Afganët protestojnë kundër ndalimit të shkollimit të vajzave

0
Gjigandi

“Të drejta për të gjithë ose askënd”, brohorisnin gratë e veshura me hixhab teksa marshonin në kryeqytetin afgan, Kabul, ku ndodhen universitetet më të mëdha të vendit.

“Talebanët dëshmuan se nuk kanë ndryshuar. Kanë vënë ndalime të forta ndaj grave duke i kufizuar nga jeta sociale dhe nga e drejta për edukim. Ata i kanë ekzekutuar e rrahur ato me kamzhik në publik. Ne po luftojmë të vetme. Komuniteti ndërkombëtar na ka lanë vetëm. Nuk kemi asnjë mbështetje politike”, tha Ramzia Sayedi, studente protestuese.

Dëshmitarët thanë se në Kabul protestat u ndëprenë me shpejtësi nga forcat e sigurisë talebane të cilët arrestuan të paktën 5 gra dhe dy burra.

Burime pranë aktivisteve të të drejtave të njeriut konfirmuan se dy prej grave të arrestuara u lanë të lira. Disa gra thonë se protestat do të vazhdojnë.

“Forcat talebane na rrahën, ndërsa arrestuan disa protestues mes tyre gra e burra. Por ne nuk heqim dorë, do të luftojmë për të drejtat tona”, tha Razia Sultani, studente protestuese.

RonaTyra

Zyrtarët talebanë njoftuan këtë javë vendimin që u hiqte atyre të drejtën e menjëherëshme për të ndjekur univeristetet publike dhe private.

Vendimi u njoftua një ditë para provimeve të fundit.

“Kisha studiuar dhe isha përgatitur deri vonë për provimin. U zgjova në mëngjes dhe pashë lajmin mbi vendimin. M’u shkatërruan ëndrrat. Fillova të qaj. Pse trajtohemi si kriminele?! Pse nuk gëzojmë respektin e këtyre njerëzve dhe pse nuk kemi asnjë vlerë për ta?! “, tha Bahar Ahmadzai , studente e Univestitetit të Mjekësisë, Kabul

Një ditë pas vendimit, shumë profesorë në universitetet e disa rajoneve dhanë dorëheqjen.

“Në shenjë proteste ndaj kësaj dite të zezë, bashkë me disa kolegë të mi, kemi dhënë dorëheqjen. Nuk kthehemi në universitete derisa talebanët të ndërpresin zbatimin e këtij vendimi”, tha Obaidullah Wardak nga Universiteti i Kabulit .

Shkrimtarja dhe aktivistja e të drejtave të njeriut, Shafiqa Khpalwak (Shefikat Kauat), tha se vendimi për t’i ndaluar vajzat të edukohen është një krim kundër njerëzimit.

“Kjo katastrofë nuk rrezikon vetëm të drejtat e grave, por kërcënon ekzistencën e një kombi të tërë. Për këtë krizë është përgjegjës dhe ai ashtuquajturi komunitet ndërkombëtar dhe tani ata nuk mund të na kthejnë shpinën, nuk mund t’i largohen krizës që kanë krijuar. Disa deklarata boshe nuk e zgjidhin problemin. Ata duhet të ofrojnë zgjidhje praktike dhe realiste që mund të sjellin rezultate të prekshme për talebanët”, tha Shafiqa Khpalwak shkrimtare, aktiviste për të drejtat e njeriut.

Qëkurse erdhën në pushtet në vitin 2021 talebanët kanë kufizuar ashpër të drejtat e grave. Ata kanë mbyllur shkollat e mesme dhe i kanë ndaluar gratë të shkojnë në parqe publike dhe palestra. Mbajtja e hixhabit në publik është e detyrueshme, në të kundërt talebanët zbatojnë dënime të forta, sikurse rrahja me kamzhik në publik./VOA

a.m/dita

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu