A do të mbijetojë lëvizja protestuese e Iranit?

0
Gjigandi

Protestat anti-establishment për muaj të tërë kanë mbërthyer mbarë Iranin, pavarësisht shtypjes brutale nga shteti, që për pasojë janë vrarë qindra demonstrues dhe mijëra të tjerë janë arrestuar.

Të nxitura nga vdekja e një gruaje të re e cila u arrestua nga policia e moralit të Iranit në mesin e shtatorit, protestat mbarëkombëtare që po vazhdojnë, janë shndërruar në pakënaqësinë më të gjatë publike ndaj regjimit klerik të shtetit, që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Përderisa numri i protestave ka rënë gjatë javëve të fundit, zemërimi i grumbulluar me dekada për shtypjen e shtetit dhe keqmenaxhimin ekonomik, ka pak të ngjarë që të zbehet, thanë analistët. Ata parashikuan se kjo lëvizje protestuese me gjasë do të vazhdojë, teksa zgjerohet hendeku midis klerikëve në pushtet dhe popullatës së re të Iranit.

Ali Fathollah-Nejad, ekspert për Iranin në Universitetin Amerikan të Bejrutit, tha se ky shtet i Lindjes së Mesme duket se është përfshirë “në një proces revolucionar” që nisi me protestat më 2017-2018 lidhur me pakënaqësitë ekonomike, që shpejt u shndërruan në pakënaqësi politike.

“Çdo proces i tillë, në thelb përfshin fazën e qetësisë relative dhe fazën e trazirave”, tha për Radion Evropa e Lirë, Fathollah-Nejad, autor i një studimi për protestat e viteve 2017-2018.

RonaTyra

“Në mënyrë thelbësore, episodi aktual revolucionar sugjeron një hendek të pakalueshëm midis shtetit dhe shoqërisë”, shtoi Fathollah-Nejad.

A mund të bëjë Irani kompromis për shaminë?

Gjatë protestave aktuale, iranianët kanë kërkuar që Republikës Islamike t’i vije fundi, dhe kanë drejtuar zemërimin e tyre ndaj simboleve të dukshme të regjimit klerik, përfshirë edhe mbajtjen e detyrueshme të shamisë së kokës nga gratë dhe ndaj liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Përderisa autoritetet kanë rritur përdorimin e forcës vdekjeprurëse gjatë përplasjeve me protestuesit, iranianët kanë vazhduar që të shprehin pakënaqësitë e tyre përmes tubimeve nëpër rrugë dhe në memorialet e ngritura për personat e vrarë në protesta. Të tjerët kanë shkruar parulla dhe i kanë vendosur ato nëpër rrugë, ndërsa disa kanë brohoritur slogane kundër regjimit nga dritaret e shtëpive të tyre gjatë natës.

Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, që kur kanë nisur, protestat forcat e sigurisë iraniane kanë vrarë të paktën 476 protestues, përfshirë mbi 60 fëmijë. Mbi 15.000 persona janë arrestuar. Dy burra të rinj janë ekzekutuar publikisht për shkak të përfshirjes së tyre në protesta.

“Asgjë nuk do të jetë njësojë, ne kemi gjetur zërin tonë”, tha një protestuese në Teheran, e cila foli për REL-in në kushte anonimiteti nga frika e hakmarrjes. “Edhe nëse ky revolucion nuk arrin qëllimin e tij në një të ardhme të afërt, ne nuk kemi frikë më, dimë si të luftojmë dhe rezistojmë”.

Pse Irani po ekzekuton kaq shumë të burgosur?

Një gazetar në kryeqytetin iranian tha se protestat paraqesin një kërcënim të madh për establishmentin, edhe pse ai argumentoi se regjimi nuk është në rrezik të menjëhershëm nga kolapsimi. Nuk ka pasur çarje në mesin e elitës udhëheqëse dhe forcave të armatosura, përderisa protestat ende nuk e kanë ndalur krejtësisht ekonominë.

“Ata po bëjnë gjithçka për të qëndruar në pushtet, prandaj tash për tash pres më shumë tensione dhe rritje të pakënaqësive, veçanërisht për shkak të situatës lidhur me internetin dhe monedhën kombëtare”, tha ai duke iu referuar rritjes së censurës online dhe rënies së vlerës të monedhës kombëtare kundrejt dollarit amerikan.

Karim Sadjadpour, bashkëpunëtor i lartë në institutin Carnegie për Ndihmë për Paqe Ndërkombëtare, me seli në Uashington, tha se historia ka treguar se “në mënyrë që kryengritjet popullore të jenë në gjendje të zhvillohen, ato duhet të tërheqin pas vetes një masë të madhe dhe për të tërhequr një masë kritike, ato duhet të perceptohen si të suksesshme”.

“Është e qartë se shumë iranianë, duke pasur parasysh pakënaqësitë e tyre që po vazhdojnë, besojnë se kjo kryengritje popullore do të ketë sukses në rrëzimin e Republikës Islamike”, shtoi ai. “Është gjithashtu e rëndësishme që zyrtarët e Republikës Islamike të arrijnë ta besojnë se ata janë në ekipin humbës. Ne nuk kemi arritur në asnjërën nga këto pika të kthesës”.

Sociologu i njohur nga Teherani, Hamid Reza Jalaipour, tha se hendeku midis establishmentit dhe pjesës tjetër të popullsisë “është i madh”. Por, ai sugjeroi se shumica e iranianëve ende nuk kanë vullnet që të marrin pjesë në protesta, të dizajnuara për rrëzimin e regjimit.

“Aktualisht, 15 për qind e shoqërisë mbështesin establishmentin dhe 15 për qind janë protestues seriozë”, tha Jalaipour përmes komenteve të publikuara në mediat iraniane në muajin tetor. “Shtatë dhjetë për qind e popullatës është e heshtur”.

Ai tha se dështimi i establishmentit që të dëgjojë kërkesat e qytetarëve për vite me radhë, ka kontribuar në valën aktuale të protestave.

“Establishmenti nuk nxori mësime nga protestat e mëhershme”, tha ai. “Sa më shumë që [udhëheqësit e linjës së ashpër] kanë shtrënguar Republikën Islamike në 25 vjetët e fundit, aq më shumë shoqëria i është drejtuar protestave”/REL

a.m/dita

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu