Akuzë tjetër për zotin Menendez, dyshohet të ishte agjent i paregjistruar i qeverisë së Egjiptit

0
Gjigandi

Prokurorët federalë kanë riformuluar aktakuzën e tyre kundër senatorit amerikan Bob Menendez nga Nju Xhersi dhe bashkëshortes së tij, duke i akuzuar për konspiracion, me qëllim që ai të vepronte si agjent i Egjiptit dhe zyrtarëve egjiptianë. Dokumenti që zëvendëson aktakuzën e parë ndaj tij, i paraqitur në gjykatën federale të Manhatanit të enjten, akuzon zotin Menendez për shkelje të Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj, që detyron individët të regjistrohen në qeverinë e Shteteve të Bashkuara nëse veprojnë si “agjent i një qeverie, entiteti apo partie politike të huaj”.

Si anëtar i Kongresit, zotit Menendez i ndalohej të ishte agjent i një qeverie të huaj, edhe nëse ai do të ishte regjistruar si i tillë. Zyra e zotit Menendez në Senat i dha avokati i tij nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment nga agjencia e lajmeve Associated Press. Në aktakuzë thuhet se komploti ka ndodhur nga janari 2018 deri në qershor 2022.

Sipas aktakuzës, në maj 2019, zoti Menendez, bashkëshortja e tij dhe një bashkëpunëtor biznesi, Wael Hana, u takuan me një zyrtar të inteligjencës egjiptiane në zyrën në Senat, të zotit Menendez, në Uashington. Gjatë takimit, ata diskutuan për një shtetas amerikan i cili u plagos rëndë në një sulm ajror të vitit 2015 nga ushtria egjiptiane e cila kishte përdorur një helikopter Apache të prodhuar në SHBA, thuhet në aktakuzë. Pas ngjarjes, disa anëtarë të Kongresit kundështuan dhënien e kësaj ndihme ushtarake Egjipitit dhe disa ligjvënës krijuan perceptimin se qeveria egjiptiane nuk kishte vullnet për t’i dhënë dëmshpërblimin e duhur qytetarit të plagosur amerikan, thuhet në aktakuzë.

Pas takimit në Uashington, zyrtari egjiptian i dërgoi një mesazh zotit Hana sipas të cilit nëse senatori Menendez do të ndihmonte në zgjidhjen e çështjes “ai do të mbetej i kënaqur”. “Konsideroje të kryer”, u përgjigj zoti Hana, sipas asaj që shkruhet në aktpadi. Akuzat e reja vijnë disa javë pasi demokrati dhe bashkëshortja e tij u akuzuan se kishin marrë para në formë rryfsheti, kallëpë ari dhe makina luksoze nga tre biznesmenë në Nju Xhersi dhe në këmbim ai do të mbronte biznesmenët dhe të ndihhmonte qeverinë e Egjiptit.
Çifti ka deklaruar se është i pafajshëm për akuzat.

Sipas prokurorëve, ndërsa zoti Menendez drejtonte Komisionin e Senatit për Politikë të Jashtme, kishte ndërmarrë një sërë hapash për të ndihmuar në mënyrë të fshehtë zyrtarët egjiptianë. Ai akuzohet se ka dhënë informacion mbi punonjësit e ambasadës amerikane në Egjipt dhe u ka përcjellë informacion jo publik zyrtarëve egjiptianë mbi ndihmën ushtarake.

RonaTyra

69 vjeçari Menendez ka këmbëngulur se ai nuk ka bërë asgjë të pazakontë për të ndihmuar Egjiptin dhe se hetuesit e kishin keqkuptuar punën e një senatori të angazhuar në çështje të politikës së jashtme. Gjatë një kontrolli në shtëpi nga ana e autoriteteve, zotit Menendez, iu gjetën kallëpë ari me vlerë më shumë se 100 mijë dollarë dhe 480 mijë dollarë, të fshehura në dollapë dhe veshje. Akuzat e reja vijnë pasi më shumë se 30 senatorë demokratë i kanë bërë thirrje atij të dorëhiqet. Por zoti Menendez ka deklaruar se nuk do të largohet nga Senati.

 

p.c. / ABC24.AL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu