Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka informuar opinionin publik se ka rënë pre e sulmeve kibernetike. AKSHI njofton se situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë. Sipas AKSHI-t, sulmet nuk kanë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike.
“Informojmë opinionin publik se aktualisht gjendemi nën sulme masive, të shpërndara të formatit ‘Distributed Denial-of-Service’ (DDoS) duke bllokuar rrjetin me tentativa ilegjitime aksesimi të faqeve publike. Situata është rikthyer në normalitet pas rreth 60 minutash dhe faqet qeveritare janë sërish në funksion të plotë. Theksojmë se sulme të tilla nuk kanë asnjë lidhje me sigurinë e sistemeve dhe të dhënave në to, por vetëm me bllokimin e faqeve publike.
Siguria kibernetike dhe e informacionit është një nga sfidat më të mëdha në epokën digjitale. Identifikimi në kohë i kërcënimeve, reagimi i shpejtë, dhe forcimi i sigurisë është një proces kompleks i cili kërkon vëmendjen e duhur dhe marrje masash të përshtatura sipas kohës dhe mënyrës së sulmeve, rast pas rasti”-njofton Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
p.k\dita