Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë tek gratë edhe në Shqipëri. Mbi 720 raste janë diagnostikuar vitin e fundit me këtë sëmundje dhe sipas ekspertëve ky kancer përbën më shumë se 11% të të gjitha rasteve të reja me sëmundje tumorale.
Dy dekadat e fundit sëmundshmëria nga kanceri i gjirit është rritur me 20%.
Shefja e shërbimit onkologjik Silvana Celiku tregon se krahas faktorit genetic, ndryshimit të stilit të jetës dhe rritjes se moshës mesatare, programi i depistimit në të gjithë vendin ka rritur zbulueshmërinë e këtij kanceri.
Pavarësisht fushatave të vazhdueshme për diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundje, fatkeqësisht ende gratë e kapin sëmundjen në stade të avancuara.
Për këtë arsye kanceri i gjirit në Shqipëri mbetet shkaku kryesor i vdekjeve tek femrat e prekura nga sëmundjet tumorale.
Vetëm në vitin 2022 humbën jetën 192 gra edhe në moshë të re. Në tetorin rozë, muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit mjekja Silvana Celiku u bën apel grave të kryejnë kontrolle periodike.
Thirrjet nuk mungojnë as për meshkujt të cilët konstatojnë anomali në gjoksin e tyre.
1% të rasteve më kancer të gjirit e zënë meshkujt. Aktualisht në spitalin Onkologjik trajtohen 4 pacientë meshkuj të prekur nga kjo sëmundje.