Një skandal i vërtetë është regjistruar me tenderin prej gati 7 milionë euro të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe infrastrukturës së Mbetjeve. Me një të rënë të lapsit është injoruar një ofertë që mund t’u kursente qytetarëve shqiptarë plot 1.1 milionë euro, të cilat mund të përdoreshin fare mirë për të shtuar sado pak minuta më shumë ujë të pijshëm në çezmat e tyre.
Konkretisht, bëhet fjalë për tenderin me fond limit 6.3 milionë euro për rikonstruksionin e Magjistralit Kryesor dhe Rrjetit të brendshëm të Ujësjellësit të Qytetit Patos, Loti III. Në garë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, “Curri shpk” e Faik Currit dhe Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë Shoqëria “KEVIN CONSTRUKSION” sh.p.k & Shoqëria “ALB TIEFBAU” sh.p.k.
Pak kohë më parë mediat raportuan se Faik Curri kishte kërcënuar disa nga kompanitë e tjera që të mos futeshin në garë dhe kjo duket se i ka dhënë efektet e saj, pasi përballë në fund pati vetëm një rival. Faik Curri ka dhënë ofertën 6.1 milionë euro ose 96.8% e fondit limit, ndërsa bashkimi i dy operatorëve ekonomikë ka dhënë një ofertë plot 1.1 milionë euro më të lirë. Por Ujësjellësi duket se e kishte paracaktuar fituesin, teksa ka përgatitur letrat për të refuzuar ofertën më të lirë, me arsyetimin banal që nuk ka eksperiencë pune për këtë tender të madh.
Kjo i ka hapur rrugën Faik Currit për të marrë dhuratën e Vitit të Ri plot 6.1 milionë euro pa tvsh, duke lënë njëkohësisht një njollë të errët në historikun e tenderave në vend./blind.al