkombëtare. Figurat e tyre janë shqyrtuar me vemendje të veçantë dhe nuk kanë pritur Berishën të tregojë se ku ka punuar dy vitete  para të jetës së tij Arben Kraja dhje çfarë ka bërë ai. Në këtë institucione , që janë garanci e punës, por edhe e jetës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, mund të gjenden dokumenta të tjerë, që , nëse dalin një ditë, shumë zëra do të heshtin. SPAK- u e ka vrarë frikën ndaj vetes, por ndaj tij kanë frikë. Frikën më të madhe e kanë ata që bëjnë bujë më shumë, që e anatemojnë mëngjes, drekë e darkë, që e kërcënojnë si fashistë të regjur, që lejojnë linçimin e tyre politik, për të shkuar drejt eleminimit edhe fizik….

Berisha e ndjen frikën më shumë se kushdo. Nuk është në hallin e tij u ngritën apo jo komisionet e posaçme parlamentare, nëse është Bardhi apo Basha shef i grupit parlamentar, nëse Alibeaj vjen nga një trung fashist apo Aldo Bumçi është i trembur.

Të gjitha këto janë kauza që nuk i interesojnë. Ai ka hallin e tij vetjak dhe të familjes së tij. Asnjë hall tjetër nuk e mbolun trazimin dhe halucinacionet e tij politike. “Palltoja” e ligjshme e të drejtave të opozitës nuk hidhet dot poshtë para hallit të tij.

Kaq i madh është ky hall sa që prej kaq ditësh po fshihet ndaj policisë gjyqësore, sikur të ishte njeriu i padukshëm, që pret të mbyllet çështja e tij përmes një procedure qesharake.

Është edhe frika e tij.

—–

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu