ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Një shqiptar i dënuar për vrasje, i cili arriti t’i shpëtonte drejtësisë për 27 vite duke jetuar në Britaninë e Madhe me identitet të rremë, mund të qëndrojë

Sabri Sopoti, 60 vjeç, i dënuar në Shqipëri për vrasje me paramendim, mund të vazhdojë të jetojë në Britaninë e Madhe edhe pasi të mbarojë dënimin që po vuan tani në këtë vend. Ai kaloi 27 vjet në arrati nga drejtësia shqiptare, i mbrojtur nga një identitet i rremë.
Kërkesa për ekstradimin e tij është tërhequr nga autoritetet shqiptare. Si argument është përdorur fakti se nga koha e krimit ka kaluar shumë kohë.
Sopoti qëlloi për vdekje një person në dhjetor të vitit 1999, brenda një lokali në veri të Shqipërisë. Arma që përdori ishte një automatiku i tipit Scorpion. Dyshohet se motive e ngjarjes ishte një konflikt familjar. Pas krimit ai u largua nga vendi dhe shkoi në Mbretërinë e Bashkuar.
Atje u paraqit si refugjat nga Kosova, me emrin Zenel Bytyqi. Me atë identitet përfitoi azil dhe jetoi pa u zbuluar për gati tre dekada. Në Shqipëri gjyqi u zhvillua në mungesë dhe përfundoi me 24 vite burg, për vrasje me paramendim dhe për një vepër penale që kishte të bënte me armëmbajtjen.
Identiteti i vërtetë i Sopotit doli në dritë në Britani vetëm pasi ai u përfshi në një çështje tjetër penale, e cila lidhej me kontrabandën e alkoolit dhe me shmangien e taksave.
Arrestimi u krye në korrik të këtij viti. Muajin e ardhshëm pritej një seancë e plotë gjyqësore për ekstradimin drejt Shqipërisë. Por të premten, në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster, palët mësuan se urdhër-arresti ndërkombëtar ishte tërhequr. Baza ligjore e këtij veprimi ishte neni 122 i Ligjit për Ekstradimin të vitit 2003.
Sipas kërkesës së autoriteteve shqiptare, një gjyqtar në Shqipëri kishte vendosur së fundmi se nga kryerja e veprës penale kishte kaluar një periudhë tepër e gjatë. Për këtë arsye, sipas tij, Sopoti nuk mund ta vuante më dënimin fillestar. Gjykata londineze u detyrua të urdhëronte pushimin automatik të procedurës së ekstradimit. Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës në Britani njoftoi se nuk kishte asnjë shenjë që Shqipëria do ta apelonte këtë vendim.
Si ndodhi krimi
Detajet e ngjarjes ishin paraqitur në një seancë të mëparshme, nga prokurori që përfaqësonte Shqipërinë. Sipas tij, më 24 dhjetor 1999 Sopoti doli nga banesa i armatosur dhe shkoi në kërkim të viktimës. Pasi e gjeti në një lokal, ai e qëlloi me armë zjarri dhe i shkaktoi plagë që i morën jetën.
Hetimet e atyre viteve zbuluan se gjithçka mund të ketë nisur pas një telefonate. Gjatë saj Sopotit i ishte kërkuar të përballej me disa persona, të cilët, sipas personit në telefon, po e fyenin atë dhe familjen e tij.
Bashkëshortja e tij deklaroi për hetuesit se pas telefonatës ai ishte shqetësuar dukshëm. Mori një mitraloz Scorpion dhe një pistoletë, pastaj u largua nga shtëpia në drejtim të lokalit ku ndodhi vrasja.
Edhe pse procedura e ekstradimit u rrëzua, 60-vjeçari nuk do të dalë menjëherë i lirë. Aktualisht ai po vuan një dënim prej 37 muajsh burg në Britani. Ai u shpall fajtor për përfshirje në një skemë kontrabande alkooli, pa paguar taksat përkatëse.
Sipas mediave britanike, pritet që ai të qëndrojë në burg deri në shkurt të vitit 2027.
Ndërkohë mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me statusin e tij të emigracionit pas lirimit. Nuk dihet gjithashtu nëse autoritetet britanike do të nisin ndonjë procedurë tjetër kundër tij. Ministria e Brendshme britanike është kontaktuar për një koment mbi çështjen.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.