Alfred Uçi, personaliteti i rrallë i letërsisë dhe kulturës shqiptare…

0
Gjigandi

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

 

Ndryshe gjithë brezit krijues dhe plejada e kulturës shqiptare, e cila krijoi fondamentin më të rëndësishëm të letërsisë, por dhe të kulturës shqiptare pas vitit 1945, prof. dr. Alfred Uçi është figura më komplekse e kësaj kohe, i cili nuk ngjan as me poetët e shkrimtarët, duke qenë pak më shumë se studiues, pak më shumë se kulturolog, pak më shumë se estet dhe studiues i traditës, dhe folklorist, filozof dhe ‘interpretues’ i kulturës shqiptare në thelbin dhe kompleksitetin e saj.

Askush më shumë dhe më me kompetencë se profesor Alfred Uçi nuk arriti që të pleksë, të vejë në unison, në komunikim dhe në zgjatime të njëra-tjetrës traditën  me kohën e tij, lidhjet dhe gjenealogjinë e kulturës popullore me letërsinë e kultivua, estetikën që ka konservuar folklori me letërsinë bashkëkohore, raportet bazike që estetika e trashëguar ka pasur dhe vazhdon të ketë me kulturën dhe rrugëtimin modern të letërsisë shqiptare. Duke qenë një njohës i thellë dhe në ind i estetikës dhe burimet e hershme që gjenden në të, profesor Uçi krijoi burimet shkencore të njohjes dhe ndërtimit të psikologjisë jetike të artit të trashëguar shqiptar në të gjithë domenin e vet me atë të ditëve të sotme.

Në korpusin e punimeve dhe kontributeve shkencore të profesor Uçit shquajnë libra të tillë, si: “Estetika, Jeta, Arti” (1969), “Probleme të estetikës” (1976), “Labirintet e modernizmit” (1979), “Mitologjia Folklori Letërsia” (1982), “Çështjet teorike të kulturës” 91986), “Estetika, Vëll I, II, III (1986-1988), “Shekspiri në botën Shqiptare” (1996), “Dostojevski në kohën tonë” (1997), “Ferr-Parajsa Danteske” (1998), “Prometheu dhe Hamleti” (Athinë, greqisht 1998), “Grotesku kadarean” (1999), “Estetika e groteskut” (Vëll I-IV, 2000), “Estetika në letërsinë shqipe” (2001), “Parimet e Estetikës e J. D. Radës” (2003), “Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe” (Shkup 2003), “Filozofia e Kavaliotit” (2004), “Universi estetik” (Vëll. I, II, III, 2004-2007), dhe “Estetika e folklorit” 2007.

RonaTyra

Pjesën më të madhe të korpusit të librit shkencor mbi letërsinë, kulturën, folklorin dhe autorë të veçantë të letërsisë, shquajnë dhe më së shumti janë libra të estetikës, dhe si i tillë, i gjithë personaliteti i prof. Uçit është ndërtuar dhe percepton njërin nga eruditët më të rëndësishëm të dijes estetike shqiptare, që është ai vetë. Në kulturën dhe letërsinë e një populli estetika përveçse zbulon vlerat që kultura dhe letërsia ka, ajo e kodifikon atë, e bën të perceptueshme dhe i siguron rrugëtimin nëpër kohëra dhe nëpër kultura të tjera.

Prof. Alfred Uçi, siç dhe mund të kuptohet nga ky korpus librash shkencorë, ka një jetë së hulumtuari, shkruari dhe debatuari për çështjet e procesit letrar, për çështjet letrare në përgjithësi, kur letërsisë shqiptare i është dashur të prekë një ndryshim esencial, për problemet e rishkrimit të dukurive, fenomeneve dhe koncepteve fondamentale të letërsisë, të kulturës shqiptare në përgjithësi dhe veçmas të folklorit, pa harruar dhe fenomenet krijuese të letërsisë shqiptare, si: Migjeni, Kadare, De Rada, Kavalioti, konceptet estetike në veçanti, parë në një këndvështrim më gjithëpërfshirës dhe të kulturës moderne bashkëkohore-perëndimore. Parë në këtë këndvështrim, prof. Uçi të njofton prezencën e një fenomeni studimor dhe shkencëtari jo të zakonshëm, në një rrugëtim të gjatë në vetë rrugën që ka bërë kultura shqiptare në përgjithësi.

Përballimi i një prurjeje të madhe estetike dhe kulturore të pas viteve ’90-të në kulturën, dijet dhe letërsinë shqiptare nga kultura dhe letërsia perëndimore, tregon se ai nuk i është shmangur asnjë lloj vështirësie, duke reflektuar një intelektualizëm bashkëkohor, duke mos iu shmangur asnjë vepre të tij, të shkruar në kohën e kufizimit kulturor-letrar, përkundrazi duke dëshmuar një konkretësi shkencore, dhe ajo që është më e rëndësishmja në këtë rast, duke vazhduar së pasuruari opusin e tij shkencor mbi veprat që janë shkruar apo nisur të shkruhen që në kohën totalitare, të cilës ai i mbijetoi me intelektualizëm dhe zgjuarsi prej shkencëtari të mirëfilltë, tregon se ai ka qenë mjaft njohës dhe i mirinformuar për gjithë kulturën dhe zhvillimet moderne të letërsisë botërore.

Si i tillë, prof. Alfred Uçi është profili i studiuesit dhe filozofit, që në çdo rast të bëhet miku më i mirë dhe më i nevojshëm, i pranishëm në librin e punës në tavolinë, që nga fillimet e studimeve e deri në fundin e tyre. Estetika, të cilën ai e ka bërë një mësim të rëndësishëm për krijuesit dhe kulturën, mbetet një kanon i përjetshëm në jetën krijuese dhe atë kulturore të krijuesit dhe kulturës së një vendi a një kombi. Rrugët e letërsisë dhe folklorit kryqëzohen në çdo rast me mendimin estetik të profesor Uçit.

Një shërbim i vyer, madje i pazëvendësueshëm që profesor Alfred Uçi i ka bërë letërsisë shqiptare, kulturës, lidhjes së fortë që ajo ka me kulturën popullore dhe folklorin është aftësia për t’i lidhur kohët kulturologjike dhe letrare në një udhëvazhdim të pandërprerë, pasi letërsia e kultivuar shqiptare mbart në lindjen dhe rrugëtimin e saj indin e kulturës popullore, tharmin e saj estetik dhe komunikues.

Kështu, Prof. Uçi i ka ardhur në ndihmë dijes filologjike, kulturore dhe folklorike në një kohë për të cilën ajo ishte e nevojshme, jo vetëm për shkak të përvojës, por dhe të rrugës që asaj i duhej të ndiqte. Kontributet studimore dhe shkencore të tij ishin një fat i madh për studiuesit, lexuesin, trupën akademike, studentët dhe njerëzve që u morëm me letërsinë dhe kulturën në përgjithësi. Letërsia perëndimore dhe korifenjtë e mendimit, jo se nuk kishin arritur të depërtonin në Shqipëri që më herët, por në mjediset e dijes shkollore dhe universitare, kërkohej një “ndërmjetësim” inteligjent dhe me horizont, dhe këtë, askush nuk mund ta bënte më mirë se sa e bëri dijetari ynë prof. Uçi.

Në kulturën dhe letërsinë shqiptare një moment i rëndësishëm, i cili duhej interpretuar me kujdes ishte viti 1990, vit i cili përveçse krijonte një raport të ri dhe mjaft të rëndësishëm me kulturën dhe letërsinë moderne (e refuzuar deri në atë kohë në Shqipëri), krijonte po ashtu dhe një hendek të madh me trashëgiminë disa vjeçare kulturologjike dhe të letërsisë shqiptare, po ashtu dhe shumë studiues i vendoste përpara vetvetes, njëri prej të cilëve ishte dhe prof. Uçi.

Por, siç dhe mund të kuptohet nga një lexues inteligjent, prof. Alfred Uçi ka lexuar, studiuar, punuar, debatuar, ka botuar libra e studime në kohën e sfidës së madhe të kulturës dhe letërsisë shqiptare, me vetveten, e jo më kot, akademiku Dritëro Agolli, e sheh kështu kalorësin e dijes dhe të shkencës Alfred Uçi në sfidën pas viteve ’90-të: “Ndërrimi i sistemeve politiko- shoqërore, nga ai totalitar në demokratik, atë e gjeti të begatë me qyrk dhe nuk e gjeti leckaman të uritur me një lugë në brez për të ngrënë një tas me çorbë. E kam fjalën se e gjeti të begatë me disa vëllime librash për çështjet themelore të estetikës dhe të letërsisë, të cilat ishin pothuajse të panjohura. Nga ata libra filluan të njiheshin jo vetëm kategoritë estetike dhe objekti i estetikës, por edhe disa probleme të mprehta, që kishin të bënin me procesin letrar dhe me kritikën e asaj kohe. Ato me ndonjë kufizim, i detyruar nga rrethanat e atëhershme të cenzurës dhe të autocenzurës nxitnin njerëzit të mendonin dhe të dyshonin për shumë gjëra a të shenjta”. Fjala vjen, kur teoricienët partiakë dhe drejtuesit partiakë nuk pranonin tragjiken në socializëm, Alfred Uçi shkruante për tragjiken, si një nga kategoritë themelore të estetikes …”, pra prof. Uçi  e kishte fituar këtë betejë që më herët.

Përveç librave shkencorë dhe hulumtues teorik, por dhe të profileve të caktuar të letërsisë shqiptare, ku shquan Kavalioti, Kadare dhe J. D. Rada, dy janë kontributet më madhore dhe më të rëndësishme të studimit shkencor të prof. Uçit, libri i parë shkencor i tij “Estetika, Jeta, Arti” (1969), dhe libri tjetër i titulluar “Estetika e Folklorit” (2007), dy libra në dy cepat e largëta kohore, dy libra në unazat e të cilëve celebrohet letërsia dhe kultura popullore (folklori), që për fatin e mirë shkencëtari i njohur ka arritur të krijojë një simbiozë dhe bashkëjetesë tek njëra- tjetra. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u vlerësuar, për t’u kuptuar dhe për ta konsideruar një shërbim të rëndësishëm, që autori i ka bërë kulturës shqiptare në përgjithësi.

Për një shkrimtar, dramaturg, poet, studiues dhe kritik qoftë, ka një krye-libër, një bashkë-udhëtues i krijimtarisë artistike, një “gjykues” me mençuri për letërsinë, zhvillimet letrare dhe artin në përgjithësi, e ky krye-libër është estetika, një fushë dijeje ndër më të vështirat, ndër më të ndërlikuarat, ndër më të rëndësishmet, të cilin në një rrugëtim të vështirë, nën një darë të fortë konceptesh me kohën, kodifikimet dhe përzgjedhjet më të nevojshme në kulturën botërore dhe atë shqiptare të trashëguar më së shumti, që vinte nga kohët e errëta tonat. Në interpretimet estetike dhe perceptimet e kategorive estetike të profesor Uçit ka një referim të gjerësishëm dhe një kulturë të thellë e elitare të nxënit, pasi estetika propabilon dijet estetike dhe përvojën krijuese historikisht në kulturën popullore dhe atë të kultivuar.

Prof. Alfred Uçi është pionieri, studiuesi, filozofi i dijes estetike, studiuesi dhe autori i librit më të rëndësishëm të zhvillimit të letërsisë shqiptare, të “Estetikës” në disa vëllime dhe botime, një tekst shkencor, akademik dhe i përdorimit universitar të dijes në përgjithësi, një tekst i cili ishte i detyruar të shkruhej nën kushtet e një kufizimi ideologjik të fortë, por që, akademiku dhe filozofi i njohur arriti ta “mbrojë” atë, duke arritur të sjellë për kulturën shqiptare koncepte bazike dhe të domosdoshme të estetikës, përvojës dhe interpretimit të saj. Estetika e kodifikon kulturën, folklorin dhe letërsinë, i bën universale dhe komunikuese ndër kohë dhe ndër kultura popujsh.

Në këto rrethana, veçmas të kulturës popullore, mendoj se folklori shqiptar ka qenë me fat, pasi një kontribut të rëndësishëm studimor dhe shkencor, për çështje fondamentale dhe thelbësore të tij, ka dhënë prof. Alfred Uçi, pasi studimet folklorike, pavarësisht tendencave dhe kontributeve të hershme në nevojat për ta mbledhur atë, pas viteve 1944 kërkonin një riorganizim të nevojshëm, lidhur me çështje të rëndësishme, mbi koncepte shkencore dhe argumente, pasi nëpër një rrugë të tillë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë dhe folklori në popujt e tjerë ballkanik dhe europian. Ky kontribut pas viteve 1960 kërkonte njerëz me dije dhe studiues për të përballuar kohën.

Kthimi në kohë, tregon sa e vështirë ka qenë, pasi folklori ka të bëjë me një krijimtari të hershme njerëzore, anonime, me histori, ngjarje, konstitucion shpirtëror të hershëm dhe të rëndësishme për shoqërinë tonë, për psikologjinë popullore, për pasurinë e trashëgueshme, me të cilën është e lidhur shumë struktura sociale dhe ajo njohëse e popullit tonë, etnopsikologjia, prandaj konceptet bazike të folklorit duhet të ishin (dhe të jenë) të mirë- orientuara, të qarta, korrekte dhe gjithëpërfshirëse, në lumin e teorive të shumta që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë ende për folklorin. Profesor Uçi në këtë drejtim ka një kontribut të çmuar dhe të pazëvendësueshëm, pasi ai gjatë gjithë jetës ka hulumtuar dhe ka përmbushur dijet mbi estetikën. Vetëm pas viteve “90-të ai ka shkruar dhe botuar dyfishin apo më shumë libra shkencorë që kishte shkruar dhe botuar para viteve ‘90-të.

Libri studimorë “Estetika e folklorit”, prek çështje thelbësore të folklorit, që përveç rëndësisë që ai i jep folklorit, tregon se studimet për të janë ende të paplota nga njëra anë, ndërsa këndvështrimet bashkëkohore janë po kaq të shumta, si nga pikëpamja burimore historike, po ashtu dhe në rrafshin e sinkronizimit të vet. Debatues, konsekuent, bashkëkohor me dijet më të fundit të zhvillimeve kulturologjike, botimi “Estetika e folklorit” në vitin 2007 është një vepër me kapacitet të plotë shkencor, e cila vijon të plotësojë një punë 50- 60 vjeçare të studiuesit mbi çështjet estetike në folklor, si njërin nga burimet më fondamentale, më të rëndësishme të kulturës popullore dhe krijimtarisë artistike. Reflektues i tri çështjeve të zhvillimit kulturologjik dhe letrar të vendit, përmes tematizimit “Mendimi estetik në poezinë popullore”, “Epika heroike në folklorin shqiptar” dhe  ”Folklori dhe letërsia e kultivuar” gjithashtu nyjëtojnë lidhjen e fortë të këtij zhvillim dhe raporti, që studiuesi Uçi i debaton, i hulumton dhe ka mendimin e tij shkencor dhe intelektual.

Në librin në fjalë ka një hulumtim të rëndësishëm për thelbin që mbart folklori, krijimtaria popullore, si një arkiv brenda së cilës është jeta e hershme dhe në vazhdim e popujve, të cilën ai e prek në thelb që në librin tjetër “Mitologjia, Folklori, Letërsia”, botuar që në vitin 1982, veçmas me atë që folklor lidhet drejt për së drejti me mitologjinë, një pasuri e madhe e dijes njerëzore, e cila është studiuar dhe vazhdon të studiohet nga të gjitha fushat e dijes, pasi përmes saj duket se ka akoma një lloj komunikimi dhe në ditët e sotme. Profesor Uçi argumenton se, marrëdhënia e mitologjisë është e gjerë dhe e shumanshme, duke na referuar dhe nevojën për të ditur lidhjet e saj me zhvillimin, veçanërisht atë folklorik, por përmes një lloj dialektike dhe njohjeje filozofike të kushtëzuar. Në librin “Estetika e folklorit” të prof. Alfred Uçit ka një pasqyrë të gjerë dhe rehatuese në zhvillimin e në mënyrë të veçantë mbi raportet e mitologjisë me folklorin, prej të cilës rrjedhin të gjithë burimet e shumta të kulturës dhe të letërsisë në përgjithësi. Në libër shpeshherë përdoret një term i ri shkencor “mitologjema”, e cila ka të bëjë me mitologjinë bashkëkohore, të lidhur fort dhe me çështjen “Origjina dhe struktura e mitologjisë”, ku studiuesi sheh të arsyeshme të ri-përmendë përsëri fjalën “mit”, me të cilën shënohen rrëfime, gojëdhëna të hershme parahistorike të fiseve primitive mbi ngjarje, dukuri, të ndodhura apo të pa-ndodhura të njerëzve dhe të natyrës. Në historinë e studimit, mitologjia klasifikohet në arkaike, klasike dhe bashkëkohore.

Kjo mbartje kohësh, njohjesh dhe mendimi, po ashtu dhe raportesh filozofike, shkak- pasojë, që kanë vepruar që tek njeriu i hershëm, pastaj mendimi mitologjik, që zbulohen përmes kodeve të lashta mitologjike, kanë treguar dhe sjellë në vëmendje forma të ndryshme të shfaqjes estetike, të pëlqyeshme ose jo estetike. Folklori në vetvete ka dukshëm thelbin estetik, i cili diktohet qartësisht me funksionin estetik dhe argëtues të këtyre krijimeve. P.sh përralla të jep kënaqësi kur rrëfehet, miti nuk  e ka këtë tipar dhe as cilësi. Në kushtet e letërsisë moderne kjo njohje dhe ky interpretim ka një rëndësi të madhe, jo vetëm për burimet estetike, por dhe për rivitalizmin e saj në kushtet dhe kontekstet bashkëkohore.

Kultura popullore dhe folklori morën një rëndësi të madhe gjatë fillimit të lëvizjes letrare të romantizmit, ku një këndvështrim në kuptimin e identitetit të kulturave të popujve solli mendimtari i njohur gjerman Herder. Kjo lëvizje zbuloi kultura jashtëzakonisht të rëndësishme tek popujt e mëdhenj dhe popujt e vegjël, të cilët rrezikonin të rrënoheshin dhe të zhdukeshin ngadalë nën efektin shkatërrimtar të luftërave. Në kontekstin ballkanik debati për trashëgiminë popullore të hershme ka qenë dhe vazhdon të jetë aktiv. Në këtë rast i rëndësishëm është dhe debati akademik, që prof. Uçi zhvillon përmes argumenteve të tij me kundërshtarët dhe mbështetësit e teorive nacional-akademike sllave, se eposi ynë i kreshnikëve nuk është shqiptar, por serbo-boshnjak.

Zhvillimi i konstitucionit shpirtëror, mentar, historik, etno-psikologjik, ai i traditës folklorike, ai i simotërzimeve të tjera, siç është ai i Gjergje Elez Alisë, i cili ngjan dhe ka të njëjtën praktikë krijimi dhe strukture mitologjike-epike me Mujin dhe Halilin, qoftë dhe krijime të tjera në hapësirën e truallit shqiptar siç është përralla “Guna e Qefan Agës”, të krahasuar dhe me epose të njohura si “Kalevala”, ”Nibelungët”, “Këngët e Rolanit”, “Sagat e Skandinavisë “ dhe të tjera, të cilat përmbushin truallin dhe realitetin etno – kulturor të lashtë shqiptar si vendi i këtij cikli të lashtë legjendar, nën argumentet akademike të prof. Uçit kthehen në gurë të rëndë kështjelle, që nuk janë rrëzuar me kalimin e shekujve dhe as rrëzohen dhe në ditët tona.

Një kontribut madhor që akademiku Alfred Uçi ka sjellë, janë këndvështrimet dhe fenomenet estetike në autorë të caktuar, fenomene që lidhen me burimet e hershme estetike dhe të lidhura fort me këtë traditë, kështu një nga çështjet e rëndësishme në gjithë letërsinë dhe veçmas në folklor ka qenë dhe mbetet grotesku, një dukuri  lindur bashkë me folklorin, për vetë mjetet me të cilët ai është ndërtuar dhe funksionin që mban përgjithësisht në art. Grotesku nuk është trajtuar kurrë shkencërisht në teorinë e zhanreve, aq më tepër në atë të qëndrimit estetik. Prof. Uçi ka një mendim të qartë pse grotesku nuk është trajtuar në çështjet teorike dhe zbulimin e tij në krijimtarinë popullore dhe folklor, po ashtu dhe në krijimtarinë artistike. Njëri nga shkaqet, të cilët nuk janë rastësore, shpjegon studiuesi i njohur, ka të bëjë me moskuptimin e tij, kështu që ai është trajtuar vetëm si stilemë, dhe që shënon vetëm disa dukuri estetike të ulëta, ndonjë zhanri komik në folklor. Sipas profesor Uçit, burimi i parë i mendimit dhe figuracionit artistik të groteskut ka qenë poetika arkaike e mitologjisë dhe e folklorit, për shkak të karakterit sinkretik që ky i fundit ka në hershmërinë e tij.

Grotesku në folklor është i larmishëm dhe shfaqet në forma të ndryshme. Kështu, i natyrave të ndryshme është grotesku në llojin e satirës, anekdotës, përrallës apo të ndonjë krijimi tjetër të folklorit. Grotesku ka shfaqjet e tij gati spektakolare dhe në artet e deklamueshme, siç janë karnavalet, spektaklet me karagjozë,  spektaklet me maska, me klloun, në panairet dhe festat popullore, në ornamentet popullore, pra në një shfaqje të gjerë të argëtimit njerëzor, por dhe në ato lloje krijimesh, në të cilët ai është më i tërhequr apo më i “fshehur”, d.m.th anësor apo i pjesshëm, apo që del në formën e një stileme. I tillë është p.sh grotesku stilemor në një këngë të njohur historike, në vargun e të cilës gjejmë këtë vendosje: “Hafiz Pasha kryelopa,/s’merret Shkodra me tre topa…”. Elementin anësorë dhe prezencën e groteskut, në këtë krijim e gjemë në një fjalë të vetme, që është kryelopa.

Profesor. Akademik Alfred Uçi është personaliteti më kompleks, më reflektar dhe më me vokacion gjatë gjithë kohës kur ai u shfaq në mendimin estetik, filozofik dhe akademik të kulturës popullore, kulturës shqiptare, estetikës së letërsisë dhe interpretimit shkencor të kulturës së vjetër shqiptare, e cila dhe pse e ardhur përmes fragmentaritetit të saj, krijimi i kodeve të studimit dhe interpretimit të saj mund të krijohet dhe të ndriçohet rrugëtimi i saj. Aftësia për të krijuar zgjatimet dhe komunikimin e kulturës shpirtërore nëpër kohët, epokat, zhvillimet kulturore, qoftë dhe nën trysninë  e kulturave të huaja apo pushtuese është një nga shërbimet më të rëndësishme që puna shkencore dhe zbulimet e shumta të akademikut Uçi kanë bërë për vendin dhe dijen shqiptare.

Veçmas, studimet shkencore mbi kulturën popullore dhe folklorin përbëjnë një fond të çmueshëm, një tezë argumentuese më karakter kombëtar në shërbimin e shenjtë të identitetit kombëtar, që askush më mirë dhe më besueshëm se sa profesor Uçi as e ka bërë dhe as mund ta bëjë. Ai arriti të shpalosë shpirtin dhe kulturën e popullit të tij që nga errësira, që nga mitet, kohët legjendare dhe pastaj kohët historike, deri në kulturën e sotme moderne. Dijet e tija shkencore e tregojnë më së miri këtë kompleks të personalitetit të këtij dijetari të madh.

 

Tiranë-Vlorë, dhjetor 2022

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu