ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Nga Ylli Pata **Profecia e qametit të ditës së Flamurit**

**Profecia e qametit të ditës së Flamurit**
Nga Ylli Pata
Ka diçka të çuditshme në daullet mediatike që rrahin për atë që pritet të ndodhë në Tiranë më 28 nëntor. Një protestë e vërtetë, e ngritur nga shoqëria, nuk ka nevojë as për data, as për ngjarje, e as për raste festash për të dhënë efektet e veta.
Lëvizja sociale nuk pret të furnizohet me njerëz që vijnë nga organizime folkloriko-politike, të nisura nga forca të caktuara, vetëm që t'i japin asaj fuqi. Ose është protestë, ose nuk është. Edhe kur nuk është e madhe, ajo strukturohet, kanalizohet dhe institucionalizohet. Kështu i çon pushtetit dhe shoqërisë mesazhet e veta. Tregon fytyrën politike e njerëzore të drejtuesve dhe përgatit rrugët për arritjen e objektivave.
Profecitë makabre për qametin e 28 nëntorit u ngjajnë atyre që janë hedhur disa herë për të mbjellë frikë. Jo te protestuesit, por te ata që u trembën nga të ashtuquajturat protesta që dogjën Tiranën.
Këtë herë situata është më e rëndë se herën e parë, sepse bëhet fjalë për një ditë thelbësore të Republikës. Ata që nuk arritën ta institucionalizonin protestën premtojnë tani të sjellin njerëz me borxh, për të shlyer hatanë e djegies së Tiranës.
Kjo logjikë mund të sjellë më shumë njerëz nga Kosova e Maqedonia e Veriut më 29 nëntor në bulevard. Gjithsesi nuk është protestë. Është thjesht një manifestim me organizim dhe financim proxy, për qëllime të caktuara. Në realitet efekti politik do të dalë i sforcuar, ndonëse synimi mbetet prodhimi i një ngjarjeje mediatike.
Rrymat që qëndrojnë pas protestës njihen qartë: grupet e Sali Berishës, ato të Arlin Qorit dhe Islami politik i mbështetur nga Irani e Turqia. Duket se pikërisht këto do të financojnë shiringën mediatike të 28 nëntorit, për t'i veshur një tis patriotik.
Edhe sikur të jetë e qetë e paqësore, ajo protestë nuk ka si të ngjisë në opinion. Është e sforcuar dhe e trazuar, pikërisht sepse zhvillohet në një datë kremtimi solemn.
Nëse ndodhin incidente, ndoshta kthehet në ngjarje mediatike. Përsëri nuk mund të trazojë e as të transformojë një proces politik. Mund të shkaktojë vetëm një trazim jo të vogël për proceset normale të vendit, nga integrimi e zhvillimi ekonomik deri te jeta sociale.
Ky duket se është qëllimi: të provokohet një proces irruptiv sipas modelit “jemi me ju edhe pse s'marrim pjesë në protestë, aman mos na digjni dyqanin”. Por pikërisht kjo mund të kthehet në bumerang në procesin politik të zgjedhjeve. Secili do të mbajë përgjegjësinë për këtë shantazh, i cili do të ketë pasojat e veta.
Pas 28 nëntorit vjen 29-a. Ndoshta pikërisht atë ditë duhen bërë llogaritë.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.