Klodiana Vefa, 36-vjeçe, është shqiptarja e vrarë me armë mbrëmjen e kaluar në trotuarin poshtë pallatit ku banonte në Katelfiorentino në Itali. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të enjtes dhe dyshohet se autor i krimit është bashkëshorti i saj shqiptar Alfred Vefa, 45-vjeç.
Mediat italiane bëjnë të ditur se e reja u qëllua me tre plumba pistolete sapo zbriti nga banesa e saj, njëri prej të cilëve i preku fytin dhe e la të vdekur në vend. Siç dëshmojnë banorët e zonës, para krimit ajo pati një zënkë me një burrë në banesën e saj, i cili është edhe autori i krimit. Më pas, ai u largua nga vendngjarja me një makinë Golf të bardhë, duke marrë me vete edhe armën e krimit.
Dyshimet e hetuesve se autor i vrasjes është bashkëshorti i saj, përforcohen edhe nga fakti se ai është i paarritshëm në telefon dhe nuk gjendjet në asnjë vend dhe kjo i ka detyruar ata ta shpallin në kërkim.
Miq të Klodianës thanë për mediat se çifti ishte në proces divorci pas një martese 20-vjeçare, pasi ishin dashuruar në Shqipëri. Alfredi ishte xheloz dhe mes tyre ka pasur zënka të shpeshta dhe disa herë të dhunshme.
“Ai nuk arrinte të hiqte dorë, vijonte të ishte shumë xheloz”, tha një mikeshë e shqiptares për mediat.
Çifti kishte 2 fëmijë, një djalë dhe një vajzë përkatësisht 17 dhe 14 vjeç. Ishte vajza ajo që e pa e para trupin e të ëmës të pajetë dhe njoftoi të vëllain në telefon.
Alfred Vefa, prej kohësh nuk jetonte në banesë me bashkëshorten dhe fëmijët. Klodiana punonte si kamariere në një piceri të zonës dhe jetonte në Itali prej 17 vitesh.