ABC24.al është gazeta dixhitale shqiptare që ofron lajme të besueshme, analiza të thelluara dhe reportazhe ekskluzive 24 orë në ditë.
Pastrimi i parave të pista, të cilat burojnë nga shitja e kokainës, ishte shqetësimi kryesor që ambasadori i SHBA Eric Ëendt ngriti në takimin me kreun e SPAK

Pastrimi i parave që vijnë nga trafiku i kokainës ishte nyja qendrore e takimit që ambasadori amerikan Eric Ëendt zhvilloi me kreun e SPAK, Klodian Braho, dhe me drejtuesin e BKH, Joni Keta.
Mesazhi i tij ishte i prerë. Ata që pastrojnë para të pista duhet të dënohen. Provat për këtë ekzistojnë dhe gjenden në serverat e Shteteve të Bashkuara, ndaj ftesa ishte e qartë: shkoni dhe merrini.
Ambasadori u foli pa dredha hetuesve, prokurorëve të posaçëm dhe gjyqtarëve. Para tyre përshkroi rolin dhe funksionin që secili mban në këtë zinxhir.
Disa nga provat që ju nevojiten ndodhen në serverë në Shtetet e Bashkuara, tha ai. Bëhet fjalë për postë elektronike, llogari të rrjeteve sociale dhe hapësira ruajtjeje në re, të cilat administrohen nga kompani amerikane.
Sipas tij, ato prova mund të merren. Por duhen njohur rregullat: çfarë duhet ruajtur, çfarë duhet kërkuar, si duhet hartuar kërkesa dhe si duhet vepruar shpejt.
Të dhënat mund të zhduken brenda pak ditësh. Një kërkesë për ruajtje e dërguar sot mund të shpëtojë një çështje që përndryshe do të rrëzohej vitin e ardhshëm, theksoi ai.
Taylor Phillips, ekspert i Departamentit të Drejtësisë për krimet e hakerimit kompjuterik dhe të pronësisë intelektuale, do ta shpjegojë këtë proces hap pas hapi.
Më pas ambasadori iu drejtua veçmas secilit grup të pranishëm në sallë.
Hetuesve u tha se janë hallka e parë e zinxhirit. Mënyra se si i identifikojnë, i ruajnë dhe i sekuestrojnë provat digjitale përcakton nëse ato do të mbijetojnë në gjykatë.
Prokurorëve u kujtoi detyrën për t'i kthyer të dhënat në një rrëfim që gjykata mund ta ndjekë. Lidhja e një adrese IP, e një portofoli kriptovalutash dhe e një mesazhi elektronik me një person real është puna e tyre.
Ndaj gjyqtarëve, ambasadori u shpreh se pavarësia e tyre respektohet plotësisht. Asgjë në këtë program nuk ju kërkon ta shihni ndonjë çështje në një mënyrë ose në një tjetër. Qëllimi është i thjeshtë: t'ju ndihmojmë t'i testoni me rigorozitet provat digjitale, të gjykoni besueshmërinë e tyre dhe t'i peshoni me vetëbesim.
Tri role. Një zinxhir.
Shkruar nga
Redaksia ABC24
Artikujt e firmosur "Redaksia ABC24" përgatiten nga desku qendror i lajmeve — ekipi që mbulon lajmet 24 orë në 7 ditë. Sinjalet e lexuesve, lajmet e minutës së fundit dhe kërkesat për korrigjim kalojnë të gjitha nga kjo tryezë redaksie, ku çdo tekst rishikohet kolektivisht para publikimit.
Diskutimi
Komentet miratohen nga redaksia para se të shfaqen.